E Diel, 1 Nëntor 2026

Arrest shtëpie për ish-deputetin demokrat

"Klienti im ka qenë thjesht një jurist, asgjë më shumë, ndërsa vendimet për lejet e ndërtimit kanë qenë kolegjiale". Me këtë pretendim, avokati i ish-deputetit Flori Bajramaj ka mundur të ndryshojë masën e sigurisë, duke arritur të sigurojë arrest në shtëpi për klientin e tij. Të njëjtin fat ka pasur dhe inxhinieri Pasho Beqiraj, ndërkohë që avokatët e kanë vlerësuar si të pakuptimtë hetimin e përqendruar vetëm te klientët e tyre, pasi vendimmarrja ka qenë kolektive. Ish-deputeti demokrat, Flori Bajramaj, dhe ish-sekretari i KRRT-së së Rrashbullit, janë lënë me arrest shtëpiak, ndërsa akuza deklaroi se pasojat e veprimeve të tyre në mjedisin dhe turizmin e zonës bregdetare janë të pakthyeshme. Hetimet e nisura dy vjet më parë do të vazhdojnë dhe ndaj Bajramajt e Beqirajt rëndon akuza e shpërdorimit të detyrës. Një procedim penal ky, që bazohet në raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit për shkeljet e vërejtura në dhënien e lejeve për sheshe dhe leje ndërtimi në zonën bregdetare të Shkëmbit të Kavajës. Ish-deputeti demokrat paraqiti para gjykatës një kartelë mjekësore të lëshuar nga një studio private pikërisht në ditën që është arrestuar. Në të përcaktohet se 38-vjeçari Bajramaj vuan nga një sëmundje e mushkërive dhe ka nevojë për ndërhyrje kirurgjikale. Në këto kushte dhe bazuar në personalitetin e tij, si dhe mundësitë që ka pasur gjatë dy viteve që ka qenë nën hetim për t‘iu shmangur një mase sigurie në burg, mbrojtja kërkoi zëvendësimin e masës së sigurisë nga arrest me burg, në detyrim paraqitjeje. Gjyqtarja Florika Hysi nuk ka bërë diferencime mes dy të arrestuarve, duke treguar se kriteret e ligjit janë standarde dhe duhen zbatuar njësoj, pavarësisht kërkesës së organit të akuzës. Ajo vendosi t‘i lërë Bajramajn dhe Beqirajn nën masën e sigurisë personale të arrestit shtëpiak, duke çmuar rrethanat dhe vlerësuar deklarimet e mbrojtjes dhe vetë të të arrestuarve. Rreth orës 14:45 të ditës së djeshme, në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Durrës u zhvillua seanca e caktimit të masës së sigurisë "arrest me burg". Ish-deputeti Bajramaj, i veshur sportiv, ka qëndruar me kokën ulur gjatë të gjithë kohës, duke lënë avokatin e tij, Gramoz Lika, të flasë dhe kërkojë ndryshim të masës së sigurisë personale, bazuar në gjendjen shëndetësore dhe reputacionin e tij si individ. Bazuar në kërkesën e mbrojtjes dhe dokumentin shëndetësor që mbante datën e arrestimit, përfaqësuesi i organit të akuzës në seancë, prokurori Drini Pali, pranoi zbutjen e masës së sigurisë ndaj Bajramajt në varësi të argumenteve të sjella nga mbrojtja dhe kërkoi arrest shtëpiak për të. Ndërkaq, për Beqirajn, Pali nuk pranoi zëvendësim të masës dhe kërkoi lënien e tij në burg. Avokati Edmond Saliu kujtoi se kriteret ligjore janë standarde dhe duhen zbatuar. Vepra penale është konsumuar në vitin 2002 dhe gjatë viteve të fundit sekretari teknik i KRRT-së ka qenë i disponueshëm ndaj hetimeve dhe ka dhënë shpjegimet e veta. Në bazë të kësaj kërkese, gjyqtarja kërkoi nga i arrestuari të saktësonte pozicionin e tij gjatë dy viteve të fundit kur ka qenë nën hetim. Beqiraj tha se ishte thirrur tri herë nga prokuroria për të dëshmuar në lidhje me lejet e dhëna dhe se asnjëherë nuk i është shmangur. Në sallën e gjyqit, mbrojtja e Bajramajt deklaroi se shpërdorimi i detyrës në administratën publike është një thes pafund dhe se ish-deputeti në atë kohë ka qenë thjesht një jurist e asgjë më shumë. Në bazë të akuzës, procedimi penal ndaj dy të arrestuarve që tashmë konsiderohen të pandehur, ka nisur në vitin 2007, bazuar në shkeljet e konstatuara në raportin e KLSH-së për veprimtarinë e KRRT-së. Bazuar në shkeljet e konstatuara, sekretari teknik i KRRT-së, inxhinier Pasho Beqiraj, ishte ndëshkuar me masë disiplinore dhe më pas ishte rimarrë në punë me vendim të këshillit komunal. Pas një kontrolli tjetër nga KLSH-ja, ai e lë sërish këtë detyrë dhe mbahet në komunë në detyrën e inxhinierit, të cilën e mbante deri në çastin e arrestimit. Akuza ndaj të dyve mbështetet në akte shkresore, të cilat janë sekuestruar që në vitin 2006 nga organi i akuzës dhe pritet të bëhet vlerësimi i tyre. Në këto kushte, ndërhyrja e të pandehurve për tjetërsimin e tyre konsiderohet e pamundur. Të dy kanë lënë qelitë e paraburgimit për t‘u kthyer pranë familjeve dhe qëndruar në pritje të përfundimit të hetimeve dhe përballjes me gjykatën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›