Armstrong e ringjalli Tour de France

Viti 2009 në çiklizëm shënoi rikthimin e amerikanit Lance Armstrong, i cili, pasi fitoi betejën me kancerin, arriti të triumfojë rekord shtatë herë në Tour de France dhe u bë hero te pacientet e kancerit dhe ngriti çiklizmin në një shkallë të lartë në Amerikë.
Ai ishte pensionuar më 24 korrik 2005, pasi fitoi për herë të shtatë rresht në Tour de France. Por, pas një pauze trevjeçare më 9 shtator 2008 Armstrong njoftoi se do të kthehet të garojë më 2009 me objektivin e tij kryesor të fitojë titullin e tetë në Tour de France. Ai arriti marrëveshje me ekipin Astana. Rikthimi i tij i dha një përkrahje të fuqishme sportit të çiklizmit e sidomos garës më prestigjioze Tour de France, që kishte pësuar nga skandalet e dopingut në vitet e fundit. Armstrong, 38 vjeç, nuk ishte në formën e tij të kaluar, por prapë ishte konkurrent dhe arriti të përfundojë në podium.
Ai ishte i treti me 5 minuta e 24 sekonda prapa fituesit, kolegut të tij ngas Astana, Alberto Contador. Më 21 korrik 2009, Armstrong konfirmoi se do të garojë në Tour de France 2010. Ai do të jetë pjesë e ekipit amerikan RadioShack.