“Presim një proces elektoral konkurrues”
Sekretari i Përgjithshëm i OSBE, Lamberto Zannier
OSBE shpreh shqetësimin për klimën e vështirë elektorale që ekziston në Shqipëri, për zgjedhjet e 23 qershorit, duke konfirmuar se për zgjedhjet, OSBE do të dërgojë një mision më të gjerë të vëzhguesve të saj. Sekretari i përgjithshëm i saj, Lamberto Zannier, shprehet se organizata është gati të dërgojë në Tiranë “misionin më të gjerë të vëzhguesve. Po ndjekim me shqetësim sinjalet në rritje të një dialektike politike konfliktuale, dhe presim një proces elektoral konkurrues në një klimë jo të lehtë”, ka thënë Zannier për agjencinë italiane të lajmeve, ANSA.
Për OSBE ekziston shqetësimi se zhvillimet në Shqipëri mund të minojnë stabilitetin në rajon. “Ne shpresojmë që të mos ketë hije të nacionalizmit të tepruar që mund të sjellin elemente të paqëndrueshme në rajon”, theksoi ai. Zannier thekson se OSBE ka investuar shumë në Shqipëri dhe nuk mund të tërhiqet nga anulimi i investimeve të tilla.