E Diel, 1 Nëntor 2026

Ditët në burg të Delijorgjit

Rreth 40 ditë pas vendosjes me banim në burgun 313, të akuzuarit e Gërdecit kanë lënë mbresa tek autoritetet penitenciare: Janë të urtë. Skanë pretendime

TIRANË - Mihal Delijorgji me shokë janë familjarizuar aq shumë me jetën e burgut 313, saqë zyrtarët e atjeshëm i përshkruajnë madje si të burgosur model. Janë mbushur 40 ditë, qëkur “treshja e Gërdecit”, siç u quajtën Delijorgjin, Pinarin e Minxollin pas ngjarjes tragjike, kapërceu pragun e paraburgimit, ndërkohë që prokuroria po vazhdon të pasurojë me fakte të tjera dosjen e tyre të akuzës. Ata shfaqen të qetë, në orët e ajrimit qëndrojnë në shoqërinë e njëri-tjetrit, nuk përzihen me të paraburgosurit e tjerë, flasin pak, nuk kanë pasur kërkesa të parealizueshme për komoditetin e qelive të tyre dhe nuk e kanë shkelur asnjëherë rregulloren. Qelitë e tyre janë pajisur me televizorë dhe frigoriferë, ndërkohë që të burgosurit kanë hapur edhe nga një llogari financiare, praktikë e njohur kjo për burgjet, ku familjarët e tyre derdhin shuma parash me të cilat ata porosisin blerjen e sendeve që u duhen përmes punonjësve të burgut.

Ata nuk jetojnë në të njëjtën qeli, por të ndarë veç e veç në katin e tretë të burgut. Dita e tyre tanimë është shumë më e ndryshme nga ç’ishte më parë, kur axhenda e takimeve dhe punëve ishte tejet e zënë. Tani u mbetet të dalin si zakonisht në orarin e ajrimit, ndërsa pjesën më të madhe të kohës e kalojnë duke lexuar apo ndjekur me vëmendje nga televizori çdo zhvillim për çështjen, ku ata vetë janë protagonistë, gjithmonë nëse nuk u pëlqen të përfshihen në grupimet e të paraburgosurve të tjerë që luajnë pesëkatësh apo domino. Sipas drejtuesve të paraburgimit, mësohet se Pinari dhe Delijorgji janë dy të burgosur shembullorë, pasi pranojnë pa kundërshtim çdo rregull të institucionit, si për ajrimin, takimet, telefonatat, ushqimin dhe çdo rregull tjetër që një i burgosur apo i paraburgosur duhet t’i nënshtrohet. “Nuk kanë paraqitur kërkesa ekstra për asgjë, siç bëjnë të paraburgosur të tjerë”, sqarojnë burime nga paraburgimi, të cilët shtojnë se shpeshherë sjellja e tyre jepet si shembull edhe për të burgosur të tjerë.
Ndarja
Menjëherë pas transferimit nga Drejtoria e Policisë në paraburgim, Pinari dhe Delijorgji u vendosën në të njëjtën qeli, në katin e tretë të burgut. Bashkëjetesa e tyre u ndërpre tri ditë më pas, kur drejtuesit e institucionit urdhëruan ndarjen e tyre në tri qeli të veçanta, po në të njëjtin kat. Shkak mësohet se është bërë një kontroll në qelinë ku qëndronte Delijorgji dhe Pinari, nga i cili nuk rezultoi asgjë kundër rregullave, çka nxiti bindjen tek drejtuesit, se dy të paraburgosurit pak nga pak nisën të mësohen me rregullat dhe t’u nënshtrohen atyre. Disa ditë më pas, ish-drejtori i “Meico”-s shfaqi shqetësime kardiake, ndaj u mor menjëherë nën kujdesin e mjekëve, të cilët vlerësojnë se Pinari duhet të trajtohet me medikamente mjekësore, pjesa më e madhe e të cilëve sigurohen nga familjarët. Sipas bluzave të bardha, Pinari mund të kurohet në qeli, pasi gjendja e tij shëndetësore nuk është e rëndë.
Kërkesat
Ndryshe nga të burgosurit e tjerë, të cilët herë pas here ia lejojnë vetes luksin e të kërkuarit ndonjë gjë ekstra, treshja e Gërdecit është thuajse indiferente në këtë drejtim. Jetojnë në tri qeli të ndryshme të të njëjtit kat dhe nëpër dhoma u janë siguruar kushtet e nevojshme për të jetuar, duke filluar që nga një televizor 16-polësh, një frigorifer që ka kapacitet deri në 50 kilogramë, si dhe kushtet e fjetjes brenda normave të përcaktuara në ligj. Ndoshta kaq u ka mjaftuar të paraburgosurve, që nuk harrojnë të përshëndesin dhe bisedojnë me njëri-tjetrin në orën e ajrimit për atë që i çoi në burg. Më pas, gjithsecili sipas mënyrës së vet, gjen mundësitë brenda katër mureve të qelisë për të vrarë kohën, e cila në burg është me tepri.
Takimet
Personat që kanë vizituar Delijorgjin, Punarin dhe Minxollin gjatë 40 ditëve qëndrim në qeli, janë të afërmit e tyre dhe avokatët. Ky është informacioni i dokumentuar edhe në regjistrat përkatës, i cili përcillet nga krerët e institucionit. Asnjë zyrtar, asnjë njeri i përmendur qoftë edhe shkarazi nga këto ditë të vrullshme hetimesh, debatesh dhe hulumtimesh. “Brenda rregullave, si të gjithë të burgosurit e tjerë, ata takohen me familjarët e tyre”, theksojnë drejtuesit e 313-ës, të cilët shtojnë se në asnjë rast nuk është bërë përjashtim apo kërkesë kundër këtij rregulli. Ndodh ndonjëherë që familjarët të shkojnë në paraburgim thjesht sa për të derdhur shuma të hollash në llogarinë e tre të dënuarve, para të cilat më pas i përdorin për të plotësuar nevojat e tyre nëpërmjet punonjësve të burgut, me të cilët tre të paraburgosurit kanë marrëdhënie tepër korrekte. Në 40 ditët e qëndrimit në paraburgim, tre protagonistët e Gërdecit kanë krijuar përshtypjen se po i nënshtrohen fatit pa asnjë rezistencë. Ndoshta ajo për të cilën ndjejnë nostalgji, është shoqëria e dikurshme me njerëz të zgjedhur, nga të cilët janë braktisur totalisht gjatë 40 ditëve në burg.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›