E Diel, 1 Nëntor 2026

Durrës, policia ultimatum për makinat e bllokuara

 

Pronarët kanë 10 ditë kohë për të plotësuar dokumentet e paguar gjobat. Në rast të kundërt, iu sekuestrohet mjeti

DURRËS- Pronarët e më shumë se 1200 makinave dhe motorëve të bllokuar nga policia e Durrësit kanë vetëm dhjetë ditë kohë për të marrë "pronat" e tyre ose në rast të kundërt do ta humbin përfundimisht atë. Makinat dhe motorët janë bllokuar pasi kanë pasur mungesa në dokumentacion. Për këtë arsye policia u ka lënë pronarëve vetëm dhjetë ditë kohë që të gjejnë dhe dorëzojnë dokumentet e plota dhe në rast se nuk e bëjnë atëherë makinat do të konsiderohen të vjedhura e do t'i kalojnë shtetit. Lajmi është pohuar dje nga burimet zyrtare të Drejtorisë së Policisë së qarkut Durrës. Pas sekuestrimit, këto makina shiten në ankand të hapur dhe kushdo mund të përfitojë duke i blerë me çmime shumë më të ulëta se ato të tregut.

***

Krerët e policisë lokale kanë lëshuar dje një komunikatë me anë të së cilës u shpjegonin pronarëve të mjeteve të bllokuara të gjithë situatën. Në të sqarohet se makinat dhe motorët e bllokuar janë sistemuar në dy pika. Ato kanë shumë kohë që ndodhen në këtë vend dhe janë kthyer në një problem pasi dita ditës vjetërsohen dhe amortizimi ka bërë që të humbin vlerën. "Nga dita e sotme (dje) pronarët e 1273 mjeteve kanë dhjetë ditë kohë që të paraqesin në sportelin e policisë së qarkullimit rrugor dokumentacionin e mangët për të cilën është penalizuar drejtuesi apo mjeti. Në rast të kundërt, ata do të humbin pronësinë e mjetit",- thuhet në njoftimin e dhënë dje nga policia e Durrësit. Sipas tij, në pikën e bllokimit të mjeteve në Rrashbull, janë 675 autovetura, furgonë, minibusë, kamionçina, fuoristrada si dhe 226 motorçikleta e çiklomotorë. Krerët e policisë lokale shpjeguan se pak kohë më parë, Ministria e Brendshme ka rifreskuar udhëzimin që ka të bëjë me mbajtjen të bllokuar këtë kategori mjetesh, ndërkohë që në këtë pikë edhe pse sipërfaqja është e madhe dhe ka pushtuar hapësira të tëra. "Ne jemi në kushtet ku nuk kemi më vend për të vendosur mjetet e tjera që po bllokohen pothuajse çdo ditë. Situata ka arritur pikën kritike dhe zgjidhja do të jetë e menjëhershme brenda pak ditësh",- thanë dje krerët e policisë së Durrësit.

***

Sipas tyre, të gjitha këto mjete do të sekuestrohen duke u hequr të drejtën e pronësisë pronarëve nëse ata nuk do të paraqiten pranë policisë për të dorëzuar dokumentacionin. Por dorëzimi i dokumentacionit të mangët nuk është kriteri i vetëm për të marrë mjetin e bllokuar. Pronarët e tij duhet të paguajnë edhe gjobën e vendosur plus tarifën ditore të parkimit të mjetit në pikën e bllokazhit. Këto kushte bëjnë që shpesh herë pronarët e mjeteve të bllokuara t'i lënë ata në pikën e bllokimit dhe të mos i kërkojnë më. Kjo sepse për mjetet e vjetra vlera e gjobës dhe tarifa e parkingut për një kohë të gjatë, shpesh herë, arrin vlerën reale të vetë automjetit të bllokuar. Një situatë e tillë është në pikën tjetër të bllokimit të automjeteve në Durrës, në atë të Shkozetit. Aty ndodhen 372 mjete të bllokuara. Ato janë pothuajse të të gjitha tipave e llojeve. Një pjesë e këtyre mjeteve kanë me vite që rrinë në natyrë duke pësuar edhe dëmtime, fakt që ka shtyrë pronarët të heqin dorë, kurse të tjera kanë pësuar dëmtime të vogla gjatë transportit apo edhe nga mungesa e kujdesit në ruajtjen në pikat e bllokimit. Nëse sekuestrimi do të ndodhë atëherë pronarëve nuk u mbetet asnjë e drejtë të kërkojnë dëmshpërblim pasi policia, krahas njoftimeve shkresore ka ndërmarrë edhe njoftimin publik.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›