Kriza e vetasgjësimitNga Izet ShehuEdhe kur lëvizim, edhe kur flasim, edhe kur dëgjojmë, po na duket vetja si në jerm. Në kohën tonë askush nuk e mohon dot këtë të vërtetë, që nga njeriu më i shquar e deri tek i degraduari, që s’di çfarë bën, e s’di
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Kriza e vetasgjësimitNga Izet ShehuEdhe kur lëvizim, edhe kur flasim, edhe kur dëgjojmë, po na duket vetja si në jerm.
Në kohën tonë askush nuk e mohon dot këtë të vërtetë, që nga njeriu më i shquar e deri tek i degraduari, që s’di çfarë bën, e s’di ku vete.
Cilët i kanë me vete njerëzit, veç atyre që mbajnë ndër duar fatet dhe bukën e tyre?
S’ka ditë që njeriu s’dëgjon gjëra tronditëse.
Një grua 72-vjeçare u hodh nga kati i pestë. Një vajzë 19-vjeçare u vetëmbyt në det. Një 13-vjeçar u gjet i vetëvarur në plevicën e shtëpisë.
Më mirë të mos i dëgjosh këto ngjarje të zeza, që të rrëqethin mishin, t’i presin gjunjët e të vyshkin shpresën. Nuk them se nuk janë dëgjuar edhe më parë gjëra të tilla. Në diktaturë, njeriu burgosej, internohej e vritej për një fjalë a ide, por lajmi ndrydhej, e vërteta fshihej, mëkati rrëshqiste si hije në errësirë.
Frika rrëqethte ajrin dhe shpirtin.
Mynxyrat e kobshme njeriu i gjorë i ka provuar mbi shpinë në çdo kohë. Po sot, pikërisht sot, kur na duket sikur po marrim frymë më lirë, përse na u dashka të përballemi me dukurinë fatale të vetasgjësimit?
Arsyet janë të shumta: ekonomike, ekologjike, sociale, morale etj.
Një i ri ose e re, që endet zyrë më zyrë dhe rrugë më rrugë për të gjetur një vend pune për të siguruar minimumin e jetesës, çfarë mendon se do të bëjë?
Bota ka larmi karakteresh njerëzore. Nga mungesa e një vendi pune, dikush do të detyrohet të rrjedhë, dikush do të lypë, dikush do të shesë trupin, dikush do të rrjepë dikë ose do të pranojë që ta rrjepin për së gjalli të tjerët. Çdo gjë mund të pritet nga i riu ose e reja, kur endet për të gjetur një vend pune.
Është e vërtetë që dyert e shkollave janë të hapura, madje, metaforikisht do të thoja se janë të shqyera. Ku s’janë hapur dyert e shkollave të larta?
Gati në të gjithë Shqipërinë. Që njerëzit shkollohen, kjo është gjë e mirë, por: A janë cilësore këto universitete? A kanë stafe pedagogjike me nivele bashkëkohorë? A mendon ndokush se ku do të venë këta studentë, që mbarojnë universitetet?
Apo qeveritë ua lënë mbi shpinë njëra-tjetrës, duke mos e vrarë mendjen për këtë të keqe që po i bëjnë atyre e që po i lënë të enden dyerve të ambasadave për të marrë një të flamosur vizë?
Se mos atje ku do të venë, do ta gjejnë shtruar, a do t’i presin krahëhapur? Pra, plaga e plagëve, që vjen çdo ditë duke e gangrenizuar trupin e shoqërisë, është papunësia. Këtu nuk po them ndonjë gjë të re, por diçka të thënë dhe të stërthënë. Meqë është gangrenë, ajo duhet të jetë kryefjala e ditës dhe duhet të shërohet sa më shpejt. Edhe pa ua thënë unë, ju e dini mirë këtë të keqe, sepse shumë prej familjeve tona po e heqin mbi shpatullat e tyre. Edhe po të na e rrjepin gjysmën e lëkurës, mali i mbuluar me mjegull, shurdh dhe i verbër, prapë nuk do të luajë nga vendi me fjalën tonë dhe të mijëra të tjerëve si ne. Në një gjendje të tillë, jo vetëm të pushton trishtimi e dyshimi, por mund të luash nga trutë dhe të të errësohet arsyetimi. Njeriu me karakter të fortë, që nuk bie kollaj poshtë, që nuk përkulet, që nuk shitet e blihet, kur e humb durimin dhe besimin, çfarë i mbetet që të bëjë tjetër? I mbetur në këtë mëdyshje, të ekzistencës dhe të mosekzistencës së tij, në një mjedis të ndotur, në një shoqëri të mpirë, servile, indiferente e të traumatizuar, çfarë i mbetet që të bëjë tjetër?