E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrest pesë shtetasve, trafikonin vepra të artit

ELBASAN- Pesë persona janë arrestuar nga policia e Elbasanit pasi akuzohen për veprat penale të "trafikimit të veprave të artit dhe të kulturës, e kryer në bashkëpunim, e mbetur në tentativë".
Burime nga Drejtoria e Policisë së Qarkut të Elbasanit, Valbona Begu tha se "në kuadër të operacionit të koduar "Premtimi", janë arrestuar në flagrancë shtetasit Ilir Kera, 37 vjeç, Reshit Hyseni, 29 vjeç, Nebi Guracaku, 49 vjeç, Gramoz Poshja, 34 vjeç dhe Armand Meta, 26 vjeç. Arrestimi i këtyre shtetasve u bë pasi ndaj tyre Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Elbasan kishte filluar proçedimin penal për veprën penale të "trafikimit të veprave të artit dhe të kultures, e kryer në bashkëpunim, e mbetur ne tentativë".

Gjatë arrestimit në flagrancë të këtyre shtetasve u bë e mundur gjetja dhe sekuestrimi i një këmbane kishe me peshë rreth 45 kg, e gdhendur me material bronxi, tre pikturave të gdhendura në material bakri me përmasa të ndryshme, një ikonë kishe, si edhe sende dhe objekte antike të ndryshme, të gdhendura në material sermi.
Mësohet se këta shtetas po përpiqeshin t’i trafikonin sendet e mësipërme për shitje në Maqedoni, kundrejt shumës 20.000 euro, prova këto të siguruara në rrugë ligjore. Gjithashtu shtetasve të mësipërm u janë sekuestruar edhe një sasi parash si edhe dy armë gjahu teke pa leje,dy automjete të tipit 'Benz Mercedes' me targa EL 3593 C dhe EL 9811 B.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›