E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta: Do të votojmë kandidatin Zaganjori edhe me 71 vota

Gazeta Shqip

Qëndrimi

Kreu i LSI-së: Opozita të bëhet aktive. Ne skemi më emra

Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, ka deklaruar dje se nëse palët nuk do të arrinin konsensus as në raundin e tretë për Presidentin e Republikës, atëherë partia e tij do të votonte në raundin e katërt, kur kërkohen vetëm 71 vota për kandidatin e mazhorancës, Xhezair Zaganjori. Këtë deklaratë Meta e ka bërë dje pas përfundimit të seancës së Parlamentit, duke folur në një lidhje direkte në Vizion Plus. Ndërkohë, duke folur për Top Story, Meta ka thënë se opozita duhet të paraqesë një kandidaturë.

Ky proces kërkon edhe një opozitë interaktive që propozon një kandidat për president. Mazhoranca nuk është refraktare për propozimet që mund të vijnë nga opozita, tha Meta.

Meta theksoi se Xhezair Zaganjori është kandidaturë e mazhorancës dhe shtoi se rrallë një person kombinon aftësi të tilla për të qenë në krye të shtetit. Por, kreu i LSI-së, në mënyrë indirekte ka kritikuar liderin e opozitës, Edi Rama, për një qëndrim të tijin për rrëzimin e qeverisë aktuale. Meta, po në Top Story theksoi se të dielën ka pasur një hap pozitiv, por në rast se takimi Berisha-Rama do të ishte zhvilluar më parë dhe nuk do të ishte publikuar editoriali i Ramës, ku ky i fundit bënte thirrje për rrëzimin e qeverisë para 28 nëntorit, atëherë kreu i vendit do të zgjidhej me konsensus më herët. Ndërkaq, menjëherë pas deklaratave të nxehta pas seancës me tym të zi, kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, ka dalë në një konferencë zyrtare për shtyp në selinë e partisë së tij, ku ka ftuar sërish opozitën që të jetë aktive në procesin e Presidentit. Në radhë të parë do të doja të vlerësoja takimin midis z. Berisha dhe z. Rama, dhe vullnetin e shprehur përsëri nga të dyja palët për të gjetur një zgjidhje konsensuale. Në këtë drejtim mendoj që ekzistojnë të gjitha mundësitë që kjo zgjidhje të vijë në raundin e tretë, pasi dhe përqendrimi i të gjithë faktorëve mendoj që do të jetë më i lartë në ditët që vijnë. Kjo kërkon dyfishimin e përpjekjeve nga të gjithë për të ecur drejt kësaj zgjidhjeje. Lidhur me qëndrimin e mazhorancës dua të theksoj faktin që mazhoranca ka bërë një kapërcim të madh, i cili duhet vlerësuar, duke dalë nga kandidaturat politike, të cilat mazhorancës natyrisht nuk i mungojnë, dhe duke përzgjedhur, pas diskutimit të emrave të tjerë gjithashtu, një figurë tepër bindëse, si kjo e z. Xhezair Zaganjori, me bindjen se përfaqëson standarde të larta për postin e Presidentit, por edhe njëkohësisht me bindjen që është një figurë që nuk ka asnjë arsye të rëndësishme për të mos u pranuar apo për tu kontestuar.  Megjithatë, ky është një proces. Procesi është i dyanshëm. Procesi nuk ka qenë perfekt deri më tani, por kjo nuk do të thotë se duhet të qëndrojmë te paragjykime të cilat mund të ktheheshin në pengesë për gjetjen e konsensusit. Në këtë drejtim është e rëndësishme që opozita njëkohësisht të jetë interaktive që edhe ajo, nga ana e saj, të bëjë propozimet e saj, sepse mazhoranca nuk është refraktare.

Meta: Do të votojmë kandidatin Zaganjori edhe me 71 vota burimi: Gazeta Shqip

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›