“Arratisja e Ramës nga Tirana në Vlorë, sepse ‘qejfi ia ka, por nuk ia mban’”
Kryeministri flet për aleatët dhe kandidimin në listat e PD-së, të tre deputetëve të opozitës
I pyetur mbi pozicionimin e kandidaturës së tij në listat e PD-së, Kryeministri Sali Berisha u shpreh se ka një rregull në historikun elektoral dhe ky rregull është se kryetari mban flamurin e partisë së tij. “Në betejë nuk i jam shmangur kurrë kësaj dhe nuk i shmangem. Ka një rregull në historikun elektoral. Ju rrëfej një telenovelë të Kazanzaqis, ai mban flamurin e partisë së tij në betejë. Nuk i jam shmangur unë kurrë kësaj, dhe as nuk i jam shmangur”, tha Berisha.
Ndërkohë, duke ju referuara shmangies së mundshëm të kandidimit të Edi Ramës, nga Tirana në Vlorë, ai deklaroi se në kampin tjetër politik vihet re se ka filluar fobia e listave. “Edi Rama nuk ka hyrë kurrë më parë në listat e kandidimeve. Edhe tani qejfi ia ka, por nuk ia mban. Megjithatë unë uroj që ai të jetë në këto lista, sepse nuk është shumë bindëse një opozitë që nuk ka kryetarin e saj anëtar të parlamentit. Unë e kam vuajtur mungesën e kryetarit të opozitës në parlament ndaj uroj që mandatin e ri, Edi Rama të jetë në parlament, pasi duhet që opozita ta ketë kryetarin në parlament”, tha Berisha.
Gjithashtu Kryeministri Sali Berisha konfirmoi të enjten se tre deputetët socialistë, të cilët me qëndrimin e tyre të përgjithshëm bënë të dështojë plani i Kreut të PS-së Edi Rama për të marrë pushtetin përmes aleancës me LSI-në, do të jenë në listat e PD-së për zgjedhjet e 23 qershorit.
Gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët, Kryeministri Berisha theksoi se listat e kandidatëve të PD-së do të bëhen publike në momentin e duhur, ndërsa konfirmoi se deputetët socialistë Gjovalin Kadeli, Asllan Dogjani dhe Kastriot Islami do të përfshihen në këto lista. “Ne në këto zgjedhje shkojmë si koalicioni më i gjerë në tërë historinë tonë politike. Ne shkojmë shumë të sigurt drejt fitores me këtë koalicion, që ka përfshirë gjithë spektrin e qendrës dhe të djathtës shqiptare, një spektër kaq i gjerë, real dhe jofiktiv”, tha Berisha.
Sipas tij, “ky koalicion u bashkua me qëllimin e vetëm, procesin e integrimit të Shqipërisë në BE. Ky koalicion nuk bën pazare me vokacionin perëndimor të shtetit shqiptar, por e ka atë çështje themelore të programit të tij. Në tërë historinë e këtij kombi, agresionin më të rëndë vokacionit perëndimor ia ka bërë e majta shqiptare, e cila ka 21 vjet që nuk ka firmosur kurrë një dokument të vetëm, akt themelor integrues të vendit”, tha Berisha.
Lidhur me marrëdhënien me aleatët, Berisha siguroi se ata do të trajtohen në përputhje të plotë me marrëveshjen e arritur. “Ata që kanë bërë negociata kanë pasur mandatin e plotë të udhëheqjes politike të PD-së ndaj dhe këto zgjedhje jemi të vendosur ti fitojmë me koalicionin tonë, ndonëse vetë PD është forca kryesore politike e vendit”, tha Berisha.
I pyetur lidhur me raportet që ka me LSI-në që pas largimit nga koalicioni qeverisës, Kryeministri tha se “e konsideroj si udhëheqës të një partie opozitare. Tani marrëdhëniet e mia me kryetarin e LSI janë marrëdhëniet e një kryeministri me opozitën. I tmerruar nga terrori opozitar, Rama mendoi se do shtojë shanset duke marrë një pjesë të qeverisë”.
I pyetur sesa e dëmton FRD në këto zgjedhje, PD-në, Berisha u përgjigj se “si mund të më dëmtojë mua. Ai nuk më dëmtoi dot mua kur ishte president dhe votoi për Edi Ramën. Zotëria është krijesë e një inkubatori që detyroi të votojë për Edi Ramën. Si i thotë ai, ‘Fjala është gracka ku shpirti i mbretit kapet si laraska’, poezi e Nolit. Kutia e votimit ishte gracka ku shpirti i presidentit u kap si laraska’, them unë. Pra problemi i kutisë, kudo që shkoi, i shkoi mbrapa atij””, u shpreh Kryeministri Berisha.