E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpërthimi i gazit shkatërron një lokal

Një shpërthim i fuqishëm gazi ka shkatërruar plotësisht një restorant në qytetin e Korçës. Dy persona kanë mbetur të plagosur nga forca e shpërthimit. Sipas specialistëve, incidenti ka ndodhur kur depozita e kaldajës po furnizohej me gaz nga një autobot. Çarja e një tuboje mendohet se ka shkaktuar përhapjen e gazit në ambient me një forcë aq të madhe sa që të gjithë xhamat e lokalit janë thyer dhe skeletet prej duralumini të dyerve dhe dritareve janë shkulur vendit. Të ndodhur në ambientet e brendshme të lokalit kur po kryhej mbushja e kaldajës, kuzhinierja dhe një kaldajist kanë qenë të parët që janë prekur nga dëmtimet. Forca e madhe goditëse u ka shkaktuar atyre dëmtime të pjesshme në gjymtyrë dhe pjesën e sipërme të trupit. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 10:30 të paradites së djeshme ndërsa shpërthimi ka dëmtuar edhe dy makina të cilat ndodheshin të parkuara në afërsi të lokalit. Restoranti në afërsi të varrezave ka pësuar dëme të mëdha materiale për shkak të shpërthimit të gazit, por fatmirësisht në atë moment nuk ka pasur asnjë zjarr të ndezur në ndërtesë, çka ka shmangur një shpërthim të dytë edhe më shkatërrues. Dëshmitarët tregojnë se gazi nuk është përhapur deri në lartësi, por forca shpërthyese ka qenë e menjëhershme nga poshtë pas rënies në tokë të tubit që furnizonte kaldajën. "Isha në lokal për të pirë një kafe. Punëtori po bënte furnizimin me gaz të kaldajës kur u dëgjua një zhurmë dhe menjëherë një shpërthim i fortë. Aty kishte rrjedhje të gazit. Kam pësuar vetëm shembje nga forca e shpërthimit dhe dola me vrap jashtë nga frika se mos shpërthente zjarr", thotë Shabani, i vetmi klient që ndodhej në momentin e ngjarjes në brendësi të lokalit. Policia tha se është konstatuar një çarje në tub që mund të jetë bërë edhe shkak për daljen me presion të gazit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›