E Shtunë, 31 Tetor 2026

Selamet për ministrin

Ende pa e shijuar mirë karrigen e ministrit të Shëndetësisë, Bujar Bukoshi punën e parë që do ta bëjë është ballafaqimi me punëtorët shëndetësorë.

Problemin e trashëguar nga ish-ministri Alush Gashi për pagesat për shujtën e mjekëve në vlerë prej 44 eurove, Bukoshi duhet ta zgjidhë brenda dhjetë ditësh.

Duke e parë se kërkesat e tyre nuk i kanë plotësuar në kohën e Alush Gashit, drejtues të Federatës së Sindikatës së Shëndetësisë së Kosovës kanë kërkuar një takim urgjent me ministrin Bukoshi për të gjetur një zgjidhje për 44-euroshin.

Punëtorët shëndetësorë kanë vetëm një kërkesë dhe në rast se kjo nuk u plotësohet, kanë kërcënuar me protesta.

Protesta, sipas Blerim Sylës, kryetar i sindikatës, do të mbahet pikërisht në ditën ndërkombëtare të punëtorëve, më 1 maj.

“Japim një kohë, pak a shumë, të mendimit dhe të veprimit për përmirësimin e gabimeve që kanë ndodhur në kohën e kaluar. I kërkohet ministrit të Shëndetësisë që të zhvillojë një takim me kryeministrin e vendit, ku të vendoset që pagesa prej 44 eurosh të bëhet nga të gjitha komunat që nuk e kanë shlyer këtë borxh”, ka thënë Syla.

Sipas Sylës, pas këtyre takimeve dhe vendimeve, Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës do të formojë grup negociator për takim urgjent me kryeministrin e Qeverisë së Kosovës, ministrin e Shëndetësisë, ministrin e Administratës publike dhe ministrin e Financave.

Ky takim, sipas drejtuesve të FSSHK-së, do të shfrytëzohet për parashikimin e rritjes së pagave të të gjithë punëtorëve shëndetësorë në fazën e rishikimit të buxhetit të vendit, në muajin qershor 2010.

“Në Ministrinë e Shëndetësisë nuk kemi një menaxhim si duhet, atëherë këto kritika le të vlejnë për ministrin e ardhshëm si kritika miqësore dhe të mos lejojë që gjithkush të marrë bajrakun dhe të luajë me institucionet shëndetësore”, thotë Syla.

Sindikalistët kanë kërkuar nga ministri Bujar Bukoshi që të kërkojë nga kryeministri i vendit që pagesa e 44 eurove për të gjithë punëtorët shëndetësorë, nga 1 janari 2010, të bëhet përmes buxhetit të Kosovës dhe që kjo pagesë nga kjo datë të jetë vijë buxhetore e buxhetit të Republikës së Kosovës.

“Në rast se kërkesat e mësipërme nuk përmbushen deri më 30 prill 2010, Federata do të ndërmarrë masa sindikale”, thonë sindikalistët e shëndetësisë.

Kryetari Syla ka kërkuar që si drejtues i sindikatës, të marrë pjesë si palë në komisionet për hartimin e Ligjit të punës, të Pagave, Ligjit për sigurimet shëndetësore, Ligjit për organizimin sindikal dhe Ligjit për grevat.

Në një prononcim për Express, ministri Bujar Bukoshi ka shprehur gatishmëri të takohet me sindikalistët dhe bashkërisht të bisedojnë për të gjitha problemet në shëndetësi.
Bukoshi ka thënë se takimin me sindikalistët do ta realizojë pas kthimit të tij në Kosovë.

”Po, unë si të kthehem do të fillojmë së bashku me sindikatën t’i zgjidhim problemet. Jam i gatshëm të bisedoj edhe me sindikatën dhe me punëtorët shëndetësore, në mënyrë që t’i bisedojmë gjerat bashkë dhe të shikojmë një zgjidhje më të mirë të mundshme në këtë situatë në të cilën gjendemi. Vullneti im është i lartë dhe i fuqishëm që të bashkërisht të zgjidhim problemet”, ka thënë Bukoshi për Express.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›