Arratisje mbi rrota

DURRËS - Ekipi i çiklistëve “Teuta” është paraqitur me dy çiklistë më pak në turneun që po zhvillohet në Brindisi të Italisë, për shkak se dy pjesëtarë të skuadrës janë larguar në drejtim të paditur, duke u “arratisur” si klandestinë. Dy çiklistët, B. Zeneli, 21 vjeç dhe E. Hoxha, 18 vjeç, pjesë e skuadrës “Teuta”, të cilët udhëtuan drejt Brindisit, së bashku me trajnerin e tyre për të marrë pjesë në një turne çiklistik, kanë braktisur papritur grupin, pa u bërë të ditur qëllimin e tyre drejtuesve të skuadrës. Mësohet se dy çiklistët e rinj të kenë motiv qëndrimin e tyre si emigrantë të paligjshëm në Itali. Burime që nuk pranuan të identifikohen bënë me dije për gazetën, se në momentin që çiklistët janë larguar nga pjesa tjetër e skuadrës, kanë kërkuar pasaportat e tyre të hyrjes në Itali, me pretekstin se u duheshin për të shkuar në bankë për të tërhequr para nga një llogari që kishin hapur të afërmit e tyre në Itali. Kjo gjë duket se bindi drejtuesit e skuadrës që shoqëronin çiklistët në Itali, për t’u dhënë atyre pasaportat. Personat përgjegjës dhe ata që shoqërojnë skuadrën e çiklizmit bënë denoncimin përkatës në policinë lokale italiane për vonesën e dy çiklistëve, të cilët tashmë ishin larguar në drejtim të paditur, për të mos u bashkuar më me shokët e tjerë të skuadrës. Skuadra ishte nisur para disa ditësh në drejtim të Italisë, pasi Federata Italiane e Çiklizmit kishte dërguar një ftesë për skuadrën durrsake, me qëllim që kjo e fundit të merrte pjesë në këtë turne.