Turizmi shqiptar, një realitet tej mase i kequshqyerNga Lavdosh Ferruni“.. Një iluzion tej mase i ushqyer” e quan që në titull turizmin shqiptar Adri Nurellari në shkrimin e tij në fundjavë. Në thelb të shkrimit Nurellari e quan zhvillimin e turizmit
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Turizmi shqiptar, një realitet tej mase i kequshqyerNga Lavdosh Ferruni“.. Një iluzion tej mase i ushqyer” e quan që në titull turizmin shqiptar Adri Nurellari në shkrimin e tij në fundjavë. Në thelb të shkrimit Nurellari e quan zhvillimin e turizmit si deformim të ekonomisë dhe vetë sektorin e turizmit si sektor të gabuar të ekonomisë. Një pikëpamje kjo thellësisht kontroverse me opinionin e gjerë sot mbi vendin e industrisë së turizmit në ekonominë shqiptare. Një pikëpamje po aq kontroverse sa dhe etiketimi prej Nurellarit, rreth 2 vjet më parë në një emision të Top Show, i fenomenit të ngrohjes globale si fenomen të stisur nga forcat majtiste dhe marksiste në botë. Kontroversiteti nuk qëndron vetëm në raportin e pikëpamjeve të Nurellarit me një pjesë tjetër të madhe të opinion-bërjes, por dhe me vetveten. Ndërsa në fillimet e tij në publik ai është prezantuar si kalorës i ekonomisë liberale dhe globalizmit (p.sh., si përkrahës i fortë i futjes së OMGJ-ve në Shqipëri), na del së fundi me pikëpamje jo-liberale për të mos thënë antiglobaliste duke sugjeruar zhvillimin e bujqësisë e industrisë në vend, madje del diku si promovues i fushatës së shpallur së fundmi, “Blej shqip”. Çdo njeri mund të ketë luhatjet e veta, rrjedhojë e bindjes apo pragmatizmit dhe kjo është normale, por një shkrim i tillë në kushtet e një politike ekonomike mishmashi, siç e cilëson Lubonja së fundmi, mund ta bëjë edhe më të zhbëshëm këtë mishmash. E thënë më qartësisht, një goditje e perspektivës turistike nuk bën gjë tjetër veçse krijon turbullirën e nevojshme, prej së cilës pritet të katalizohet më pas Shqipëria si platformë e shkëmbimit energjitik midis Ballkanit dhe vendeve perëndimore (kupto Italinë), siç shprehet Ing. Caruso, drejtor ekzekutiv i projektit për ndërtimin e Parkut Eolik në Karaburun në një intervistë të gjatë të tij së fundmi (gazeta “Standard”, 12 shtator 2009). Edhe Nurellari nuk është larg kësaj ideje, tek e mbyll shkrimin e tij duke u merakosur për investimet në industri, të cilave, sipas tij, po u bie në qafë sektori i turizmit. Ai shkruan: “.. kjo turisto-mania e shoqëruar nga ndërtimo-mania ka çuar në fryrjen e tepruar të çmimeve të tokës, duke e bërë të vështirë investimin në industri, pasi çmimi i tokës, ku do të donin të ndërtonin fabrikën, shpesh shkon më shumë se kostoja e ndërtimit dhe teknologjisë së nevojitur”. Në rastin më të mirë ky konkluzion i Nurellarit është fare naiv, thjesht për faktin se po të kishte bazë, do të kishim parë fenomenin e mungesës së investimeve në industri në vendet që prej dekadash kanë rritje të madhe të sektorit të turizmit, si Italia, Franca, Spanja, Greqia, Kroacia, qoftë dhe Mali i Zi.
Turizmi shqiptar, një realitet
Turizmi shqiptar nuk është aspak një iluzion. Ai është një realitet i gjallë që pulson fort në ekonominë shqiptare dhe që shihet prej të gjithëve. Shifra prej 1.5 milionë turistësh të ardhur gjatë 2009 është tepër e besueshme për cilindo që mund të ketë bërë një shëtitje gjysmë-orëshe në një ditë gushti në plazh të Durrësit, edhe pse mund të mos jetë e besueshme shifra e rritjes prej 36% krahasuar me vitin e kaluar. Nga ana tjetër, nuk ka asnjë arsye pse të ketë më pak turistë. Fakti që është vit krize nuk e dizavantazhon Shqipërinë, përkundrazi. Shqipëria, sidomos që prej këtij sezoni, që ka dhe një shkurtim të udhëtimit prej të paktën 5 orësh me Kosovën e si rrjedhojë më tej edhe me Serbinë dhe disa shtete të tjera të Evropës Qendrore dhe Lindore, është bërë destinacioni më i shkurtër për të arritur bregdetin Adriatik dhe Jonian. Aksi i ri i Rrugës së Arbrit do të kanalizojë flukse të reja turistësh prej Ballkanit lindor. Në vitet e ardhshme, për shkak të shtrenjtimit të pritshëm të fluturimeve, edhe si rrjedhojë e angazhimeve të Evropës për reduktimin e emetimeve të CO2, pritet që të rritet fluksi i lëvizjes të turistëve evropianë me makina drejt Shqipërisë si destinacioni më i afërt i jugut të Adriatikut dhe detit Jon. Greqia mbetet e dizavantazhuar në këtë situatë, pasi turistit evropian do t’i duhej të përshkonte dhe nja 700 km të tjera për të arritur në portin e Pireut, prej nga ku do t’i duhej të merrte tragetin për në ndonjë ishull. Një faktor mjaft atraktiv dhe mjaft kompetitiv njëherësh është se Shqipëria ka mbi 250 km bregdet ranor, që i mungon Kroacisë e Malit të Zi. Ky lloj bregdeti ofron shumëfish kapacitete krahasuar me atë shkëmbor dhe është mjaft atraktiv për turizmin familjar që ofron sidomos cektësirën e detit për fëmijët. Shqipëria ka shansin e madh dhe që e ka vetëm Ajo, ku turisti mund të kalojë tashmë brenda 2 orëve nga plazhet ranore të Adriatikut në plazhet e mrekullueshme të Jonit. Nurellari pretendon se e ka bredhur bregdetin shqiptar dhe se ky bregdet është, sipas tij, “i infektuar anembanë nga një epidemi ndërtesash të shëmtuara”. Kjo është vetëm pjesërisht e vërtetë. Po përmendim këtu vetëm hapësirën bregdetare nga plazhi i Nartës (tashmë i okupuar nga TEC-i i Vlorës), deri në derdhje të Vjosës që është rreth 20 km plazh tërësisht i virgjër. E njëjta gjë mund të thuhet për km të tërë plazhe nga Gjiri i Lalzit deri në derdhje të Bunës.
Një argument fals që sjell Nurellari është ai i largimit të turistëve shqiptarë në destinacione të tjera, në momentin që Shqipëria do dalë nga izolimi, që vjen prej mungesës së vizave. Kjo mund të ndodhë vetëm përkohësisht dhe në grupe shumë të vogla të popullsisë. Nuk ka ndodhur dhe nuk ndodh që një vend i turizmit të detit të ketë flukse të konsiderueshme të këtij lloji në një vend tjetër. Për shembull, nuk kemi grek të shkojnë me pushime detare në Itali dhe anasjelltas apo kroat të shkojnë në Mal të Zi dhe anasjelltas. Edhe në Tailandë nuk janë grekë, italianë, spanjollë, portugezë që shkojnë, por suedezë e norvegjezë. Emigrantët me hapjen e vendit përsëri do të vijnë në Shqipëri edhe më gjatë, ndoshta për t’iu mësuar fëmijëve të tyre të flasin më mirë shqipen dhe të çmallen me vendin e tyre. Madje, fëmijët e rritur të emigrantëve do të sjellin në Shqipëri dhe të dashurat apo të dashurit e tyre të huaj. (Autori i shkrimit: pranoj që ky mund edhe të mos klasifikohet si argument).
Në vijim të argumentimit të tij për të zhvleftësuar turizmin shqiptar Nurellari përmend vijën bregdetare shumë herë më të madhe të Greqisë, Kroacisë Italisë e Turqisë krahasuar me atë të Shqipërisë. Në këto krahasime “harrohet” Mali i Zi. Në krahasim me të Shqipëria ka një vijë bregdetare më të gjatë, 362 km kundrejt 295 të Malit të Zi, por ka dhe një raport të vijës detare me kufirin tokësor gjithashtu më të madh se Mali i Zi. Por në Shqipëri sektori i turizmit përbën 4.1% të GDP, në Mal të Zi 20% dhe në dekadën e ardhshme parashikohet 27% të GDP dhe duke arritur 25% të të gjithë të punësuarve. Në Shqipëri pjesa e punësuar në turizëm është vetëm 11%, edhe pse kap 130 mijë vetë. Nëse Shqipëria do t’i afrohej parametrave si më sipër të Malit të Zi, bregdeti i të cilit ka dizavantazhe të dukshme (bregdet shkëmbor) krahasuar me atë shqiptar, ekonomia e vendit do të ishte shumë më e shëndetshme. Zhvillimi i turizmit do të ndikonte në rritjen e sektorëve të tjerë, sidomos sektorin e bujqësisë, ndryshe nga sa thotë Nurellari që e pengon atë.
Kequshqyerja e turizmit
Turizmi shqiptar nuk është tej mase i ushqyer, përkundrazi, rezulton të jetë “kequshqyer”. Është turp të përmendet se fondet e buxhetit të shtetit për investime në fushën e turizmit nga ministria për tre vitet e fundit kanë qenë mesatarisht rreth 20 milionë lekë në vit, të themi sa vlera e një apartamenti në qendër të Tiranës.
Investimet në këto 20 vite në turizëm janë të pandjeshme. Thuajse po ato rrugë e po ato kanalizime. Një pjesë rruge që ndërtoi Meta, kur ishte kryeministër nga Llogoraja në Palasë dhe asgjë tjetër. Akoma me probleme dritash e uji, akoma me pirgje plehrash, akoma me qytete turistike, ku turistët mund të shohin si digjen plehrat në fushë të hapur. Ajo që ka bërë qeveria, është pikërisht pengimi i iniciativës private, e cila që në fillimet e viteve ‘90 e deri sot e ka parë si prioritet investimin në turizëm. Pengimi vrastar është mosnjohja e pronarëve shekullorë, sidomos në bregdetin jonian, nga Karaburuni në Konispol dhe vërsulja e hajdutëve të ndërsyer nga vetë qeveria për të vjedhur toka turistike. Veç kequshqyerjes së turizmit duket se po përgatiten dhe “tortura vdekjeprurëse për turizmin”, siç janë planet e super TEC-eve, super-eolikëve, super-porteve, super-gazifikuesve a naftësjellësve, super-cementerive etj., si këto.
Para zgjedhjeve i gjithë spektri politik i mëshoi fort zhvillimit të turizmit në Shqipëri. Pas zgjedhjeve Berisha gati i habiti shqiptarët me premtimet e mëdha për të investuar realisht për turizmin në Shqipëri, deri edhe heqja e qeseve plastike nga përdorimi (fantastike). Por Berisha ka provuar që në anijen e ekonomisë drejton pa busull, por së paku ne mos t’i flasim së prapthi.