E Shtunë, 31 Tetor 2026

Llogaritja e saktë e masës së pensioneve të ushtarakëve

Shkeljet që u janë bërë ushtarakëve për pensionet

Kujtim Cako

Kohët e fundit Gjykata Kushtetuese nuk arrin të marrë vendim edhe pas debateve të tensionuara, të dalë në mbrojtje të të drejtave ligjore të ushtarakëve, por ”ngrin” pensionet e ushtarakëve për një kohë të pacaktuar. Edhe këtë radhë nuk u përdor argumenti juridik, por, si gjithmonë, u gjet shkaku, se një nga problemet kryesore ishte ”fatura e lartë financiare”, duke rënduar përsëri gjendjen ekonomike të ushtarakëve. Nuk ka argument juridik, ekonomiko-financiar dhe logjik për shkeljet e deritanishme për pensionet e ushtarakëve nga organet ekzekutive, por përdoret argumenti absurd politik, ky është vendim apo qëndrim politik”. Qëndrime të tilla janë reflektuar deri para organeve gjyqësore, që vonojnë nxjerrjen e vendimeve, nuk përgjithësojnë vendimet e tyre si një e drejtë e pamohueshme.
Me ligjin e 15 majit 2009, ulja e pensioneve varion nga 26% deri në 66% më pak nga sa i takon nga e drejta e fituar prej ligjit organik, nga statusi i ushtarakut.
Kohët e fundit Gjykata Kushtetuese nuk arriti të marrë vendim, edhe pas debateve të tensionuara, të dalë në mbrojtje të të drejtave ligjore të ushtarakëve, por “ngrin” pensionet e ushtarakëve për një kohë të pacaktuar. Edhe këtë radhë nuk u përdor argumenti juridik, por si gjithmonë u gjet shkaku, se një nga problemet kryesore ishte ”fatura e lartë financiare”, duke rënduar përsëri gjendjen ekonomike të ushtarakëve. Gjykata Kushtetuese është shprehur me vendimin e formës së prerë me Nr. 9, datë 26.02.2007, duke iu dhënë të drejtë ushtarakëve, por përsëri organet ekzekutive (Këshilli i Ministrave, ISSH, Ministria e Financave dhe ajo e Mbrojtjes) nuk zbatojnë ligjin, me justifikimin absurd se është një vendim politik i tyre edhe pse ka sjellë përkeqësim të nivelit jetik të ushtarakëve. Nuk mund të flitet që ka pasur probleme financiare. Për shembull, termi spekulativ “faturë e lartë financiare” nuk mund të argumentojë, pasi në zbatim të ligjeve të sigurimeve shoqërore në vitin 2005 dhe 2006, janë miratuar fondet përkatëse, dhe respektivisht, 65 milionë lekë të miratuar me Vendimin e Këshillit të Ministrave, Nr. 384, datë 31.05.2005 dhe 42 milionë lekë, të miratuar me V.K.M., Nr. 459, datë 21.06.2006, të cilat nuk u përdoren për rritjen e pensioneve të ushtarakëve. Pra, nga moszbatimi i dy vendimeve janë “djegur fondet”, gjithsej rreth 107 milionë lekë ose nuk janë përdorur për pagesën e pensioneve të ushtarakëve.
Si pasojë e deformimeve, është llogaritur jo drejt masa e pensioneve të ushtarakëve. Kjo do të thotë se është llogaritur gabim jo vetëm paga referuese, por edhe vjetërsia apo përshtatja me koeficientët e indeksimit. Praktika e deritanishme e organeve të sigurimeve shoqërore flet qartë se kur pensioni për periudhën llogaritëse është më i lartë se 1 apo 2 pensione bazë, nuk merret parasysh. Kjo llogaritje e tillë është gabim pothuajse për të tërë pensionistet e ushtarakëve në pension pleqërie apo pension të parakohshëm. Këtu kemi të bëjmë jo thjeshtë me një llogaritje të gabuar, por me një konceptim të gabuar, apo shkelje flagrante të metodës së llogaritjes së pensioneve, në kundërshtim me kriteret bazë të përcaktuara në ligjin organik për statusin e ushtarakut, të cilat, formalisht janë edhe në ligjin e pensioneve, mbasi kufizimi i mësipërm rrëzon tërë kriteret e mëparshme ligjore të llogaritjes dhe nuk mban parasysh asgjë; as pagën, as vjetërsinë dhe as kontributet e detyruara sociale për pension, të derdhura në vite.

Shkeljet ligjore

Në fushën e pensioneve të ushtarakëve janë shkelur disa parime kushtetuese, si parimi i barazisë, parimi i së drejtës së fituar, parimi i sigurisë juridike, e të tjera, që Gjykata Kushtetuese është shprehur me vendimin e formës së prerë Nr. 9, datë 26.02.2007, duke iu jep të drejtë ushtarakëve.
Një e drejtë tjetër e mohuar, është pensioni suplementar i ushtarakëve që kanë dalë në pension pleqërie para vitit 1991. Ligji i Sigurimeve Shoqërore i majit të vitit 2009, është kundërshtuar në Gjykatën Kushtetuese, me argumente të forta juridike nga Aleanca Kombëtare e Ushtarakëve të Shqipërisë, e paraqitur si palë ankimuese, së bashku edhe me të tërë shoqatat dhe sindikatat e ushtarakëve. Ligji për Sigurimet Shoqërore për Ushtarakët, historikisht ka qenë i veçantë, i papërfshirë në ligjin e përgjithshëm të sigurimeve shoqërore; Pra, nuk ka pasur shtrirje në kohë dhe lidhje me një bazë të gjerë përfshirëse të grup-profesioneve të ndryshme. Rritja artificialisht e numrit përfitues është duke përfshirë jo-ushtarakë, të cilët nuk bëjnë pjesë në strukturat e Forcave të Armatosura, nuk kanë pozitë kushtetuese, dhe nuk trajtohen me Statusin e Ushtarakut. Për pasojë, llogaritja e “faturës financiare” në total, nuk ka të bëjë vetëm me ushtarakët në lirim nga reforma, në pension, në rezervë, dhe veteranë, por edhe me kategori të tjera si: policët, gardistët, zjarrfikësit, punonjësit e pyjeve, e të tjerë.
Në koncept, “Pension Suplementar për ushtarakët” është i pakuptimtë dhe i gabuar, kur këta nuk marrin atë që iu takon, sipas dispozitave ligjore, sipas Statusit të Ushtarakut, të miratuar për herë të parë në vitin 1991 dhe më vonë, në vitin 2004 dhe që kriteret e tyre janë edhe sot në fuqi, për llogaritjen e pensionit të tyre.

Qeveritë dhe ushtarakët
Qeveritë e majta dhe të djathta përfshijnë edhe kriteret teknike, në lidhje me shitjen e një pasurie të konsiderueshme ushtarake, vlerat e arkëtuara deri tan, dhe pse jo, transparente, përfaqësojnë fonde, sipas të dhënave të përafërta që mjaftojnë të përdoren për pagesën e pensionistëve, jo vetëm ushtarakë, por ndoshta, edhe për pensionistët e tërë vendit .
Ekzistojnë edhe burime të tjera financiare, jo pak të konsiderueshme, si dhënia me qira e disa objekteve ushtarake strategjike, në kuadrin e vendeve anëtare të NATO-s.

E drejta e fituar nga ligji-organik “Për Statusin e Ushtarakut”, i cili nuk parashkruhet, nuk humbet, por është cenuar me ligjet e Sigurimeve Shoqërore, me kufizimet në pagesën e pensioneve, me “tavanet juridiko-financiare”, si për shembull, jo më shumë se 1 apo 2 pensione bazë. Kjo ka sjellë nivelim pensionesh në mënyrë krejt të padrejtë. Në vitin 1999, një pensionist në pension pleqërie filloi të marrë 3.800 - 4.000 lekë ( rreth 31 euro) dhe një pensionist ushtarak në pension të parakohshëm mori një pagesë 8.000 lekë (rreth 60 ruro) dhe aktualisht arrin në 100-140 euro për person në muaj.

Efekti financiar i pa zbatuar për 20 vjet nuk do të sillte “faturë të lartë financiare “që diskutohet sot, në se pagesat, sipas ligjeve e vendimeve respektive do të zbatoheshin në kohën e duhur dhe efekti financiar të jetë i ndarë, i veçantë për ushtarakët e Forcave të Armatosura. Nuk mund të trajtohet llogaritja ligjore e pensionit të ushtarakut, në shkelje të parimeve kushtetuese, duke mohuar tërë ligjet e një periudhe afatgjatë, duke përdorur argumente absurde “si përjashtim” ose për “kushtet e një interesi publik apo kërkesat e shtetit social”, si argumente të përgjithshme dhe të gabuara. Kjo do të thotë se shteti social dhe buxheti i tij nuk mund të ndihmohet, duke mos paguar pensionet ligjore të ushtarakëve. Apriori, ky nivelim i pa drejtë nuk mbajti parasysh aspak kontributet e derdhura të sigurimeve shoqërore, të cilat, kanë qenë të diferencuara sipas pagave dhe vjetërsisë së shërbimit respektiv për çdo ushtarak.

Gjyqësori dhe të drejtat e ushtarakut

Vetëm Gjykata Kushtetuese, në vitin 2007 iu ka dhënë të drejtë ushtarakëve. Disa dhjetëra ushtarakë kanë fituar gjyqet në shkallën e parë dhe në Gjykatën e Apelit, me vendime të formës së prerë; si nga Gjykata e Tiranës dhe të rretheve. Këto vendime nuk i kanë zbatuar asnjë herë drejtpërdrejt Instituti i Sigurimeve Shoqërore dhe degët e tij dhe as aktualizojnë kartelat e pensionit të ushtarakëve. Vetëm zyrat e Përmbarimit kanë mundur ti zbatojnë ato. Në tërë botën demokratike në fushën e jurisprudencës ekziston një praktikë e mirënjohur kur një vendim gjykate i jep të drejtë një qytetari ankimues, ai vendim është i vlefshëm për tërë atë grup përfituesish që lidhen me të bëhet një vendim unifikues, pa qenë nevoja të zhvillohen gjyqe të tjera për çdo rast, për çdo ushtarak. Kjo praktikë e drejtë e vendeve të tjera, për fat të keq, nuk gjen zbatim në praktikën e gjykatave të vendit tonë. Këtu do të ishte me vend që organet e larta gjyqësore deri Gjykata Kushtetuese ta shtrijë kompetencën e saj në këtë drejtim, duke ulur burokracinë dhe shpenzimet e mëdha në lidhje me proceset gjyqësore për çdo individ. Për këtë, Aleanca Kombëtare e Ushtarakëve të Shqipërisë, i ka paraqitur kërkesë organeve të drejtësisë që e kanë kompetencë, por deri tani ka qenë një ndërhyrje e pasuksesshme dalja e një vendimi unifikues.

Si llogaritet pensioni

Masa e pensionit nuk është llogaritur në përputhje me vjetërsinë e shërbimit dhe pagën referuese, e cila ka përfshirë dhe përfshin pagën bazë si dhe gjithë shtesat mbi pagën për funksion apo gradë. Masa e pensionit ka qenë e kufizuar dhe është aktualisht në masën e një pensioni maksimal pleqërie apo dy pensioneve minimale në shkallë vendi.
Nga një llogaritje e përafërt rezulton që pensioni kundrejt pagës referuese të jetë sipas Tabelës Nr. 1:

Pensioni suplementar i pleqërisë si ushtarak, i atyre para vitit 1991 ende nuk u jepet edhe pse kjo e drejtë u ka lindur që më 14 maj të vitit 2004.

E drejta ligjore e fituar në kuadrin e shtetit tonë të së drejtës ka lidhje me të drejtën mbi pronësinë. Kjo do të thotë se çdo ushtarak, si pronar i likuiditeteve të pa paguara për pensionin e tij në vite, nuk mund ti mohohet, nuk mund ti parashkruhet . Shteti si debitor duhet ti paguajë atij, qoftë edhe në formën e një depozite kursimi në bankën e shtetit me të drejtë likuidimi me këste në disa vite. Nga një studim i përafërt rezulton që një ushtaraku nuk i paguhen mesatarisht rreth 10.000 mijë lekë në muaj për person për periudhën që statusi ia jep këtë të drejtë. Po japim një përllogaritje për një ushtarak, sipas të dhënave të kartelës së pensionit, sipas tabelës Nr. 2:
Në lidhje me të drejtën e fituar, sipas kësaj mënyre llogaritje, të ilustruar më lart, mund të japim edhe shumë fakte të tjera për ilustrim nga 80 vendime gjykate të fituara dhe që janë të formës së prerë.
Në kushtet kur Shqipëria është një vend anëtar, me të drejta të plota i NATO-s dhe me pretendimin e ligjshëm për tu bërë anëtare e denjë e familjes europiane, në përpjekje për të plotësuar standardet e BE-së, edhe në fushën sociale, shprehim dhe një herë besimin te organet shtetërore dhe te organet e drejtësisë që me autoritetin dhe me profesionalizmin e lartë, do t´i përgjigjen pozitivisht kërkesës tonë, duke i dhënë fund shkeljes ligjore dhe padrejtësisë shumë-vjeçare në trajtimin me pension të parakohshëm dhe pension të plotë pleqërie të ushtarakëve. Nisur nga rezultatet e shoqatës dhe takimet e zotit Jacob, presidenti i EUROMIL, të bëra në Tiranë me Aleancën Kombëtare të Ushtarakëve të Shqipërisë, me personalitete të politikës, me parlamentarë dhe shtetarë, kemi besim dhe shpresojmë që në takimin e Brukselit, nga fundi i Tetorit 2010, Shqipëria të bëhet vendi 26 -kandidat në këtë organizatë evropiane.

Autori i kësaj specialeje është president i shoqatës “Aleanca Kombëtare e Ushtarakëve të Shqipërisë”

8 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›