E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arratisja e Çakrrit, Alibeaj: Të burgosurit të mos penalizohen

Arratisja nga burgu e
dëshmitarit të vrasjes
së Azem Hajdarit ka
sjellë gjatë ditës së
djeshme reagimin e drejtorit të
Përgjithshëm të Burgjeve dhe të
Ministrit të Drejtësisë, të cilët kanë
dënuar këtë akt dhe kanë shprehur
bindjen për verifikimin e plotë
të ngjarjes. Gjithashtu, të dy këta
persona janë shprehur se kjo nuk
do të sjellë një dënim kolektiv për
të burgosurit e tjerë, por do të
forcojë procedurat për dhënien e
lejeve për ta. Po gjatë ditës së
djeshme, Ministria e Brendshme
shpall në kërkim Petrit Çakrrin, të
burgosurin i cili dje nuk u kthye në
qeli nga leja njëjavore. I pyetur
nga gazetarët, drejtori i Përgjithshëm
i Burgjeve, Gazmend Dibra,
është përpjekur të shfajësojë institucionin
që ai drejton, duke u
shprehur se me këtë arratisje,
Çakrri kishte marrë përsipër një
"aventurë". Gazmend Dibra ishte
dje i pranishëm në projektin për
Projektimin e Burgjeve të Reja dhe
Qendrave të Paraburgimit në Shqipëri.
Por, veç Dibrajt ka reaguar
edhe ministri i Drejtësisë, Enkelejd
Alibeaj, i cili ka deklaruar se arratisja
e tij nuk do të penalizojë për
leje të burgosurit e tjerë. Por, ende
mbetet enigmë sesi i është dhënë
leje atij, i cili shpesh herë kishte
deklaruar se dënimi i tij ishte i
paligjshëm. "Procedurat e lejes
janë dhënë konform ligjit dhe në
bazë të sjelljes së të burgosurit, e
cila ka qenë e rregullt", shpjegoi
drejtori i Burgjeve, Gazmend Dibra.
Më tej, drejtori i Përgjithshëm
i Burgjeve tha se Çakrri mesa
duket nuk e ka inatin me burgjet,
por me drejtësinë, konkretisht
gjykatën që ka dhënë dënimin
ndaj tij. Dibra u shpreh se nga verifikimet
e kryera atij i është dhënë
leje konform ligjit, pasi ka pasur
një sjellje të mirë. Sipas tij, Petrit
Çakrrit i kishin mbetur edhe 1 vit e
2 muaj burg. Megjithatë, hetimi
për këtë çështje vazhdon, nëse
është bërë ndonjë shkelje. Gjithashtu,
Dibra shtoi se që nga momenti
që Çakrri, dëshmitari kyç i
vrasjes së Azem Hajdarit, nuk është
kthyer në qeli, është njoftuar
Ministria e Brendshme. Nga ana e
saj, kjo e fundit është shprehur se
ai është shpallur person në kërkim
për veprën penale të largimit nga
vendi i vuajtjes së dënimit.
Mesditën e 15 janarit, Petrit
Çakrri kishte lënë Burgun e Shën
Kollit në Lezhë për të shkuar pranë
familjes, falë një leje shpërblyese
të përfituar për shkak të sjelljes së
tij të mirë dhe kohës së paktë që i
kishte mbetur për të përfunduar
dënimin. Dita e enjte ishte afati i
fundit që ai duhej të kthehej në
qeli, por ai nuk është kthyer, duke
vendosur të arratisej. Në lidhje me
këtë, Dibra tha se arratisja e të
burgosurit sigurisht që do të shtrëngonte
disa hallka për sa i përket
dhënies së lejeve të të dënuarve.
Ndërsa ministri i Drejtësisë
ka qenë dakord me këtë mendim,
gjatë një takimi për nënshkrimin
e disa marrëveshjeve, ai ka shtuar
se ndodh ndonjëherë që lejet
që jepen nga burgjet nuk respektohen
nga të dënuarit. Petrit
Çakrri ishte dënuar me 10 vjet
burg për akuzën e vjedhjes me
armë, armëmbajtje pa leje, si dhe
mashtrim. Një javë më parë, Petrit
Çakrri është ankuar në zyrën e
Avokatit të Popullit rreth akuzave
që rëndojnë mbi të. Gjatë taki-
meve me inspektorët e Dobjanit,
ai ka deklaruar se mbahet padrejtësisht
në burg dhe e ka
mbaruar dënimin në datën 3 dhjetor
2008. Sipas tyre, Çakrri është
paraqitur ditën e premte, në datën
16 janar 2009, dhe ka takuar disa
komisionarë të Dobjanit. Por, ajo
çka mësohet nga njerëz të afërt të
Çakrrit, por edhe nga banorë të
Kamzës në Tiranë, 38-vjeçari ka
bërë të gjitha përpjekjet që të fitojë
lirinë në rrugë ligjore. Fillimisht
është paraqitur pranë zyrës
së Avokatit të Popullit, ku ka bërë
ankim, më pas është drejtuar në
Gjykatën e Tiranës, ku ka bërë një
kërkesë për shuarje të masës së
arrestit dhe në fund ka shkuar në
Gjykatën e Apelit, ku do të pyeste
për seancën e radhës. Por në të tria
institucionet nuk ka marrë
përgjigje, duke vendosur që të largohet
nga Burgu i Shën Kollit dhe
të arratiset. Madje, ai deklaruar
për mediat se do të fshihej ku të
kishte mundësi, pasi shteti i tij e
kishte dënuar gabimisht.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›