Arrestimi i zyrtarëve kosovarë, EULEX-i, “marrëveshje të heshtur” me qeverinë
Gjatë ditëve të fundit, në mediat kosovare është komentuar vendimi i EULEX-it për arrestimet e zyrtarëve të korruptuar. Misioni i BE-së, EULEX thotë se hetuesit dhe prokurorët e këtij misioni po vazhdojnë të hetojnë korrupsionin dhe krimin e organizuar në institucionet e Kosovës. Ky mision ka nisur në muajin prill një operacion kundër korrupsionit, me bastisjen e Ministrisë së Transportit dhe pronave të zyrtarëve të kësaj ministrie. “Sapo të kemi prova të mjaftueshme, ne do ta dërgojmë çështjen në gjykatë”, thotë zëdhënësja e EULEX-it, Kristina Herodes, duke mos pranuar të komentojë njoftimet e vazhdueshme nëpër media për mundësinë e ngritjes së aktakuzave. “Nuk i komentojmë hetimet dhe cfarë mund të ndodhë në të ardhmen. Hetuesit e EULEX-it, prokurorët, policët po kryejnë punën e tyre dhe ne nuk i komentojmë provat jashtë gjykatës. Nuk duam ta bëjmë këtë përmes mediave, sepse gjykata është vendi ku duhet të diskutohen provat”, shprehet Herodes. Njoftimet në media se këtë javë priten arrestimet e para nga ana e misionit europian për sundimin e ligjit, kanë ngjallur reagime tek udhëheqësit e institucioneve dhe partive politike. Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi thotë se nuk është i informuar nga EULEX-i lidhur me ndonjë operacion të mundshëm. “Unë, personalisht jo, absolutisht jo, shumicën e gjërave po i lexoj në gazeta”, thotë Kuçi, duke i quajtur më tepër këto njoftime si spekulime. “Këto janë pjesë e diskutimeve, spekulimeve që po bëhen. Puna e rendit dhe e ligjit është e ndarë, puna e politikës është e ndarë. Njëra dhe tjetra i kanë rrugët e ndara dhe nuk duhet të afektojnë”, thekson Kuçi. Javën e kaluar vetë kryeministri Hashim Thaçi ka deklaruar se janë 111 zyrtarë të institucioneve që po hetohen për ndërlidhje të mundshme me korrupsion. Përderisa kryeministri Thaçi ka thënë se Qeveria e tij ka nisur luftën kundër fenomenit të korrupsionit dhe ka kërkuar të ketë rol udhëheqës në këtë drejtim, opozita kërkon që fillimisht të largohen ministrat e dyshuar për korrupsion. Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Blerim Shala, thotë se misioni europian nuk duhet t’i frikësohet ndonjë destabiliteti të mundshëm politik, por duhet ta çojë në fund sundimin e ligjit. “Askush nuk është mbi ligjin dhe ai duhet të veprojë. Ka ardhur koha kur duhet të adresohet tema e korrupsionit, kur duhet të fillohet spastrimi i kësaj qeverie nga ministrat e korruptuar”. “Megjithëse, ne jemi të bindur se problemi kyç në këtë qeveri është institucioni i kryeministrit apo lideri i sotëm i Kosovës, që është përgjegjës për përhapjen e korrupsionit”, thotë Shala. Shala bën të qartë se AAK-ja është e hapur të bashkëpunojë edhe për ata ish-ministra që dyshohet se u përfshinë në afera korruptive, gjatë kohës sa AAK-ja ishte në pushtet.Ditë më parë, shefi i misionit të EULEX-it, gjenerali Iv de Kermabon, ka thënë në paraqitjen e tij para Parlamentit Europian, se EULEX-i është i vendosur që t’i hetojë rastet e korrupsionit dhe krimit të organizuar në nivel të lartë, pa marrë parasysh se për kë është fjala dhe pa lejuar ndërhyrje politike.
Slloveni
Ndërkombëtarët do të zgjidhin çëshjen e kufirit me Kroacinë
Rezultatet zyrtare nga referendumi i së dielës tregojnë se 51.5 për qind e votuesve mbështet arbitrazhin dhe 48.5 për qind e kundërshtojnë atë. Në këtë mënyrë, ndërkomëbarëve u jepet e drejta të zgjidhin konfliktin e kufirit me Kroacinë. Kryeministri slloven Borut Pahor e quajti votimin e së dielës një fitore të madhe për Slloveninë. Ai ka pas thënë më parë se arbitrazhi është zgjidhja më e mirë. Mosmarrëveshja është mbi një territor në gjirin Piran të Adriatikut verior. Tendosja filloi kur të dy vendet fituan pavarësinë gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë në vitin 1991.
Gjiri i Mekskës
BP: Derdhja e naftës kushtoi 1.25 miliardë dollarë
Shpenzimet e deritashme të “British Petroleum” (BP) nga derdhja e naftës në Gjirin e Meksikës kanë shkuar në 1.25 miliardë dollarë, njoftoi kjo kompani e naftës. Në shumën nuk përfshihen 360 milionë dollarët për projektin e ndërtimit të një dige nga rëra për të mbrojtur Luizianën nga njolla e naftës. BP njoftoi se sistemi i ri për pengimin e derdhjes së naftës do të duhej të përfundojë nga mesi i qershorit. Miliona litra naftë janë derdhur në Gjirin e Meksikës prej 20 prillit, pas shpërthimit në platformën e naftës.
Gjermani
Miratohet paketa e kursimeve pre 80 miliardë eurosh
Qeveria gjermane miratoi një paketë kursimesh rekord. Deri në vitin 2014 shteti gjerman duhet të kursejë deri në 80 miliardë Euro. Shkurtime janë paraparë kryesisht në sektorin social, në atë të ndërmarrjeve dhe në administratën e vendit. Ekonomia do të marrë pjesë në financimin e krizës aktuale nëpërmjet një sërë masash, si heqjes së privilegjeve në sektorin energjetik, një takse për fluturimet, që nisen nga Gjermania, një tatimi për sipërmarrjet, që prodhojnë energji bërthamore, apo derdhjes së dividendit të hekurudhës “Deutsche Bahn” në favor të arkës së shtetit.
8 Qershor 2010