E Diel, 1 Nëntor 2026

Armela Demaj: Regjia dhe aktrimi kanë lindur brenda meje



Ajo është një aktore mjaft e këndshme, e brishtë dhe e lirshme në skenë teksa interpreton personazhet e saj. Është diplomuar për regjisurë, por i është përkushtuar deri në detaje aktrimit. Ka pak vite që interpreton në skenë dhe, pa dyshim, bën pjesë në atë brez aktorësh të rinj që sjellin diçka të re në skenën e teatrit. Kjo është aktorja Armela Demaj, e cila beson se me përpjekje, punë dhe dëshirë mund të ecësh përpara. Me personazhet që ka vendosur në skenë ajo e ka bërë për vete publikun, i cili gjithmonë dhe më shumë e vlerëson për atë që ajo sjell në teatër si një aktore e re e skenës shqiptare. Aktorja Armela Demaj, e cila ka një karrierë të pasur artistike, edhe pse është pjesë e brezit të ri të aktorëve që interpretojnë në skenë, ka sjellë para publikut personazhe dhe karaktere nga më të ndryshmet për një periudhë të shkurtër kohore. Ajo që e bën të ndihet në vetvete shumë e sigurt drejt këtij profesioni ka qenë fakti i të qenit gjithmonë e përkushtuar në punë. Duartrokitjet dhe spektatorët janë gjithmonë dhurata më e bukur dhe emocioni më i madh për të. Në një intervistë për “Albania Weekend”, aktorja rrëfen për emocionet në skenën teatrore, si dhe projektet artistike të mëtejshme. Më tej ajo tregon për projektet dhe rolet më të spikatura që ka pasur gjatë këtyre katër viteve dhe për projektin më të fundit teatror ku iu besua roli i Benarda Albës te “Shtëpia e Benarda Albës”, me regji nga Alma Hoti. Një dramë kjo tek e cila lumturia nuk arrihet kurrë, ku njeriu prek vetëm vuajtjet e jetës dhe mbetet skllav i jetës së vuajtur dhe i traditave të vjetra. Aktorja solli për publikun personazhin e vejushës, për të cilin tregon se ka qenë një përjetim shumë i bukur në skenë dhe e konsideron këtë rol si një sfidë të sajën në skenën teatrore. “Roli i Benarda Albës jo vetëm që është një rol i vështirë, por është sfidë shumë e madhe dhe aty ku ka sfida të mëdha ka dhe dashuri të mëdha, të cilat të bëjnë që ta arrish qëllimin e këtij personazhi. Në vetvete është një personazh, pasi dimensionet e saj arrijnë nivelet e paimagjinueshme nga publiku. Pikërisht këtu qëndron sfida dhe në fakt janë ca role që të godasin dhe të lënë pa frymë përpara fuqisë që ato paraqesin”, - cilëson Demaj.
Më tej, gjatë kësaj interviste ajo na tregon më shumë për jetën e saj artistike, cilat janë emocionet që i fal skena dhe na zbulon dhe projektet në vazhdim.

Kush është Armela Demaj për publikun shqiptar?
Armela Demaj është një regjisore e re, një vajzë që ka mbaruar për regjisurë, por deri tani ka ushtruar më së shumti profesionin e saj si një aktore. Kjo për një qëllim: për të njohur sa më mirë dhe për të qenë sa më i sigurt nga ana regjisoriale në të ardhmen. Duhet që në fillim ta njohësh mirë skenën dhe procesin e aktorit, të njohësh mirë analizën e personazhit.

Së fundi erdhët para publikut me pjesën “Monologjet e vaginës”. Sa të vështirë e kishit interpretimin e këtij monologu?
“Monologjet e vaginës” ishte një projekt ndërkombëtar në kuadrin e “Videi”, një lëvizje mbarëbotërore për njohjen e të drejtave të femrave dhe mosshkeljen e të drejtave të femrave. Është një lëvizje që ka filluar nga autorja e pjesës, Ivensler, dhe bëhet fjalë për një grup femrash të marra nga vende të ndryshme të botës. Janë monologje të ndërtuara në bazë të eksperiencës në kohë të ndryshme, në vende të ndryshme dhe pak a shumë të gjitha vuajnë nga të njëjtat keqtrajtime, shtypje dhe dhunime psikologjike nga shoqëria.

Si erdhi ky monolog në skenën shqiptare?
Sjellja e këtij monologu nuk ishte shumë i vështirë sepse përderisa jetojmë në një shoqëri tejet maskiliste dhe duke qenë se unë jam femër, sigurisht që gjatë gjithë jetës time, në njëfarë mënyre, kam arritur të ndie presionin e kësaj shoqërie. Këto monologje, nga të gjitha femrat që interpretuan, nuk kanë hasur vështirësi sepse në njëfarë mënyrë ne i kemi prekur dhe në jetën e përditshme këto qëndrime. Pastaj, vështirësia për mua ka qenë materializimi, pasi duhet të futesh nën lëkurën e personazhit, të mendosh sipas tij dhe të veprosh sipas tij, në mënyrë që të përshtatesh në një njeri tjetër, që nuk je ti.

Diplomohesh për regjisurë dhe shfaqesh si aktore, pse pikërisht aktrimi?
Papritur aktrimi u duk që ishte brenda meje dhe nuk ka qenë synimi im që të bëhesha aktore, sikundër kam mbaruar shkollën për regjisore, aktrimin e dua shumë. E them me bindje se e kam shumë të vështirë të ndaj pasionin midis aktrimit dhe regjisurës, por për mua aktrimi është një mënyrë shumë e mirë për të njohur skenën. Sigurisht, kur ke dhe fatin të provosh role është shumë mirë për të parë në këndvështrimin e regjisorit, për ta parë nga brenda duke ditur se çfarë ndodh me personazhin. Mendoj se në momentin që unë do të shfaq punët e mia si regjisore, jam e bindur se të gjitha këto role në aktrim do të më vlejnë shumë.

Një profesioniste e re me një gamë jo të vogël rolesh. Cili rol të ka lënë më shumë mbresa?
Sigurisht, roli i Benarda Albës. Jo vetëm që është një rol i vështirë, por është sfidë shumë e madhe dhe aty ku ka sfida të mëdha ka dhe dashuri të mëdha, të cilat të bëjnë që ta arrish qëllimin e këtij personazhi. Në vetvete është një personazh, pasi dimensionet e saj arrijnë nivelet e paimagjinueshme nga publiku. Pikërisht këtu qëndron sfida dhe në fakt janë ca role që të godasin dhe të lënë pa frymë përpara fuqisë që ato paraqesin. I tillë ishte dhe roli i Benarda Albës, pasi unë kam punuar shumë për të dhe përsëri them se po të isha akoma më e madhe në moshë, do të kisha mundësi të realizoja më shumë. Roli i Benardës ka shumë të ngjashme me karakterin tim dhe kështu, duke qenë se një personazh të ngjan pak a shumë në jetën tënde të përditshme, ty të bën ta duash akoma më shumë këtë personazh.

Kush ka qenë roli më i vështirë për ju?
Në fakt kam marrë pjesë në disa shfaqje dhe roli i Benarda Albës për mua ka qenë roli më i vështirë. Benarda Alba është një vejushë dhe një nënë që ka pesë vajza. Për shkak se do të jetë familja më e nderuar në qytet, të pesë vajzat i mban të mbyllura. Pesë vajzat janë të pamartuara dhe nuk e kanë ndjerë ndonjëherë se çfarë është dashuria. Gjatë kësaj pjese ndodh një tragjedi, pasi vajza e madhe do të fejohet me një djalë që dashuron vajzën e vogël dhe në momentin që kjo katrahurë del në pah dhe merr zë, Benarda shkon të vrasë të fejuarin, vajza e vogël vetëvritet dhe përfundon në një tragjedi. Benarda Alba ka qenë roli më i vështirë për mua, jo vetëm për hapësirën mes moshave dhe brezave, pasi bëhet fjalë për vitin 1936 ku familja kishte parime të forta fetare që nuk duhet të shkelen.

Si ka lindur pasioni drejt regjisurës? Ka qenë dikush që të ka shtyrë, apo ka qenë e rastësishme?
Thjesht ka ardhur nuk është se kam pasur synime për t’u bërë artiste përveçse dëshirave fëminore që besoj se i kanë të gjithë. Nuk e kam menduar kurrë se mund të isha pjesë e artistëve shqiptarë dhe të interpretoja përkrah tyre. Futja në Akademinë e Arteve ishte një ide dhe dëshirë e lindur në ato momente.

E ka trembur ndonjë moment skena Armela Demajn?
Po, më ka trembur skena në momente ku kam pasur pasiguri dhe në rolet ku kam pasur pasiguri. Në gjithë punën që aktori bën, pavarësisht që sado fort ta punojë një personazh, ka momente që i ndien më të dobëta se momentet e tjera. Dhe gjatë këtyre momenteve skena të tremb sepse përpara saj dhe përpara publikut je totalisht vetja dhe nuk mund të mbash asnjë lloj maske, nuk të fshehin as kostumet që ke veshur. Është shkëmbim energjie, ti i jep energji publikut dhe nëse ti bën sikur i jep energji publikut - nuk është e vërtetë - atëherë ata e kuptojnë se ti nuk po bën asgjë. Në momentet ku mund të ndiesh njëfarë pasigurie për shkak të ndonjë partneri, i cili improvizon dhe gjendesh i papërgatitur përballë këtij improvizimi, sigurisht që të tremb, pasi është kurajë shumë e madhe që të ngjitesh në skenë ku përballë ke 500 spektatorë që të shohin ty. Nëse ti i zhgënjen, është një lloj simbioze që nëse çalon njëri, çalon dhe tjetri dhe duke ditur që përgjegjësia është shumë e madhe, edhe frika është shumë e madhe.

Si e shikon brezin e ri të artistëve? Kanë një frymë te re për artin?
Ju them me bindje që s’duhet ta konsiderojnë asnjëherë veten se vlejnë. Të kenë bindje në vete që vlejnë dhe mos ta konsiderojnë të qenë këtë. Të bërit art në përgjithësi është kthyer në modë dhe jo pasion për artin. Ky është një profesion që lidhet shumë ngushtë me dashurinë, pasionin dhe, nëse këto të dyja nuk ekzistojnë, atëherë është e kotë të flitet se do të ketë shumë mangësi. Merret përsipër të behët një rol dhe sapo materializohet, aktori tërhiqet, apo regjisori tërhiqet dhe nuk do të thotë dashuri për artin pasi nëse diçka ngrihet, duhet ta mbash në jetë atë.

Ka ndonjë pasion të dytë për Armela Demajn?
Pasioni im i dytë janë kafshët, sportet. Por sportet duan dhe kohë për t’i ushtruar dhe ngelen shumë në hije. Pasioni më i madh në jetë për mua janë kafshët. Nuk gjej fjalë për t’i përshkruar se çfarë falin ato. sepse paqja, dashuria që falin dhe ajo që ndiej unë për të nuk mund të marr zë.
Si nis dhe si përfundon një ditë e zakonshme për ju?
Duke lexuar gjithmonë. Në çdo moment kur unë kam kohë të lirë lexoj dhe vetëm lexoj, lexoj drama, poezi, komedi dhe shpeshherë e gjej veten dhe para televizorit duke parë filma.

Çfarë është familja për ju?
Familja për mua është e vetmja pikë mbështetjeje që unë kam. E vetmja siguri që unë kam, e vetmja pikë referimi që kam. Shpeshherë ne ndjehemi të zhgënjyer, të lënduar, të vrarë dhe na vjen që të heqim dorë nga gjithçka. Dhe kjo gjë që mua më mban aq fort është pikërisht familja. Është ajo që kam dhe ajo që do doja të kisha.

Çfarë është dashuria për Armelën?
Dashuria? Për mua është dëshirë për të jetuar.

Kush janë projektet që do të të shfaqin gjatë këtij sezoni në skenën teatrale?
S’e di, ndoshta do të jenë projektet e artistëve të rinj. Një projekt tjetër që pres ta vë në jetë dhe është në bashkëpunim me një ambasadë ku shpresoj të shfaqem si regjisore me një pjesë të realizuar nga unë. Gjatë këtij sezoni do të kem dhe dy shkëmbime eksperiencash jashtë vendit.

15 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›