E Diel, 1 Nëntor 2026

Arratisjet nga burgu, asnjë leje shpërblyese për ata që kanë kryer krime të rënda

TIRANE - Arratisja e dy të dënuarve nga burgu i Fushë- Krujës dhe Peqinit ka detyruar Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve të pezullojë, deri në një afat të pacaktuar, lejen shpërblyese për të dënuarit që kanë kryer krime të rënda.

Vendimi është marrë gjatë mbledhjes me dyer të mbyllura të zhvilluar një ditë më parë në Drejtorinë e Burgjeve, ku ishte i pranishëm edhe ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi.

Të dënuarit Romeo Rustemaj dhe Ilir Avdillari nuk u kthyen më në qeli pas përfundimit të lejes shpërblyese. Arratisja e tyre u pasua dhe me pezullimin nga detyra të drejtorit të burgut të Fushë-Krujës dhe të Peqinit.

Romeo Rustemaj nga Vlora, i cili vuante dënimin në burgun e Peqinit, i dënuar me dhjetë vjet heqje lirie për vrasjen e një oficeri policie në rrethana cilësuese, i ishte dhënë për herë të parë leja shpërblyese.

Ndërkohë në burgun e Fushë-Krujës, i dënuari Ilir Avdillari, i njohur si një ndër anëtarët e bandave famëkeqe të viteve '97-'98 në Tiranë, përfitoi një leje me afat 7 ditor, por nuk u kthye brenda afatit të lejes. Avdillari u arrestua dy ditë pas arratisjes, në afërsi të Rrogozhinës.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›