E Shtunë, 31 Tetor 2026

Katalizatorët e ndotjes

Veturat e stërvjetra të cilat kanë ngarkuar rrugët në çdo qosh të vendit, përpos tollovisë që krijojnë, bëjnë edhe një dëm më të madh. Nga shtëllungat e errëta që lënë si trajektore prapa tyre, ajri edhe ashtu i ndotur i Kosovës bëhet çdoherë e më shumë më i rrezikshëm për natyrën dhe qytetarët.

Në vend llogaritet që janë rreth 350 mijë vetura, ku nga to më shumë dominojnë veturat e vjetra, të cilat krahasuar me ato të rejat, bëjnë lëshim më të madh të substancave kanceroze në ajër.

Kjo gjendje do të vazhdojë edhe më tutje për sa kohë regjistrimi i veturave nuk kushtëzohet me pajisjen e tyre me katalizatorë.

Ekologu Shyqri Dumani thotë se për të ndaluar këtë dukuri është Ministria e Transportit ajo që duhet të fusë në kontroll teknik të automjeteve si prioritet edhe matjen e gazrave në dalje të motorit.

Ai thotë se nëse do të hynte kjo rregullore në fuqi, atëherë asnjë veturë nuk do të mund të qarkullonte në rrugë pa pasur katalizatorin e duhur. Me këtë rast, ajri i Kosovës do të ishte 40 për qind më pak i ndotur.

“Vjetërsia e veturave është qenësore në ndotjen e mjedisit, sepse veturat e vjetra nuk e bëjnë sistemin e plotë të djegies së karburantit. Në momentin kur nuk bëhet djegia e plotë, atëherë kemi gazra toksike më shumë, sidomos monoksid të karbonit, hidrokarbure të ngopura dhe të pangopura dhe të gjitha këto e ndotin ambientin shumë më tepër sesa veturat, të cilat janë të reja, ku djegia është e plotë brenda motorit”, thotë ekologu Dumani.

Ai pohon se analiza e gazrave të veturave që dalin nga motori bëhet në të gjitha shtetet anëtare të BE-së.

“Te ne nuk bëhen analiza të tilla, ani pse të gjitha firmat që kanë licencë për kontroll teknik, e kanë aparaturën e nevojshme”, shton Dumani.

Ndërsa Mehmet Rafuna, pronar i firmës për kontrollim të automjeteve, ‘Opel-Rafuna’, thotë se në firmën e tij ka të gjitha kushtet për të bërë ekotestin e automjeteve, porse sipas tij, kjo gjë nuk i kërkohet të bëhet nga myshterinjtë e tij. Arsyeja e kësaj, sipas tij, është se në Kosovë nuk ka ligje të mirëfillta që rregullojnë çështjen e kontrollimit të automjeteve.

“Në rrugë lëshohen veturat e patestuara fare nëse lëshojnë apo jo gazra të rrezikshme për shëndetin. Kjo do të ndodhë kështu derisa nuk bëhet një ligj i duhur që do të rregullojë këtë çështje”, thotë Rafuna.

Nga rreth 50 vetura që frekuentojnë këtë firmë në ditë, Rafuna thotë se asnjërës prej tyre nuk i ndërrohet katalizatori, i cili kushton prej 500 deri në 1500 euro, varësisht nga cilësia.

“Në rrugët tona enden kerret që diku rreth 40 për qind prej tyre i kanë katalizatorët jofunksionalë dhe nuk i intereson askujt që ta ndërrojnë atë. Asnjë myshteri imi nuk kërkon që ta ndërrojë apo të paktën të shikojë nëse katalizatori i punon si duhet. Në 10 vitet e pasluftës kam pasur vetëm dy myshterinj që kanë ndërruar katalizatorin”, pohon Rafuna.

Në prill të vitit të kaluar, nga matja e cilësisë së ajrit që ishte bërë në Prishtinë, ekspertët nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike kishin lajmëruar se ndotja e ajrit ka kaluar mbi normat e lejuara.

Ata patën paralajmëruar se nëse cilësia e ajrit do të vazhdojë të jetë e tillë, kjo do të shkaktojë pasoja të parikuperueshme mbi shëndetin, e si pasojë edhe uljen e jetëgjatësisë së njerëzve.

Nëse në një shtet të zhvilluar të botës, ndotja e ajrit lejohet të tejkalojë limitet e saj vetëm 18 herë gjatë një viti, në Kosovë kjo ndodh vetëm për tre muaj.

Pas këtyre rezultateve të publikuara, IKSHP-ja pati bërë disa rekomandime për ekzekutivin e vendit. Në mesin e këtyre rekomandimeve ishte kërkuar urgjentisht të përpilohet një plan aksioni për përmirësimin e cilësisë së ajrit dhe të aprovohet me procedura urgjente nga Parlamenti i Kosovës, të bëhet largimi i menjëhershëm i automjeteve të vjetra nga qarkullimi, të pajisen të gjitha automjetet me katalizatorë dhe të aplikohet një taksë komunale për të gjitha automjetet që futen në kryeqytet.

Edhe tani, një vit më vonë, qeveritarët nuk kanë bërë asgjë në këtë drejtim.

Muhamet Gashi, zëdhënës i Komunës së Prishtinës, thotë se deri më tani nuk është bërë ndonjë gjë në aplikimin e taksave të tilla dhe se kjo nuk është në kompetencë të Komunës, por të ministrive përkatëse.

“Nuk është diskutuar diçka konkretisht për vënien e taksave ndaj automjeteve që hyjnë në kryeqytet, mirëpo për të ardhmen ka plane për aplikimin e një gjëje të tillë, sepse ruhet edhe ambienti. Mirëpo, ne presim që së pari të rregullohet kjo me ndonjë ligj dhe më pas ministria përkatëse të na e sjellë rregulloren, të cilën ne do ta zbatojmë”, thotë zëdhënësi Gashi.

Industria moderne e automjeteve, në pjesën e motorit që fryn, instalon një katalizator, i cili e përfundon procesin e djegies së benzinës dhe mundëson që në natyrë të nxirren kryesisht derivatet e parrezikshme të djegies.

Ligji për mbrojtjen e mjedisit
Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në vitin 2004 ka aprovuar Ligjin për mbrojtjen e mjedisit, ku vendosi bazat për zhvillimin, adaptimin dhe zbatimin e programeve për përmirësimin e cilësisë së ajrit. Në pikën 3 të nenit 28 të këtij ligji thuhet se subjektet që disponojnë me burim të ndotjes së ajrit, janë të obliguara që me masa tekniko-teknologjike dhe me masa të tjera të sigurojnë që shkarkimet dhe shpërndarjet në ajër të jenë në kufi të vlerave të përkufizuara dhe të përcaktuara me ligj dhe akte të tjera.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›