E Diel, 1 Nëntor 2026

Armiku i shtypit

Ndoshta për shkak të pesimizmit të moshës së thyer, ndoshta për shkak të luciditetit që mosha bart me vete, por ndjej njëfarë hezitimi, përzier me skepticizëm, të ndërhyj, me ftesën e redaksisë, në mbrojtje të lirisë së shtypit. Dua të them: kur dikush duhet të ndërhyjë në mbrojtje të lirisë së shtypit, do të thotë se shoqëria, e me të një pjesë e madhe e shtypit, është tashmë e sëmurë. Në demokracitë, që do t‘i definojmë ‘të forta‘, nuk ka nevojë të mbrohet liria e shtypit, ngase askujt s‘i shkon në mendje ta limitojë atë.

Kjo, pra, është arsyeja e parë e skepticizmit tim, nga ku vjen pasoja. Problemi italian nuk është Berlusconi. Historia (do të doja të them që nga Catilina) ka qenë plot me njerëz aventurierë, jo pa karizmë, me një sens të mangët për shtetin, por me një sens shumë të lartë për interesat e veta, të cilët kanë dashur të ndërtojnë një pushtet personal, duke shkelur mbi Parlamentin, gjykatat dhe Kushtetutat, duke u shpërndarë favore oborrtarëve të tyre dhe (shpesh) oborrtareve të tyre, duke e identifikuar kënaqësinë e vet me interesin e komunitetit.

Këta njerëz nuk e kanë arritur gjithmonë pushtetin që aspironin, sepse nuk ua ka lejuar shoqëria. Kur shoqëria ua ka lejuar, pse të inatosemi me këta njerëz e jo me shoqërinë, që i ka lënë të lirë të bëjnë çfarë të duan? Do ta kujtoj gjithmonë një histori që e rrëfente nëna ime, e cila, njëzet vjeçe, kishte gjetur një punë të mirë si sekretare dhe daktilografe te një liberal i përndritur - po pra, po them liberal. Ditën pas hipjes së Mussolini-t në pushtet, ky njeri kishte thënë: "Po tekefundit, me këtë gjendje ku ndodhet Italia, bën vaki ky Njeri do të gjejë mënyrën të vendosë pak rend". Ja pra, nuk e ka instauruar fashizmin energjia e Mussolini-t (rast dhe pretekst), por falja dhe relaksimi i këtij liberali të përndritur (përfaqësues shembullor i një vendi në krizë).

Prandaj, është e kotë të inatosemi me Berlusconi-n që bën, të themi kështu, zanatin e vet. Është shumica e italianëve që ka pranuar konfliktin e interesave, që pranon keqpërdorimet, e që tani, do ta pranonte në mënyrë fare të qetë - sikur Presidenti i Republikës të mos i kishte ngrehur vetullat lart - frenat që i janë vënë (tani për tani në mënyrë eksperimentale) shtypit. I njëjti komb do ta pranonte pa u mëdyshur, bile me njëfarë bashkëfajësie dashakeqe, që Berlusconi të shkojë me velinat, nëse tani nuk do të ndërhynte për ta trazuar ndërgjegjen publike një censurë e matur e Kishës - që megjithatë shumë shpejt do të tejkalohet - ngase prej kohësh ndodh që italianët dhe të krishterët e mirë në përgjithësi, të shkojnë pas kurvave edhe pse prifti thotë se nuk do të duhej të shkonin. Atëherë, pse t‘u kushtohet këtyre ‘alarmeve‘ një numër i ‘L‘espresso‘, po qe se e dimë se kjo revistë do të shkojë tek ata, që tashmë janë të bindur për këto rreziqe të demokracisë, por nuk do të lexohet kurrë nga ata që janë të gatshëm t‘i pranojnë, vetëm e vetëm që të mos u mungojë kuota e tyre e Vëllait të Madh - dhe për shumë ngjarje politiko-seksuale tekefundit di shumë pak, sepse një informacion në një pjesë të mirë nën kontroll as që i thotë gjë?

Po de, pse të bëhet kjo gjë? Arsyeja është fare e thjeshtë. Më 1931, fashizmi ua kishte imponuar profesorëve universitarë, që ishin atëherë 1200, një betim besnikërie ndaj regjimit. 12 (një për qind) refuzuan dhe e humbën vendin e punës. Disa thonë 14, por kjo na e konfirmon se sa kishte kaluar i pavërejtur ky fenomen në atë kohë, duke lënë shumë pak gjumë në kujtesë. Shumë të tjerë, që pastaj do të bëheshin personazhe eminentë të antifashizmit të pasluftës, të këshilluar madje edhe nga Palmiro Togliatti apo nga Benedetto Croce, u betuan, në mënyrë që të mund të vazhdonin t‘i përhapnin mësimet e tyre. Ndoshta ata 1188 që mbetën kishin të drejtë, për arsye të ndryshme dhe që të gjitha të ndershme. Megjithatë, ata 12 që kanë thënë jo, e shpëtuan nderin e Universitetit dhe përfundimisht nderin e vendit. Ja, pse shpeshherë duhet thënë jo edhe pse, thënë në mënyrë pesimiste, dihet se nuk do të hyjë në punë për asgjë. Por të paktën, një ditë mund të thuhet se është thënë ajo "jo".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›