E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrat e shegat nuk mbillen në Sheraton

Share

Çdo mëngjes, rreth orës 9 e gjysëm, nëse kontrolloni kanalet informative, do të shikoni të njëjtën fytyrë. Kryeministri Sali Berisha përpara një mikrofoni në një nga sallat e hoteleve luksoze të Tiranës. Një ditë flet për ujin, një ditë tjetër për teknologjinë dixhitale, sot po fliste për arrorët e shegat. Televizionet fiksojnë kameran dhe për minuta e minuta të tëra Berisha flet. Thotë të njëjtat gjëra si në mbledhjen e grupit parlamentar, si në mbledhjen e qeverisë, si në takimet në Librazhd. Vetëm se në këtë rast harxhohen mijëra euro për të prenotuar salla luksoze për të dëgjuar fshatari i shkretë, që mezi nxjerr bukën e gojës. Ndërkohë Shqipëria vazhdon të importojë thuajse gjithçka konsumon, në shifra të frikshme.

Një krahasim i shifrave zyrtare të Ministrisë së Bujqësisë nxjerr në pah hendekun e tmerrshëm. Kështu, në vitin 2010 Shqipëria ka importuar 41 500 ton miell. Pra, pjesa më e madhe e kërkesës vendase për miell plotësohet nga importi. Vlen për tu theksuar shifra tejet e ulët e miellit që Shqipëria eksporton, vetëm 11 ton në vit.

Për sa i përket vajit, e gjithë sasia që konsumohet vjen nga importi. Gjatë 2010, Shqipëria ka importuar 44 200 ton vaj vegjetal duke i paguar vendeve të tilla si Ukraina dhe Maqedonia që janë eksportuesit më të mëdhenj për vendin, 4.2 miliardë lekë.

Për sa i parket qumështit, raporti prodhim vendas/import është një me tetë. Sipas MBUMK-së, Shqipëria prodhon 1 070 ton qumësht në vit, ndërsa importon rreth 8 320 ton, me vlerë 890 milionë lekë. Rreth 30 % e qumështit të prodhuar, konsumohet nga vetë bujqit, 51 për qind shitet dhe 19 për qind përpunohet në fermë duke prodhuar qumështin e paketuar që blihet nëpër markete.

PS: Pas këtij takimi i hipën sërish makinës së blinduar, vesh jelekun e niset për në Librazhd. Siç tregojnë pamjet e ofruara nga Fiks Fare, ai ka qenë katër herë për të përuruar rrugën Librazhd- Fushë Studen dhe sërish ajo nuk ka mbaruar. Ka qenë në vitin 2008, 2009, 2010 ishte dhe tani në vitin 2011, vetëm pak ditë më parë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›