E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrest me burg për zyrtarët e AKKP-së

(i përditësuar)- Arrest me burg është masa e sigurisë e dhënë ditën e sotme nga Gjykata e Tiranës për 5 zyrtarët e Agjesisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, të cilët u arrestuan dy ditë më parë për korrupsion.

Trupi gjykues ka lënë në burg Altin Ceni, ish-jurist i AKKP, Merita Gjinali, ish-topografe AKKP, Dhimitër Papa, ish-topograf AKKP, Bledar Dërvishaj, ish- drejtor i AKKP, Niazi Ademi, topograf i licensuar si ekspert AKKP-së.
Ndërkaq, Ali Aliaj, përgjegjës për sektorin juridik AKKP është shpallur në kërkim, me akuzën për shpërdorim detyre dhe korrupsion.

*******************
Janë arrestuar 5 zyrtarë të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave AKKP-së, dhe një është shpalllur në kërkim, pasi akuzohen për shpërdorim detyre dhe korrupsion. Sipas informacioneve më të fundit bëhet e ditur se të arrestuarit kanë falsifikuar dokumente për përfitime prone dhe regjistrimin e tyre në hipotek.

Nga Drejtoria Kundër Krimit Financiar pas një hetimi pesë mujor, në bashkëpunim me Njësinë e Përbashkët Hetimore, Task-Forcë, Tiranë dhe Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale, u finalizua Operacioni Policor Pronë e Spostuar, në kuadër të të cilit u bë i mundur arrestimi në flagrancë i 5 zyrtarëve të AKKP-së:

Të arrestuarit janë:
1. Bledar Dervishaj, vjeç 35, banues në Tiranë, ish-Drejtor i Zyrës Rajonale të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave Tiranë,
2. Ali Aliaj, vjeç 50, banues në Tiranë, ish Përgjegjës i Sektorit Juridik në Zyrës Rajonale të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave Tiranë.
3. Dhimiter Papa, vjeç 49, banues në Tiranë, ish Topograf në Zyrës Rajonale të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave Tiranë, aktualisht me detyrë hartograf pranë Zyrës Vendore të Rregjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë,
4. Merita Shaqir Gjinali, vjeç 49, banuese në Tiranë, ish topografe në Zyrën Rajonale të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave Tiranë,
Personat akuzohen për veprën penale të shpërdorimit të detyrës dhe falsifikimit të dokumenteve nga personi që e ka për detyrëe kryer në bashkëpunim.

Është arrestuar dhe Niazi Ademi, vjeç 48, banues në Durrës, Topograf i licencuar, aktualisht punonjës Ujësjellësi Durrës, i cili akuzohet për veprën penale të falsifikimit të dokumenteve dhe ekspertim i rremë.

Këta shtetas akuzohen se në bashkëpunim me njëri tjetrin, duke përfituar nga pozita zyrtare dhe nëpërmjet falsifikimeve, i kanë kthyer trashëgimtarëve të familjes Jenisheri një pronë prej 79 dynym, duke e spostuar pronën e kthyer nga vendndodhja reale në bregdetin e Komunës Gos Kavajë, si dhe duke ndryshuar dhe zërin kadastral nga tokë ranishte në arë.

Ndërkohë që është bërë shpallja e kërkimit dhe vazhdon puna për kapjen e një tjetër shtetasi, i cili nga hetimet e kryera ka rezultuar bashkëpunëtor i shtetasve të sipërcituar.

.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›