E Diel, 1 Nëntor 2026

Arrest shtëpie për Fatmir Kajollin, këshilltari republikan i Bashkisë së Fierit

Vendim gjykate / Foto ilustruese

Gjykata e Fierit ka dhënë masën arrest shtëpie për Fatmir Kajollin, përfaqësuesin e Partisë Republikane në këshillin bashkiak të Fierit, që u arrestua dy ditë më parë për llogari të drejtësisë italiane.

Vendimi ndaj Kajollit u dha nga gjyqtari Gentian Hamitaj.

* * *

Ekskluzive/ Kajolli hodhi në gjyq shtetin italian

Fatmir Kajolli, përfaqësuesi i Partisë Republikane në Këshillin Bashkiak të Fierit rezulton se i është drejtuar Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, për të apeluar vendimin e dhënë ndaj tij nga drejtësia italiane në të gjitha shkallët e gjyqësorit.

Në dokumentin e siguruar nga Shekulli, Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut lë në fuqi vendimin e dhënë nga drejtësia italiane dhe argumenton pikë për pikë vendimin, duke hedhur poshtë kërkesën e Kajollit në çështjen e tij kudër shtetit italian.

Vendimi është dhënë në datën 29 prill 2008 nga trupi gjykues i përbërë nga kryetarja Françoise Tulkens dhe gjyqtarët Antonella Mularoni, Ireneu Cabral Barreto, Rza Türmen, Vladimiro Zagrebelsky, Dragoljub Popovi, András Sajó.

Kajolli është dënuar fillimisht nga Gjykata e Milanos, në 12 dhjetor 2002,  me 16 vjet burg dhe një gjobë prej 160 mijë eurosh për përfshirje në trafik të lëndëve narkotike.

Vendimi i gjykatës bazohet në përgjimet telefonike të Kajollit, të cilat sipas gjykatës provojnë në mënyrë të pakundërshtueshme fajësinë e tij.

Vetë Kajolli, ka apeluar vendimin e Gjykatës së Milanos me pretendimin se, aktet e procedurës ishin paraqitur në versionin italian, pa përkthim në gjuhën shqipe, pavarësisht se përfaqësohej nga avokati E. Agaci.

Kajolli rezultonte i shpallur në kërkim dhe në këto kushte të gjitha aktet e procedurës penale i janë dorëzuar avokatit të tij në gjuhën italiane. Ky i fundit ka kërkuar asistencën e një përkthyesi, por gjykata e ka hedhur poshtë kërkesën për shkak të gjykimit në mungesë të Kajollit, ndërsa mbrojtësi i tij nuk e kishte të nevojshme praninë e një përkthyesi.

Kajolli, pretendonte se, nuk e njihte italishten dhe ishte detyrë e autoriteteve të drejtësisë italiane të provonin nëse një i akuzuar i huaj ishte në gjendje të kuptonte italisht.

Me një vendim të datës 22 tetor 2003, Gjykata e Apelit në Milano la në fuqi vendimin e gjykatës së shkallës së parë. Edhe pas këtij vendimi, Kajolli ka këmbëngulur duke e çuar çështjen në Gjykatën e Kasacionit, e cila me një vendim të 4 tetorit 2006, hodhi poshtë kërkesën e tij.

Apeli i Kajollit në Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut mbyllet me hedhjen poshtë të kërkesës së tij për rishqyrtim të vendimit të dhënë nga shteti italian.

* * *

Fier, pranga përfaqësuesit të PR në Këshillin Bashkiak, i dënuar me 40 vjet burg në Itali

Një anëtar i Këshillit Bashkiak të Fierit është arrestuar sot nga policia e këtij qyteti.

Burimet bëjnë të ditur se 47-vjeçari Fatmir Kajolli është vënë në pranga për llogari të drejtësisë italiane. Ai rezulton i dënuar në shtetin fqinj për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike dhe pjesëmarrje në organizata kriminale.

Kajollit është dënuar nga gjykata e Romës dhe ajo e Milanos, me 16 dhe 24 vite burg.

Fatmir Kajolli, anëtar i Këshillit Bashkiak të Fierit, përfaqësues i Partisë Republikane, pritet të ekstradohet në Itali, ku do të vuajnë dënimin e dhënë nga drejtësia e këtij vendi. / G.N.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›