E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama thërret mbledhjen e grupit. PS pritet të miratojë listën e saj

Gazeta Shqip

Kreu i PS-së: Të caktohen modalitetet, e më pas një kornizë emrash

Lideri i opozitës, Edi Rama, ka thirrur mbledhjen e grupit të PS-së për të diskutuar për qëndrimin e opozitës në raundin e tretë të votimit të Presidentit. Burime në selinë rozë bëjnë të ditur se sot në mesditë është thirrur një mbledhje e grupit parlamentar të PS-së, ku do të merret një vendim i rëndësishëm për qëndrimin që do të mbahet në seancën e së enjtes, ku do të vendoset edhe data e zhvillimit të raundit të tretë. Në fakt, qëndrimin e opozitës, e ka paralajmëruar edhe nënkryetari i grupit parlamentar socialist, Erion Braçe, i cili duke folur në emisionin Shqip të gazetares Rudina Xhunga në Top Channel deklaroi se: Kryeministri duhet të zgjidhte në bazë të një liste të paraqitur nga opozita. Në mbledhjen e sotme të grupit do të vendoset edhe qëndrimi që do të mbahet në lidhje me votimin e datës së seancës së tretë të zgjedhjes së Presidentit, ku opozita kërkon 10 qershorin, ndërsa mazhoranca, të premten më 8 qershor. Në fakt, në mes këtyre dy datave, me rëndësi është data 7 qershor, pikërisht dita e mbledhjes së seancës parlamentare, ku në Shqipëri do të zhvillojë një vizitë, zyrtari i lartë i Bashkimit Europian, Stefano Sanino, i cili vjen si i dërguar i komisionerit për zgjerimin, Stefan Fule. Pikërisht pas vizitës së Saninos në Tiranë, pritet që të zhvillohet edhe raundi i dytë i bisedimeve ndërmjet Ramës dhe Berishës për tu përpjekur për arritjen e një konsensusi për Presidentin e ri të Republikës. Siç mësohet, gjatë vizitës që do të zhvillojë në Tiranë, drejtori i Zgjerimit të Komisionit Europian, do të zhvillojë takime me Kryeministrin Berisha dhe liderin e opozitës, Edi Rama.

Rama

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka deklaruar dje se do të duhet të ndërtohet një ofertë serioze për zgjedhjen e presidentit të ri me një numër të caktuar emrash. Duke folur në edicionin special të Top Story, Rama deklaroi se Ne i themi palës tjetër: na jepni mundësinë, t’ju japim konsensus, duke na krijuar kushtet për një zgjedhje më të gjerë, pra përtej një emri të vetëm. Në momentin kur kjo ndodh, pa dyshim që krijohen kushtet që ne të jemi pro-aktivë, edhe në një proces identifikimi të produktit. Presim që pala tjetër të hapet përtej Zaganjorit dhe të një modaliteti, që e shmang atë historinë ‘ngri emra e ul emra’, të kontribuojmë konkretisht qoftë për të dhënë konsensus, për një emër të përshtatshëm që propozohet nga pala tjetër, apo palët e tjera, qoftë për të kontribuar edhe ne, në kushtet kur kemi rënë paraprakisht dakord, se do ta zgjedhim presidentin me konsensus dhe për këtë arsye po hapemi përtej këtij kandidati. Këtu nuk bëhet fjalë që ne të përzgjedhim mes listës që sjell PD-ja, këtu bëhet fjalë që në radhë të parë ne të biem dakord, për një kornizë brenda së cilës ndërtohet pastaj edhe një ofertë me një numër të caktuar emrash. Kjo kornizë është shumë e rëndësishme çfarë presidenti duam dhe cili është presidenti potencial, që plotëson ato kushte për të cilat të dy palët kanë nevojë në një konsensus, por më shumë se kaq që plotëson kushtin për të qenë një garant i palëve, i institucioneve dhe i unitetit kombëtar.

Arvizu

Në fakt, këtë qëndrim lideri i opozitës mësohet që ka mbajtur edhe me ambasadorin e SHBA-së në Tiranë, Aleksandër Arvizu, i cili pas daljes nga selia rozë ka cilësuar se përpjekjet mes palëve kanë qenë serioze. Kam ndjekur me shumë vëmendje deklaratat e Kryeministrit Sali Berisha dhe kryetarit të PS-së, Edi Rama, pas takimit të zhvilluar të dielën në mbrëmje. Ajo që ata kanë thënë është përforcim i asaj që SHBA kishte thënë”, tha Arvizu për mediat. Ambasadori i SHBA u shpreh se Rama dhe Partia Socialiste meritojnë vlerësimin se nuk kërkojnë domosdoshmërisht një person që i përket së majtës, e po ashtu vlerësim, sipas ambasadorit, meriton edhe PD dhe Kryeministri Berisha, që e kanë bërë të qartë në përpjekjet e tyre propozimin e një kandidati që nuk përfaqëson interesat e ngushta të partisë.

Arvizu

Ambasadori i SHBA-së u shpreh se Rama dhe Partia Socialiste meritojnë vlerësimin se nuk kërkojnë domosdoshmërisht një person që i përket së majtës

1

Mbledhja - Sot në orën 12.00 do të mblidhet grupi parlamentar i Partisë Socialiste, i cili do të vendosë për seancën e tretë për zgjedhjen e Presidentit

2

Sanino – Pikërisht të enjten, më 7 qershor në Tiranë do të mbërrijë i dërguari i komisionerit Fule, Stefano Sanino, i cili do të takohet me Berishën dhe Ramën

3

Takimi  - Pas takimeve të Saninos pritet të vendoset data e re e kontaktit të nivelit të lartë ndërmjet krerëve të mazhorancës dhe të opozitës për presidentin

4

Braçe - Nënkryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Erion Braçe, deklaroi në emisionin Shqip se Kryeministri duhet të zgjedhë nga lista e opozitës

Rama thërret mbledhjen e grupit. PS pritet të miratojë listën e saj burimi: Gazeta Shqip

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›