E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hipoteka, procedurë e re për pagesat

03/03/2010 Të gjithë individët apo subjektet që duan të përfitojnë shërbime, pagesat duhet t’i kalojnë në sistem

Urdhri i ri saktëson se për shërbimet mbi 1 mijë lekë derdhja e parave do të bëhet me faturë në bakë

Të gjitha pagesat me vlerë mbi 1 mijë lekë që qytetarët duhet të derdhin për shërbime të ndryshme pranë zyrave Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme do të kalojnë vetëm nëpërmjet bankave. Për të lehtësuar procedurat si dhe në zbatim të ligjit është vendosur që të gjitha këto pagesa të kalojnë nëpërmjet sistemit bankar. Në një njoftim të nisur dje nga Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme bëhet e ditur se procesi në fjalë ka filluar të aplikohet prej disa ditësh në të gjitha zyrat Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Në zbatim të të gjitha detyrimeve ligjore, prej disa ditësh ZVRPP-të kanë filluar të pajisin paraprakisht të gjithë individët/subjektet më “Faturë Arkëtimi” për të gjitha të ardhurat jotatimore (të ardhurat nga shërbimet që ofron çdo ZVRPP, gjobat) dhe të ardhurat nga taksat lokale. Udhëzimi për zbatimin e buxhetit të vitit 2010 saktëson se “për të ardhurat jotatimore që krijohen gjatë vitit, njësitë shpenzuese duhet të pajisin paraprakisht individët ose subjektet me “Faturë arkëtimi” dhe një kopje të saj e dërgojnë në degët respektive të Thesarit. Individët ose subjektet duhet të paraqiten në sportelet e bankave për të realizuar derdhjen/transfertën e mjeteve monetare në llogaritë e Thesarit. Për arkëtimet mbi 1000 lekë, institucionet buxhetore duhet të operojnë nëpërmjet sistemit bankar ose shërbimit postar (në bazë të një marrëveshje të institucioneve me postën)”. Në këtë kuadër, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme u tërheq vëmendjen individëve ose subjekteve aplikues se duhet të paraqiten në sportelet e bankave për të realizuar derdhjen ose transfertën e mjeteve monetare në llogaritë e Thesarit, vetëm pasi të jenë pajisur nga ZVRPP-të me “Faturën e Arkëtimit”. Fatura përmban një sërë komponentësh, ku përveç numrit, datës dhe bankës që i drejtohet, saktësohet se me anë atë këtij dokumenti i kërkohet institucionit në fjalë që të pranojë nga klientët arkëtime të të ardhurave për llogari të ZVRPP-së. Në kuadër të reformimit të punës në shërbim të klientëve ZQRPP-ja ka nisur zbatimin e Projektit të Regjistrimit Fillestar të Pasurive të Paluajtshme që financohet nga Banka Botërore nëpërmjet Projektit për Administrimin dhe Menaxhimin e Tokës. Ky projekt në bashkëpunim më Zyrën Qendrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme i mundëson gjithsecilit posedues pasurie të paluajtshme regjistrimin e saj brenda 45 ditëve. Në funksion të realizimit të qëllimit të këtij projekti në Shqipëri po ndërtohet Sistemi i Ri i Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme bazuar në Ligjin Nr. 7843, datë 13. 07. 1994 “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme” (i ndryshuar). Baza e këtij sistemi krijohet nëpërmjet procedurës së Regjistrimit Fillestar të Pasurive të Paluajtshme nën drejtimin e Kryeregjistruesit të Shqipërisë.

Projektet

Paralel me projektin e Regjistrimit Fillestar të Pasurive të Paluajtshme, financuar po nga BB-ja po zhvillohet edhe projekti “Fushata e Ndërgjegjësimit Publik për të mbështetur regjistrimin e pasurive të paluajtshme”. Ky projekt tjetër realizohet për të mbështetur ndërgjegjësimin publik dhe pjesëmarrjen e pronarëve në procesin e Regjistrimit Fillestar të pasurive të tyre.

Pronat

Shqipëria ka më shumë se 4.5 milionë prona të ndara në 36 rrethe dhe rreth 3000 zona kadastrale. Çdo rreth ka një Zyrë Regjistrimi të Pasurive të Paluajtshme (ZRPP) dhe një Regjistrues, i cili mbikëqyr regjistrin për zonën e tij. Zyra Qendrore e Pasurive të Paluajtshme (ZQRPP) drejtohet nga Kryeregjistruesi, i cili emërohet nga ministri i Drejtësisë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›