E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Për 100-vjetorin e pavarësisë, Berishës do i dërgojmë 16 kuaj për të shkuar në Vlorë

Rama gjatë takimit me të rinjtë në Vlorë

Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama ka qenë sot në Vlorë, në kuadër të dorëzimit të teserës së anëtarësisë për të rinjtë e këtij qyteti. Gjatë fjalës së mbajtur Rama u shpreh se varfëria, korrupsioni, papunësia nuk janë aleatët e opozitës. Ata janë aleatët e pushtetit, që i kërkon ti mbajë sa më të nënshtruar, sa më të varfër dhe sa më të papunë njerëzit e më pas e ka kollaj ti kërcënojë me bukën e gojës, u shpreh kreu i PS-së.

Rama gjatë dorëzimit të teserës së anëtarësisë

Rama ka nënvizuar se edhe pas 100 vitesh shtet i pavarur, për të shkuar në Vlorë duhet kaluar në rrugë të ndërtuara gjatë Luftës së Parë Botërore. Ndërkohë që po vija për në Vlorë nuk kishte se si të mos mendoja që po vija nga rruga e bërë në fillim të shekullit të shkuar nga austriakët, ndërkohë që në 100 vjetorin e pavarësisë shqiptarët nuk e kanë ende një rrugë evropiane për të shkuar në qytetin e pavarësisë. Për këtë arsye fola edhe me kryetarin e bashkisë dhe i thashë që në 27 nëntor do të çojmë te dera e kryeministrisë 16 kuaj që qeveria të vijë të nesërmen në Vlorë për të festuar pavarësinë nga rruga që nuk e ka ndërtuar po që ka mbetur ajo që ishte që në kohën e austriakëve. Shpëtimi dakord tha po duhet të sigurohemi që nuk do vjedhin dhe kuajt që do u çojmë ne për të ardhur në Vlorë, ironizoi lideri opozitar.

Në apelin drejtuar të rinjve, Rama tha se nëse i mundon varfëria, papunësia, mos ia delegojnë askujt, por të luftojnë në vetë të parë. Ndryshimin mund ta sillni ju, sepse fuqia e ndryshimit është secili nga ju, iu drejtua Rama të rinjve.

PS-së së Vlorës sot iu shtuan edhe 900 anëtarë të rinj të cilëve Rama u dorëzojë teserën e anëtarësisë. /F.Stafa/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›