Pasuria, ja deklarimet e Sefgjinit dhe kreut të SHIK
Kreu i SHISH mban 40 milionë lekë në shtëpi
Arben Sefgjini paguan kredinë që nga koha kur drejtonte SHIK-unë e Tiranës në vitin 1996
TIRANË- Kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Bahri Shaqiri, duket se është një nga njerëzit më të sigurt në Shqipëri por që nuk beson në sistemin bankar. Ai ka shpërndarë agjentët e tij në të gjithë vendin dhe për këtë gjë ka krijuar një siguri të madhe se askush nuk mund ta grabisë. Për këtë arsye kreu i SHISH mban në shtëpi një shumë prej 40 milionë lekësh të vjetra. E vetmja lidhje që ka ai me bankat është një kredi e marrë në vitin 2004. Edhe këtë kredi ai e ka marrë në bankën më të sigurt të mundshme, Bankën e Shqipërisë. Një kredi të ngjashme ka marrë një ish- kreu i SHIK-ut të Tiranës, tashmë Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve. Arben Sefgjini, i akuzuar nga prokuroria për rrëmbimin dhe torturimin e biznesmenit shqiptaro- maqedonas Remzi Hoxha ka marrë një kredi që në kohen ku mbante postin drejtues në SHIK, në vitin 1996 dhe shlyerja do të kryhet brenda vitit 2026. Të gjitha këto të dhëna janë shënuar në deklarimet e tyre të pasurive.
Shaqiri
Kreu i SHISH-it, Bahri Shaqiri ka shënuar në deklarimin e tij të pasurisë së këtë vit ka blerë një garazh për makinën e tij në shumën e 12 mijë eurove. Por e veçanta e pasurisë së tij është një shumë prej katër milionë lekësh të reja, të cilën ai e mban në shtëpi. Në një kohë kur pjesa më e madhe e njerëzve depoziton kursimet e tyre në bankë, kreu i Inteligjencës shqiptare është më i sigurt që t'i lërë paratë në banesë. Por Shaqiri ka marrë një kredi në bankë që në vitin 2004. Gjatë vitit të kaluar financiar ai ka paguar 161.568 lekë të reja ndërsa shuma që ka për të paguar është shumë herë më e madhe. Shaqirit i kanë mbetur pa paguar në bankë edhe 4.3 milionë lekë të reja. Të ardhurat e kreut të SHISH-it gjatë këtij viti kanë qenë në shumën e 1.788.080 lekëve të reja dhe këtyre u shtohen edhe të ardhurat nga pensioni i babait, 360 mijë lekë të reja në vit. Por paga më e lartë në familjen Shaqiri nuk është ajo e kreut të shërbimit. Bashkëshortja e tij, e cila punon në Bankën e Shqipërisë, ka marrë gjatë këtij viti pak më shumë se tre milionë lekë të reja në paga e shpërblime. Në total të ardhurat e familjes së kreut të SHISH janë 5.198.080 lekë të reja.
Sefgjini
Ish- kreu i SHIK-ut të Tiranës e tashmë Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Arben Sefgjini, ka pasur një vit shumë më të trazuar financiarisht. Në dhjetor të vitit të kaluar ia ka shitur makinën e tij për shumën e 200 mijë lekëve. Sipas deklarimit zyrtar të pasurisë, Sefgjini ka gjendje në dy llogaritë e tij bankare shumën e 1.058.077 lekëve të reja. Në kohën kur drejton SHIK-un e Tiranës, Sefgjini ka marrë edhe një kredi të majme. Që nga viti 1996 e deri më tani ai ka paguar një pjesë të kredisë që zgjat 30 vjet ndërsa i kanë mbetur pa paguar edhe 2.684.732 lekë të reja. Të ardhurat e familjes Sefgjini për vitin e kaluar janë përbërë nga pagat e tij dhe të bashkëshortes. Sefgjini ka përfituar gjatë një viti 788.331 lekë të reja në kohën kur ishte Drejtori i Përgjithshëm i Përmbarimit dhe 90 mijë lekë nga pjesëmarrja në Këshillin Bashkiak të njësisë nr. 7. Më vonë ai ka marrë detyrën e kreut të Tatimeve. Por edhe në këtë rast rroga më e madhe në familje është ajo e bashkëshortes, e cila ka marrë për një vit 1.038.566 lekë të reja si zv/drejtor i përgjithshëm i APP-së.
Poni kursen 1.6 milionë lekë në një vit
TIRANË- Zv/ministri i Brendshëm, Ferdinand Poni ka arritur që të kursejë këtë vit shumë të konsiderueshme financiare. Sipas deklarimit të pasurisë së tij, gjatë vitit të kaluar ai dhe e shoqja kanë kursyer 600 mijë lekë të reja dhe tetë mijë euro, të cilat i kanë vendosur në llogaritë bankare që kanë pasur. Ndërkohë të ardhurat në familjen Poni vijnë nga një sërë burimesh të ndryshme. Edhe pse shumat nuk kanë qenë të mëdha, familja Poni ka marrë nga tetë burime të ndryshme financiare 2.569.273 lekë të reja. Kësaj shume i shtohet edhe paga e bashkëshortes si konsulent në një firmë, 14.400 euro në vit. Ndryshe nga pjesa më e madhe e politikanëve, Poni nuk ka kredi në banka.
Harxhi e deklaron pasurinë me një fjali
TIRANË- Një nga deklarimet e pasurive më bosh që janë dorëzuar në ILDKP ka qenë e zv/ministres së Jashtme, Edith Harxhi. Kjo e fundit ka deklaruar në pasurinë e saj vetëm një resht: Paga e përfituar nga puna në Ministrinë e Jashtme për periudhën janar- dhjetor 2007, 1.189.940 lekë të reja. Firma në fund të faqes mbyll edhe deklarimin zyrtar të pasurisë së zv/ministres për këtë vit.
Spahiu të ardhura minimale nga ZMQ
TIRANË- Edhe pse ka punuar në një sërë bordesh dhe Organizatash jo Qeveritare, nënkryetari i ri i KLD-së, ka arritur të kursejë vetëm disa shuma të vogla parash në fund të vitit. Kreshnik Spahiu ka shënuar në deklaratën e tij se gjatë vitit të kaluar ka kursyer vetëm tre mijë euro dhe 250 mijë lekë nga pagat e shpërblimet e marra. Në zërin e burimeve financiare Spahiu ka shënuar pagën për sa kohë ishte në ZMQ, 2500 dollarë; honorare në shumën 800 dollarë e 900 euro dhe 220.000 lekë të reja nga paga në KLD. Ndërkohë bashkëshortja e tij ka përfituar gjatë vitit të kaluar 2500 euro.
Përparim Dervishi shlyen borxhin tek e motra
TIRANË- Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Përparim Dervishi, edhe pse ka pasur një vit me shumë ulje- ngritje financiare, ka ende për të paguar një borxh të marrë tek e motra. Në deklarimin e tij zyrtar të pasurisë është shënuar se ka marrë një borxh prej dhjetë mijë eurosh tek e motra, Diana Harizi dhe gjatë një viti ka paguar pesë mijë euro. Përveç borxhit ai ka paguar edhe 1828 euro për një kredi të nisur në vitin 2005. Atij i kanë mbetur për të paguar nga kjo kredi edhe 6078 euro. Ndërkohë ai ka njohur shtesa në llogaritë e tij bankare në shumat tepër të vogla. Në total familja Dervishi ka në banka 6465 dollarë, 1122 euro dhe 783.300 lekë të reja. Të ardhurat e kësaj familjeje janë nga paga e Dervishit në dogana, 1.597.294 lekë, 1905 euro nga paga e mësimdhënies. E shoqja e tij ka marrë gjatë një viti pagë shtetërore 1.058.984 lekë të reja dhe konsulenca në një projekt, 2169 dollarë.
Kondi i bën dhuratë gruas një makinë
TIRANË- Kryetari i Gjykatës së lartë, Thimjo Kondi i ka bërë vitin e kaluar një dhuratë të mirë bashkëshortes. Ai ka shënuar në deklarimin e tij të pasurisë së i ka blerë një makinë të vitit 1999 për pesë mijë euro. Ky është edhe shpenzimi i vetëm i bërë nga Thimjo Kondi për këtë vit. Në zërin e të ardhurave ai ka shënuar pagën prej 1.988.536 lekë të reja, të cilat i ka depozituar në një bankë si dhe shpërblime në shumën e 321.448 lekë të reja. Nga ana tjetër bashkëshortja e tij ka marrë si paga e shpërblime shumën e 970 mijë lekëve të reja.