E Diel, 1 Nëntor 2026

Armiqësia mes Asanzh dhe “The Guardian”

Dikur ata ishin një "dream team" - skuadër ideale: platforma e zbulimeve WikiLeaks dhe gazeta e njohur për gazetarinë investigative. Por zënka për fajin pas avarisë me kabllogramet konfirmon edhe një herë çarjen e thellë mes WikiLeaks dhe Guardian, shkruan “Deutsche Welle”.

Është një dramë me tre akte: në nëntor të vitit të kaluar Xhulian Asanzh i vuri në dispozicion 251 000 kabllograme diplomatike gazetës “The Guardian”, të cilat dyshohet se WikiLeaks i kishte marrë nga ushtari amerikan Bradley Manning. Sipas perceptimit të Asanzhit-it gazeta në mënyrë të pajustifikuar ka menduar se mund të bënte çfarë të donte me dokumentet me përmbajtje delikate.

Zanafilla e zënkës

“Në 1 nëntor filloi zënka juridike me ‘ the Guardian’, e cila ia kishte përcjellë të gjithë bazën e të dhënave të kabllogrameve gazetës ‘New York Times’, megjithëse me shkrim ishte rënë dakord se dokumentet duhej t'i merrte gazeta ‘Washington Post’.“

Për këtë Asanzh bën përgjegjës drejtuesin e seksionit të hulumtimeve investigative në ‘the Guardian’, David Leigh.

“Që atëherë ne nuk kemi folur më me z. Leigh.“ - thotë Asanzh.
Vetë Leigh e konfirmon zënkën:  “Ai (Asanzh) ishte i inatosur, pasi ne donim të përfshinim ‘New York Times’. Ai ishte i zemëruar, pasi gazeta kishte bërë një portret tejet negativ për të, çka ishte e vërtetë.“
Akuza të ndërsjellta

Akti i dytë: në dhjetor të vitit të kaluar Asanzh u zemërua me ‘The Guardian’, pasi gazeta kishte botuar material konfidencial të hetuesve suedezë kundër Asanzh-it, në lidhje me akuzat për përdhunim. Shefi i platformës së zbulimeve, thotë: “Akuza në Suedi në një farë mënyrë ka arritur t'i kalojë shtypit pjesë nga dosjet e saj të hetimeve.“

Akuza: WikiLeaks nuk arrin të fshehë identitetin e informantëve

Akti i tretë: në shkurt të këtij viti u publikua biografia e Asanzh nga David Leigh. Në të përmendet edhe fjalëkalimi, që A Asanzh kishte krijuar për kabllogramet e paredaktuara. Sot WikiLeaks thotë se është faji i “The Guardian” që të dhënat qarkullojnë tani në internet. Gazeta kundërpërgjigjet: libri është në treg prej shtatë muajsh, kohë e mjaftueshme për të ndryshuar fjalëkalimin. Veç kësaj Asanzh kishte thënë se bëhej fjalë për një fjalëkalim të përkohshëm. Në të vërtetë varianti, që qarkullon tani, nuk vjen nga vetë WikiLeaks, por nga një server i rrjetit BitTorrent. Sulmi ndaj Guardian tregon, se sa të nervozuar janë tek platforma e zbulimeve, thotë David Leigh:

“WikiLeaks dhe xhulian ishin dikur një trupë sekrete piratësh interneti. Tani ata kanë famë botërore.“
Për reputacionin e WikiLeaks avaria me kabllogramet është një katastrofë, pasi duket se organizata nuk mund të ofrojë asnjë mbrojtje të besueshme për informantët. Ndërsa për gazetën “The Guardian” katastrofa me të dhënat sekrete nga WikiLeaks është burim për një tjetër artikull të mirë mbi Asanzh./Start/

                                                                                             2011-09-02 11:11
   

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›