E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrati prej mafies; Autori i zbulimit të “Camorra”-s largohet nga Italia

Në provincat italiane, Napoli dhe Kaserta, vetëm një pakicë e privilegjuar ka mundësinë të ketë një "jetë normale". Në këto rajone qeveris “Camorra”, mafia. Autori i ri italian Roberto Saviano vjen nga këto zona dhe ka botuar librin me titull "Gomorrha", ku përshkruhet jeta dhe mafia në këto provinca. Jam kthyer në të burgosurin e suksesit të librit tim, thotë Roberto Saviano. Autori që zbulon “Camorra”-n përmes titullit më se të qartë “Gomorrha” dëshiron të ketë sërish një jetë normale në qytezën e tij thuajse të harruar nga Zoti, Casal di Principe: ai do të dashurojë të shkojë të pijë një birrë, sepse është vetëm 28 vjeç.

Jeta e izoluar e Savianos

Dy vitet e fundit ai ka pasur dy karabinierë që e mbronin 24 orë. Jam bërë shok me ta, tregonte i gëzuar Saviano verën e vitit 2007. Por tani ai nuk duron dot më, çdo ditë shtron pyetjen përse duhej ta bëja këtë, kështu është shprehur ai për gazetën "La Republika". Të martën u bë e ditur se një “camorrist”, i cili bashkëpunon me policinë, ka treguar mbi planet konkrete të mafies napolitane për të vrarë Savianon. Tani Saviano ka nevojë të shkëputet nga Italia. Pasioni dhe kënaqësia për suksesin, tashmë kanë shteruar: “E para që sakrifikon janë marrëdhëniet ndërnjerëzore. Në këtë drejtim Italia është një vend i veçantë. Por suksesi i librit tim do të thotë për mua, që njerëzit, lexuesit, nuk duan më vetëm bestseller-at e zakonshëm, që përfundojnë në listën e më të mirëve, por ato duan të kuptojnë vërtetë, duan të kenë një libër, që është si një vegël”.

Rreziku që vjen pas përzgjedhjes së të mirës

Saviano nuk është i vetmi shkrimtar apo gazetar në Itali, që jeton nën mbrojtjen e policisë. Por ai është tani për tani më i suksesshmi. Ky sukses, ky prestigj që korri libri tashmë i filmuar dhe i propozuar për “Oscar”, e shqetëson “Camorra”-n. Asgjë nuk është më e dëmshme për bizneset e shoqërisë së nderit, se sa përpjekja për ta nxjerrë atë në vëmendjen publike. Kjo e vështirëson presionin ndaj drejtësisë, ndaj legjislativit dhe organeve të sigurisë. Roberto Saviano: “Mafia është mjaft e vëmendshme. Më e fortë nga sa besojnë intelektualët, që gjithmonë e nënvleftësojnë atë. Jo, krimi i organizuar i njeh mekanizmat e shoqërisë së informacionit më mirë se kushdo tjetër. Sepse ai konfrontohet vazhdimisht me këtë”.

Castelvolturno, një zonë në Napoli, të cilën sipas Savianos, “Camorra” ia ka lënë në dispozicion mafies nigeriane dhe ku sot janë dislokuar ushtarë të njësive speciale, ka të bëjë jo vetëm me vrasjen e gjashtë afrikanëve me ngjyrë përpara disa javësh, por edhe faktin, që e gjithë Italia sot është sensibilizuar ndaj temës “Camorra”. Kjo edhe falë Savianos. Historia e jetës së tij është një përzgjedhje mes së mirës dhe së keqes, sado banale që të tingëllojë. Ai mund të kish përfunduar edhe si avokat i një bosi nga vendlindja e tij “Casal di Principe”. Por babai i tij, mjek urgjence, e kish sqaruar për disa gjëra. Përkundër ligjeve të pashkruara, që një njeri i vrarë prej mafies lihet në rrugë, duke u përgjakur, në mënyrë që vrasësi në kohën e kryerjes së aksionit të mos i sulet edhe ambulancës e të qëllojë sërish, babai i tij ia ka dalë të ndihmojë të plagosurit dhe t’i çojë ata në spital. Ai ka bërë detyrën e tij. Po kështu edhe Saviano ka mësuar. Atë madje një herë në administratën e Napolit e kanë sharë si ndotës të folesë. Gjatë pjesëmarrjes në një debat në podium në “Casal di Principe” atij iu desh të dëgjojë prej një bosi, që i tha: ti je histerik, nuk ka “Camorra”.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›