E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestohen vrasësit e kambistit në Durrës

11/05/2009  Autorë 2 vëllezër dhe një shtetas i tretë. E grabitën më pas e vranë

Viktimës iu bë pritë në shkallët e pallatit ku jetonte

DURRES- Dy vëllezër nga Elbasani dhe një person tjetër nga Durrësi janë arrestuar gjatë orëve të pasmesnatës e në mëngjesin e hershëm nën akuzën e vjedhjes me pasojë vdekjen dhe mbajtjes pa leje të armëve e municioneve. Forca speciale nga Drejtoria e Policisë së Shtetit dhe agjentë të Antikrimit e të Antiterrorist në Ministrinë e Brendshme kanë udhëtuar drejt Durrësit në mbrëmjen e së shtunës për të zbardhur vrasjen e kambistit Agush Hyzoti. 45-vjeçari Hyzoti i vetëpunësuar në një agjenci këmbimi valute është vrarë me automatik në shkallët e pallatit të tij pasi i janë grabitur 20 mijë euro dhe 1 milion lekë. Gjatë gjithë natës të së shtunës dhe deri në mëngjesin e së dielës efektivat speciale janë vënë në kërkim të shtetasve Luis Vangjeli, Kevin Ranxha e Marvin Ranxha. Të tre këta persona janë akuzuar për vrasjen e shtetasit Agush Hyzoti ngjarje e ndodhur rreth orës 16.30 të së shtunës. Burime nga policia kanë bërë të ditur se Lusi Vangjeli, 25 vjeç, i lindur dhe banues në lagjen numër 11 në qytetin e Durrësi është arrestuar në banesën e vjehrrit të tij në Shkozet. Pas tij në pranga janë vënë edhe vëllezërit Kevin Ranxha 32 vjeç dhe Marvin Ranxha 25 vjeç të lindur e banues në Elbasan. Pas një pune intensive Policia e Antikrimit ka akuzuar tre shtetasit e arrestuar si bashkëpunëtor në grabitjen e më pas të vrasjes së kambistit. Vrasja e Agush Hyzotit ka ndodhur në shkallët e pallatit të tij që gjendet fare pranë gjykatës dhe Prokurorisë së Durrësit. Mbi 45-vjeçarin është shtënë me armë automatike dhe si pasojë e plumbave që ka marrë nga në distancë shumë e afërt kambisti ka vdekur pa shkuar në duart e mjekëve. Burime policore thonë se atij i është bërë pritë në shkallë në kohën që ai ishte drejtuar për të shkuar në shtëpi. Fillimisht ai është grabitur dhe më pas edhe është vrarë me kallashnikov. Xh. Gradica

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›