E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjidhja e krizës; nga Tirana apo Brukseli?



Ani Ruci

Në Tiranë fillon java e tretë e negociatave qeveri-opozitë-ndërkombëtarë për arritjen e kompromisit për mënyrën si do të bëhet transparenca e zgjedhjeve të kaluara parlamentare dhe për t’i dhënë fund krizës politike. Politologu Blendi Kajsia, pedagog në Universitetin Europian të Tiranës, mendon se pas kësaj zgjidhja do te zgjasë dhe formula e saj do të imponohet nga Brukseli.
Ecuria e deritanishme e negociatave dyjavore Berisha–Rama si edhe opinioni i ekspertëve ligjorë të Brukselit, që erdhën në Tiranë, mbeten tërësisht hermetike nga ndërkombëtarët dhe politikanët vendas. Kërkesa e Dojçe Veles (DW) drejtuar delegacionit te Komisionit Europian në Tiranë dhe ambasadës së Spanjës, vendit që ka presidencën e radhë së BE, se cila është axhenda e kësaj jave dhe cilat janë pritshmëritë e Brukselit, mori përgjigjen: "No comment".

Palët nuk bien dakord për hapjen e kutive të votimit

Por, skadimi i afatit dyjavor, që BE i dha Berishës dhe Ramës për të arritur marrëveshjen lidhur me transparencën e zgjedhjeve të kaluara parlamentare, tregon qartë se palët nuk bien dakord për kërkesën bazë të opozitës: hapjen e kutive të votimit. Në deklaratën, që lideri i opozitës Rama, bëri më 6 qershor në fushatën e tij të re, të titulluar "Hapni kutitë", u duk qartë se në këtë pikë palët nuk kanë lëvizur nga qëndrimet e kundërta.
"Ne jemi gjithmonë të gatshëm për dialog, për kompromis, por asnjëherë për një dialog, që lë jashtë problemin kryesor, që i mbyll rrugën transparencës, por për një dialog, që hap rrugën e transparencës", - tha Rama.

Priten negociata të vështira

Kjo deklaratë e Ramës nga njëra anë dhe ajo e kryeministrit Berisha për djegie të fletëve të votimit në anën tjetër, lënë shkak të supozohet se sa të vështira pritet të jenë negociatat e kësaj jave mes palëve. Blendi Kajsia, politolog, pedagog në Universitetin Europian të Tiranës thotë se pas mosmarrëveshjes për kutitë e votimit ka një konflikt të rëndësishëm. " Hapja ose jo e kutive ka të bëjë me legjitimitetin e zgjedhjeve. Në thelb, kemi mospranim të zgjedhjeve të kaluara. Pozita thotë se ishin legjitime; opozita thotë se nuk ishin dhe provë janë kutitë e votimit", - thotë ai.

Nga buron legjitimiteti i qeverisjes?

Treguesi thelbësor i legjitimitetit të çdo qeverisjeje demokratike janë zhvillimet e brendshme, demokratizimi, zhvillimi i ekonomiko-social i vendit, plotësimi i vullnetit të votuesve. Por, në rastin e Shqipërisë, ka ndodhur që mbi këto zhvillime të marrin vlerë ato të jashtmet dhe sidomos përparimi në procesin integrues euro-atlantik.
"Legjitimiteti i qeverisjeve në Shqipëri matet në raport me BE-në: Sa më shumë i afrohemi BE-së, aq më legjitime quhet qeverisja. Brukseli bëhet automatikisht burim i legjitimitetit", - thotë Blendi Kajsia.
Progresi në procesin e integrimit euro-atlantik duket se nuk është shoqëruar edhe me demokratizimin e jetës politike, për sa kohë palët nuk arrijnë të zgjidhin vetë çështje të brendshme. "Sot kemi një krizë, që detyron ndërhyrjen e faktorit ndërkombëtar si në vitin 1997," - thotë Blendi Kajsia.

Tirana apo Brukseli?
Por faktori ndërkombëtar pret një produkt nga vazhdimi i negociatave Berisha-Rama me ndërmjetësinë e tij. Sado të vështira qofshin këto negociata, BE pret që palët të bashkëveprojnë dhe të bëjnë kompromisin e duhur. Michael Weichert, drejtor në Tiranë i fondacionit gjerman,"Freidrich Ebert" mendon se kompromisi duhet të arrihet në radhë të parë nga sinergjia e vetë politikanëve te Tiranës.
"Nëse Shqipëria dëshiron të bëhet anëtare e BE, elita e saj politike dhe institucionet duhet të jenë të afta të zgjidhin vetë konfliktet e brendshme", - thotë ai. Por, politologu Blendi Kajsia mendon se tanimë kjo nuk ka gjasa të ndodhë. Ai thotë se negociatat mes palëve nuk do të sjellin kompromisin, pasi secila palë po kërkon të fitojë kredi në Bruksel për aq kohë sa BE-ja të arrijë një qëndrim të unifikuar lidhur me krizën ne Shqipëri, qëndrim që ende nuk e ka sot.
"Brukseli pret deri kur zgjidhja e krizës nuk mund të shtyhet më. Atëherë do të dalë me një qëndrim të unifikuar, që do t’ u imponohet palëve. Deri në këtë moment palët luajnë, që të forcojnë pozitën e tyre në raport me Brukselin, përderisa ai është arbitri. Do të presim edhe pak për zgjidhjen e konfliktit, sepse palët janë duke konsoliduar pozicionin e tyre me Brukselin", parashikon politologu Blendi Kajsia.

Marrë nga Dojçe Vele. Titulli i shkrimit është redaksional

8 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›