24 tetor; Krenar Ahmeti do gjykohet për kryerje të veprimeve arbitrare
Shefi i Qarkullimit Rrugor Tiranë, Krenar Ahmeti, së shpejti do të përballet me togat e zeza të Gjykatës së Tiranës. Data 24 e këtij muaji do të jetë edhe seanca e parë gjyqësore që do të zhvillojë gjykatësi i zgjedhur nëpërmjet shortit elektronik, Martin Deda, ku Ahmeti është i pandehur. Sipas hetimeve të kryera nga Prokuroria e Tiranës, ai akuzohet për veprën penale të “kryerjes së veprimeve arbitrare” dy herë. Prokuroria në dosjen e dërguar Gjykatës së Tiranës, sqaron se i pandehuri ka ndaluar në mënyrë të padrejtë dhe ka shoqëruar prokuroren Elisabeta Ymeri (Bajri), si dhe një qytetari nga Durrësi. Sipas prokurorisë, në dëshmitë e dhëna përpara organit të akuzës nga qytetarë të ndryshëm, të cilët kanë denoncuar shefin e Qarkullimit Rrugor Tiranë, bëhej me dije se ai i kishte fyer dhe i kishte ndaluar në mënyrë çnjerëzore, duke i tërhequr nga krahu dhe duke i marrë mjetin me të cilin udhëtonin pa të drejtë. Krenar Ahmeti u denoncua në prokurori në muajin qershor nga prokurorja e Krimeve të Rënda, Elisabeta Bajri, si dhe nga bashkëshorti i saj, avokati Agron Bajri.