Arrestimi, pas vdekjes së punëtorit 19-vjeçar
Pa kaluar as 24 orë nga vdekja aksidentale e 19-vjeçarit Xhevit Braushi, policia e Beratit ka arrestuar pronarin e firmës private të ndërtimit ku punonte viktima. Burime të komisariatit të policisë së këtij qyteti bëjnë me dije se rreth orës 20:00 të mbrëmjes të së premtes, u bë arrestimi i Shkëlqim Kajos, 46 vjeç, lindur dhe banues në lagjen "30 Vjetori" të qytetit të Beratit. Arrestimi i tij është bërë pasi është pronar i firmës private të ndërtimit ku punonte 19-vjeçari Xhevit Braushi, firmë e cila sipas policisë nuk kishte marrë masat e sigurisë teknike gjatë punimeve. Pas ngjarjes ku humbi jetën 19-vjeçari që ra nga një solete të cilën po kryheshin punimet për izolimin e saj, policia mësohet se hetoi në vendin e ngjarjes ku rezultoi se pronari i firmës nuk kishte marrë masat e sigurisë gjatë punimeve. Pronari i firmës mësohet se do të përballet me akuzën e "shkeljes së rregullave mbrojtëse në punë", ndërkohë që materialet e kësaj çështjeje i kaluan prokurorisë së rrethit për hetime të mëtejshme. 19-vjeçari ra nga një lartësi prej pesë metrash pasditen e së premtes ndërsa punonte në fshatin Poshnje në rrethin e Beratit për izolimin e një solete.
Mi.H.
Mi.H.