E Shtunë, 31 Tetor 2026

Armata e pleqve ne Fukushima te gatshem per veteflijim

Një armatë emocionuese gjyshërish bëjnë përpara për t’i ardhur në ndihmë kombit. Në Japoni qindra vullnetarë të moshës së tretë u mblodhën në një ndërtesë para parlamentit, të gatshëm për t’u nisur në një mision pa kthim.

Të gjithë janë të gatshëm të zëvendësojnë skuadrën e heronjve të Fukushimës, punëtorët më të rinj të cilët dita-ditës ekspozohen në nivele mjaft të larta rezatimi. Iniciativa filloi në fakt në muajin prill nga një grup inxhinierësh mbi të 60-at e në më pak se 2 muaj janë mbi 1300  personat që kanë aplikuar dhe prej tyre janë përzgjedhur 274.

Në Fukushima Daichi, centralin që u godit nga tërmeti dhe cunami i 11marsit, puna vazhdon ende për të ftohur tre nga  6 reaktorët. Mbi 80 mijë banorë janë evakuuar nga zona ku nivelet e radioaktivitetit mbeten alarmante.

Në takimin e  vullnetarëve të moshës së tretë pati nga ata që thanë se ishte përgjegjësia e brezit të tyre të zgjidhte krizën, pasi vite më parë ishte kjo gjeneratë që lejoi ndërtimin e reaktorëve. Hapi tjetër është që kryeministri në detyrë Naoto Kan të lejojë marrjen përsipër të detyrës nga gjyshërit vullnetarë për të sakrifikuar jetën e tyre.

Delina Bitraku

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›