E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestime masive pas protestave në Egjipt

Mbi 300 persona u arrestuan nga policia egjiptiane pas përleshjeve midis protestuesve dhe forcave të sigurisë, në kryeqytetin egjiptian, Kajro.

Lajmin e konfirmuan burime ushtarake mëngjesin e së dielës. Arrestimet masive vijnë pasi përleshjet përballë ministrisë së Mbrojtje ditën e premte shkaktuan vrasjen e një ushtari dhe plagosjen e qindra personave.

Aktualisht, një gjendje ndalim-qarkullimi është vendosur përreth ministrisë. Shpërthimi i dhunës, inkurajuar nga përjashtimi nga lista për kandidatë presidencialë i disa kandidatëve popullorë, vjen në një moment veçanërisht delikat për Egjiptin, vetëm tri javë përpara zgjedhjeve vendimtare.

Midis qindra të arrestuarve përfshihet edhe një numër gazetarësh. Ligji i jep të drejtë autoriteteve që të mbajnë të burgosur të gjithë të ndaluarit për 15 ditë, deri në hetimin e rolit të tyre në trazira, përpara se të publikohen akuza ose të lirohen.

I vetmi lëshim që kanë bërë autoritetet ushtarake është lirimi i të gjithë grave të burgosura, më pak se 20 të tilla, të cilat do të ndiqen në liri.

Më parë gjatë javës, 11 persona gjetën vdekjen, pasi një grup protestuesish u sulmua nga persona të paidentifikuar.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›