E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestohen për falsifikim të pagesave të TVSH-së

Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona, një kosovar dhe një shtetas të huaj, si të dyshuar për veprat penale “falsifikim i dokumentit zyrtar”, “mashtrim në detyrë” dhe “bashkëkryerje”.

“Hetuesit e Drejtorisë së Hetimeve të Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit nga Njësia e hetimeve rajonale në Prishtinë me urdhër të Prokurorit Publik të Qarkut ka bërë arrestimin e dy personave të dyshuar A. D. 1972 shtetas i Bosnjës dhe Kroacisë (dyshtetësi) dhe A. K. 1962, shtetas i Republikës së Kosovës, për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale Falsifikim i dokumentit zyrtar nga neni 348, Mashtrim në detyrë nga neni 341, Bashkëkryerje nga neni 23 i KPPK-së”, njofton policia, nëpërmes një komunikate për shtyp.

Arrestimi ka ardhur si vazhdimësi e hetimeve disajavore në kërkim të provave dhe elementeve tjera të nevojshme, për inicim të procedurës penale ndaj të dyshuarve, për përfshirje në veprat penale falsifikim i dokumentit zyrtar, mashtrim në detyrë dhe bashkëkryerje.

Hetimet e deritashme kanë treguar se të dyshuarit kanë arritur që në bashkëpunim dhe në mënyrë të kundërligjshme të falsifikojnë fatura dhe t’i evidentojnë në librat përkatës të blerjes dhe të shitjes në emër të firmës “Grunaja”, Suharekë, duke llogaritur tatimin në vlerën e shtuar –TVSH, me ç’rast në mënyrë të pavërtetë dhe pa bazë juridike kanë llogaritur shumën e parave, kinse të TVSH-së. Këtë shumë, me rastin e eksportit që ka bërë kompania, e ka realizuar rimbursimin nga ana e ATK-së, duke përfituar shumën prej 71 288, në dëm të buxhetit të Kosovës.

“Të gjitha faturat e blerjes për të cilat dyshohet se janë fiktive – të rrejshme janë të përpiluara në emër të firmave që kanë selinë në pjesën veriore të Mitrovicës”, saktëson komunikata.

Në konsultim me prokurorin e qarkut, të dyshuarit janë dërguar në qendrën e ndalimit ndërkohë që janë duke u përgatitur të gjitha procedurat penale ndaj tyre.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›