E Diel, 1 Nëntor 2026

Forcat izraelite vrasin pesë “polumbarë” palestinezë



Ushtria izraelite bëri të ditur se ka vrarë pesë militantë të armatosur palestinezë. Ajo tha se ata po përgatiteshin për të ndërmarrë një sulm nga deti mbi territorin izraelit. Sipas ushtrisë izraelite, militantët palestinezë kishin pajisje zhytësi dhe gjendeshin në një barkë buzë detit të Gazës kur u qëlluan. Ushtria izraelite hapi zjarr, duke i vrarë ata. Krahu ushtarak i lëvizjes palestineze, Fatah, tha se katër anëtarë të tij ishin vrarë, ndërsa një tjetër rezultonte i zhdukur. Incidenti vjen në kohën kur presidenti palestinez, Mahmud Abbas, ndodhej në Turqi për samitin rajonal të sigurisë në vazhdën e reagimeve ndërkombëtare për vrasjen e nëntë aktivistëve turq nga Izraeli në një anije me ndihma që ishte nisur në Gaza. Izraeli kontrollon dhe e mban të pushtuar bregdetin pranë Gazës edhe pas tërheqjes së forcave të tij nga territori në vitin 2005. Nuk është e pazakontë që ushtria izraelite të qëllojë më armë në drejtim të barkave të peshkimit, të cilat beson se po lundrojnë shumë larg detit. Ministri i Jashtëm i Turqisë tha dje se normalizimi i marrëdhënieve me Izraelin “nuk vjen parasysh” nëse Izraeli e refuzon hetimin ndërkombëtar të vërsuljes në flotën humanitare për në Gaza, ku u vranë nëntë turq. Ahmet Davutogllu tha se në qoftë se Izraeli i refuzon hetimet e propozuara nga shefi i OKB-së, Ban Ki Mun, “kjo do të thotë se ka diçka të fshehë”. Ai i bëri këto komente në një konferencë për shtyp me ministrat e Jashtëm të Afganistanit dhe Pakistanit anash samitit për sigurinë rajonale në Stamboll.

8 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›