Franca zgjedh sot presidentin, Sarkozy apo Hollande

Francezët votojnë sot për presidentin e ri. Qendrat e votimit janë hapur që prej mëngjesit të së dielës në të gjithë Francën, ndërsa 44,5 milionë banorë me të drejtë vote do të përzgjedhin presidentin e tyre të ardhshëm, në balotazhin midis Sarkozy dhe Hollande.
Të dy kandidatët kanë votuar sot në qendrat e tyre të votimit ndërkohë që sipas sondazheve të publikuara Hollande është përpara me 6% në preferenca. Presidenti në fuqi, Nicolas Sarkozy, është ngjitur gradualisht në sondazhe në ditët e fundit por analistët vlerësojnë se duhet një kthesë të pabesueshme fati për të marrë një mandat të dytë në krye të “Elysse”. Në raundin e parë, Hollande fitoi 28,6% të votave, ndjekur nga 26,2% të Sarkozy.
Rritja e papunësisë dhe kriza e euros janë temat që kanë dominuar fushatën zgjedhore. Sarkozy pretendon se shmangu recesionin dhe se ka qenë në gjendje të mbajë një Francë të fuqishme dhe përcaktuese për fatet e kontinentit. Rivali i tij përgjigjet duke argumentuar se vendi është në krizë të thellë dhe ka nevojë për ndryshim të menjëhershëm.
Qendrat e votimit do të jenë të hapura nga ora 8:00 deri në 18:00, por në qytetet e mëdha orari i mbylljes është fiksuar 20:00.