“Qeveria, gati për votimin on-line, Rama fobi nga vota e emigrantëve”
Shefi i mazhorancës Sali Berisha ripërsërit apelin e tij nga mbledhja e përjavshme e Këshillit të Ministrave
Kryeministri Sali Berisha ka ripërsëritur dje nga mbledhja e përjavshme e qeverisë ftesën e tij në adresë të kreut të opozitës Edi Rama për të mos u mohuar emigrantëve të drejtën e votës. Teksa tha se qeveria është e gatshme te mundësojë votimin on-line apo çdo formë tjetër që do të mbështesë opozita, kreu i ekzekutivit tha se votimi i emigranteve po bllokohet nga kryetari i Partisë Socialiste pasi ka frike nga vota e tyre. “Mosvotimi i emigrantëve shqiptarë nuk ka asnjë shkak tjetër të vetëm, përveçse fobinë që ka kryetari i opozitës ndaj votës së tyre. Qeveria ka qenë dhe është aktualisht e gatshme t’ju krijojë atyre mundësinë e votimit on-line ose në çdo formë që të pranojë opozita, me qëllim që këtë detyrim që e përmbushin vendet më të zhvilluara të Europës, ta përmbushë edhe Shqipëria. Ne jemi të gatshëm të mobilizojmë çdo fond, të përshtatim çdo teknologji të lartë që ekziston, në mënyrë që vota e çdo qytetari të ketë forcën që meriton”, vuri në dukje Berisha.
Për kreun e qeverisë muri i bllokimit i ngritur nga kryesocialisti Rama është në vazhdën e mohimit që opozita i bëri edhe votimit të 16-vjeçarëve. “Por mjerisht kjo nuk pranohet nga opozita, siç nuk u pranua votimi i 16-vjeçarëve. Nëse do kishte një komb që i takonte tua hapte dyert e votimit 16 vjeçarëve do ishte kombi shqiptar. Por nuk ndodhi dhe kjo është e dhimbshme. Për ti shpallur krah pune e bëjnë, e kemi me ligj, por për të njohur votën nuk e bëjnë. Ata mund të paguajnë sigurimet shoqërore, mund të paguajnë taksa por votat nuk ua lejojnë. Në serinë e bllokimeve të panumërta uroj që këto të jenë të fundit. 23 qershori është moment i veçantë, për të hapur dyert, për të shembur murin, dhe kjo sipas tij do të ndodhë”, deklaroi Kryeministri.
Sipas tij, çdo “like” në “Facebook” shihet si gogol nga opozita.“‘Like’-t në ‘Facebook’-un tim janë bërë një lloj gogoli që e tremb opozitën nga vota e 16 vjeçarëve. Gjë e cila mund të jetë shumë kundër-produktive për opozitën, sepse duke i penguar ata s’mund të pengosh prindërit e tyre, vëllezërit dhe motrat e tyre më të mëdhenj. Edhe ata s’janë dakord që 16 vjeçarët të mos votojnë. Është një moshë maturimi politik, s’mund t’ua mohojmë votimin. Për t’i shpallur krah pune e bëjmë, por për t’u njohur të drejtën e votës nuk ua njohim. Ata mund të punësohen, të paguajnë taksat dhe mos të kenë të drejtën e votës, çka është një diskriminim total, në mënyrë të padiskutueshme”, u shpreh Berisha.
Në mbledhjen e përjavshme të ekzekutivit, kryeministri u ndal dhe te kompensimi që qeveria i jep kategorisë së para dhe tetraplegjikëve për faturën e energjisë elektrike dhe atë të telefonisë celulare. Kryeministri Sali Berisha, duke iu përgjigjur pyetjeve të qytetarëve, rikujtoi sot se cilat janë kompensimet e parashikuara nga qeveria për paraplegjikët, tetraplegjikët dhe të verbrit për energjinë elektrike dhe telefoninë.
Duke folur gjatë mbledhjes së Këshillit të Ministrave, Kryeministri Berisha u shpreh se “Qeveria paguan një faturë që shkon në 5 milionë dollarë në vit vetëm për energjinë elektrike dhe celulare. Dhe në rast se konsumi 24 orë i energjisë nxjerr se shuma prej 180 lekësh është shumë që shpenzohet mesatarisht për dritat nga kjo kategori qeveria nuk jep 180 lekë, por jep 200 në muaj. Dhe po kështu operohet për telefoninë. Nëse është faktuar se konsumi mesatar është 700 lekë në muaj ne japim 1000 lekë në muaj dhe në total nga buxheti i shtetit shpenzohen në muaj 41.4 milionë lekë. Në 12 muaj shpenzohen rreth 500 milionë lekë, pra rreth 5 milionë dollarë. Ky është subvencionimi dhe qytetari duhet ta dijë se ne i qëndrojmë plotësisht dhe do t’i qëndrojmë”.