Arrestohen 31 shtetas që shisnin lëndë narkotike pranë shkollave në Tiranë

TIRANË, 27 shtator/ATSH/ Pas katër muajsh hetime u finalizua operacioni policor i koduar “Shkolla të Pastra”, i zhvilluar nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës.
Në kuadër të këtij operacioni janë identifikuar 52 shtetas, të dyshuar si pjesëtarë të disa grupeve që merreshin me shitjen e lëndëve narkotike pranë shkollave 9-vjeçare dhe të mesme, si dhe në zona të ndryshme të kryeqytetit.
Për 31 prej tyre janë ekzekutuar masat e sigurisë “Arrest në burg”, ndërsa 14 shtetas të tjerë, të identifikuar gjatë hetimeve si pjesë e këtyre grupeve, janë shpallur në kërkim. Policia vijon punën për kapjen e tyre.
Gjatë fazës hetimore janë arrestuar edhe 7 shtetas të tjerë, ndërsa hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale.
Sipas Policisë së Tiranës, gjatë periudhës hetimore dhe gjatë ekzekutimit të masave të sigurisë janë sekuestruar 1 kilogram e 75 gramë heroinë, 1 kilogram e 265 gramë kokainë dhe 685 gramë Cannabis Sativa.
Gjithashtu, janë sekuestruar një armë zjarri pistoletë, 90 fishekë, dy peshore elektronike, 12 automjete, 35 telefona celularë dhe sende të tjera të kundërligjshme.
Nga hetimet është dokumentuar se lënda narkotike shpërndahej pranë shkollave dhe në zona të ndryshme të Tiranës. Në disa raste, për të shmangur vëmendjen e shërbimeve policore në terren, shpërndarja kryhej nëpërmjet monopatinave, si dhe shërbimeve taxi dhe delivery.
Policia bëri të ditur se për 31 shtetasit ndaj të cilëve u ekzekutuan masat “Arrest në burg” janë: G. J., 48 vjeç; E. B., 34 vjeç; E. O., 48 vjeç; B. K., 41 vjeç; E. V., 27 vjeç; D. Sh., 30 vjeç; A. K., 32 vjeç; E. H., 29 vjeç; J. N., 29 vjeç; Sh. Ç., 45 vjeç; E. H., 39 vjeç; E. M., 21 vjeç; F. P., 22 vjeç; K. M., 22 vjeç; R. T., 19 vjeç; K. M., 33 vjeç; I. D., 35 vjeç; F. Xh., 36 vjeç; B. M., 22 vjeç; I. A., 21 vjeç; A. L., 21 vjeç; S. A., 31 vjeç; E. T., 49 vjeç; A. P., 34 vjeç; V. M., 43 vjeç; D. M., 52 vjeç; E. P., 33 vjeç; N. Sh., 32 vjeç; A. K., 37 vjeç; T. A., 24 vjeç dhe V. R., 23 vjeç.
Ndërkohë, gjatë fazës hetimore janë ndaluar edhe shtetasit K. C., G. M., Zh. P., E. T., D. Sh., D. F. dhe M. T.
Për 14 shtetasit e tjerë të identifikuar nga hetimet, policia nuk ka bërë të ditura gjeneralitetet, për shkak se hetimi vijon. Ata janë shpallur në kërkim dhe puna vijon për kapjen e tyre.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.
Policia e Tiranës thekson se do të vijojë kontrollet dhe hetimet për garantimin e sigurisë në shkolla dhe parandalimin e goditjen e veprimtarive kriminale që cenojnë sigurinë e nxënësve.
/k.s/a.f/