E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nis ndërtimi i kolektorit në qendër të qytetit

Prej disa ditësh në qendër të qytetit të Shkodrës ka nisur puna për ndërtimin e një kolektori të ujërave të bardha. Konkretisht është duke u ndërhyrë në rrugën kryesore të qytetit, te sheshi "Dy Prilli" ku është hapur një kanal i përmasave të mëdha, i cili parashikohet të përfundojë punimet brenda dy muajve. Ndërtimi i këtij kanali kullues mendohet se do të zgjidhë përfundimisht problemin që krijohej në qendër të qytetit, pas reshjeve të shirave. Rruga kryesore përmbytej duke krijuar probleme për kalimin e qytetarëve, por dhe të automjeteve. Në lidhje me këtë investim, zëdhënësi i Bashkisë së Shkodrës, Ridvan Dibra, shprehet se: "Ky investim kap shifrën e 40 milionë lekëve dhe është financim i buxhetit të shtetit. Me këtë ndërhyrje qendra e qytetit nuk do ketë asnjë problem për sa u përket përmbytjeve të vogla që krijoheshin në disa pjesë të saj. Nga ky investim do të kenë përfitim dhe rrugët dytësore që lidhen me qendrën, pasi ujërat e bardha të këtyre rrugëve do të shkarkohen te ky kolektor i madh". Pas përfundimit të punimeve, pritet që qendra e Shkodrës të ketë një tjetër pamje, pasi përveç zgjidhjes se kullimit të ujërave do të bëhet dhe asfaltimi i rrugës. Ndërkaq, është në përfundim ndërtimi i shatërvanit që ka zëvendësuar monumentin e "Pesë Heronjve të Vigut". Shatërvani është bërë me një financim prej 45 milionë lekësh, të cilat janë akorduar nga buxheti i Bashkisë së Shkodrës. Drejtuesit e pushteti vendor kanë deklaruar se me këto investime qyteti të marrë një pamje bashkëkohore dhe më moderne.

Ar.Ho.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›