E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi apelon drejtësinë: pavarësi nga politika!

11/05/2009  Ministri i Drejtësisë mungon në takimin e organizuar për gjyqtarët

Presidenti i Republikës Bamir Topi u ka kërkuar përfaqësuesve më të lartë të sistemit të drejtësisë të jetë të pavarur dhe të kenë integritetin e tyre personal. Numri një i shtetit shqiptar e bëri këtë apel gjatë pritjes që organizoi dje në Pallatin e Brigadave me rastin e Ditës së Drejtësisë, ku ishin ftuar krerët më të lartë të institucioneve të drejtësisë në vendin tonë, përfaqësues të tyre si dhe të organizatave ndërkombëtare. Ndërkohë gjatë pritjes ra në sy mungesa e Ministrit të Drejtësisë Enkelejd Alibeaj, i cili ka pasur jo pak fërkime me kreun shtetit, qoftë në KLD, por qoftë dhe për ligje të ndryshme. Sipas Presidentit, drejtësisë i është dashur të përballojë probleme nga më të ndryshmet, duke përmendur në këtë kontekst edhe rastet kur çështje mjaft të rëndësishme kanë futur në debat dhe politikën me institucionet e drejtësisë. Pasi ka theksuar kërkesën e të gjithëve se “gjyqësori dhe sistemi i drejtësisë duhet të jenë të pavarura”, kreu i shtetit ka thënë se kjo mund të shikohet në dy këndvështrime. “Pavarësi nga politika, pavarësi nga klanet e caktuara ekonomike, por nga ana tjetër duhet të shikohet edhe si një pavarësi që varet totalisht nga individi që punon në sistemin e drejtësisë. Binomi i pavarësisë do të realizohej atëherë kur çdo prokuror dhe gjykatës do të ndihet i pavarur në integritetin e tij. Sigurisht, njerëzit e thjeshtë kërkojnë drejtësi, sepse ata që kanë mundësi e ndjekin në rrugë të tjera. Ju bëj thirrje që të jeni të pavarur dhe të jepni drejtësinë njësoj për të gjithë”, - kërkoi ai. Por në rreshtat kushtuar falënderimit për të gjithë ata punonjës të drejtësisë që punojnë me përkushtim, presidenti Topi kishte rezervuar edhe shqetësimin se ende sot sistemi i drejtësisë haset me pazare të vogla. “Nuk mungojnë rastet kur në çastet e emërimit janë shumë të predispozuar, ndërsa kur ushtrojnë veprimtarinë e tyre sigurisht që nxjerrin mangësi. Pra, para se të demonstrojë standarde të tjera, duhet të demonstrojë standardin e karakterit. Kështu që përballoni me karakter të fortë dhe disiplinë të gjitha sfidat që ka sistemi i drejtësisë! Përkushtojuni çështjeve të rëndësishme, parimore dhe largojuni sa më shumë çështjeve sekondare, që kanë të bëjnë me pazare të vogla, që ne i ndeshim sot tek-tuk në sistemin e drejtësisë”, - vijoi Topi.

Në pritjen e djeshme morën pjesë kryetari i Gjykatës Kushtetuese Vladimir Kristo, kryetarja e Gjykatës së Lartë Shpresa Beçaj, prokurorja e përgjithshme Ina Rama, zëvendëskryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë Kreshnik Spahiu, Avokati i Popullit Ermir Dobjani, anëtarë të tjerë të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, të Gjykatës së Lartë, kryetarë dhe gjyqtarë të gjykatave të rretheve gjyqësore dhe të Apelit, prokurorë të rretheve, drejtues të Shkollës së Magjistraturës, të Dhomës së Avokatisë e të Noterëve, përfaqësues të trupit diplomatik në Tiranë, të organizatave ndërkombëtare, të misioneve ndihmëse juridike, të medies etj. Dita e Drejtësisë, 10 maji, është përkujtimore e datës kur akti i parë ligjor shqiptar u dekretua nga qeveria e Ismail Qemalit më 1913.

Kontribuesit

Kreu i shtetit në fjalën e tij nuk falënderoi vetëm gjykatësit, prokurorët, punonjësit e policisë dhe të gjithë ata që i janë atashuar sistemit të drejtësisë në të gjitha strukturat administrative, por edhe politikën. “Është dita për të vlerësuar të gjithë kontribuesit dhe aktorët e politikës, aktorët profesionistë, por dhe opinionin publik”, - tha ai.

Historiku

Dje u mbushën 96 vjet nga themelimi i sistemit të drejtësisë në Shqipëri. Pikërisht 96 vjet më parë Kanuni i Zhurisë, që erdhi si një krijim i qeverisë së Ismail Qemalit, solli bazat e sistemit të drejtësisë. Data 10 maj është përkujtimore e datës kur akti i parë ligjor shqiptar u dekretua nga qeveria e Ismail Qemalit në vitin 1913.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›