Arrestohet Buna, futbollisti i Teutës"
Durrës- Arrestohet sot futbollisti i njohur i skuadrës së futbollit "Teuta" për plagosje me armë zjarri. Mesfushori Qazim Buna kishte me vete një armë zjarri pistoletë të “Zastava” të cilën e ka përdorur gjatë një zënke me një shokun e tij. Ngjarja është dënuar edhe nga skuadra. Sot Presidenti i “Teutës” ka deklaruar se “Buna do të përjashtohet përgjithnjë nga ky ekip”.
Drejtoria e Policisë në Durrës ka bërë të ditur sot se 30-vjeçari Qazim Buna, banor i lagjes 7 në Durrës, është konfliktuar mesditën e së mërkurës me shtetasin A.Pasha, grindje e cila ka degjeneruar me rrahje dhe më pas edhe plagosje të A. Pashës. Sipas burimeve policore Qazim Buna gjatë këtij konflikti ka patur me vete një armë zjarri pistoletë "Zastava" e paisur me një krehër me një fishek.
Për të eleminuar nga skena e plagosjes armën e zjarrit, autori i është drejtuar mikut të vet për t’ia fshehur armën. Sipas të dhënave të policisë Buna ia ka dhënë pistoletën shtetasit Bejtush Bejtja, në kohën që ka parë policinë. Ky shtetas ka qenë prezent në momentin e grindjes se Bunës me Pashën. Pas kapjes së autorit është arrestuar edhe shtetasi Bejtush Bejtja, të cilit iu gjet arma me tytë ende të nxehtë nga përdorimi.
Arrestimi i futbollistit durrsak për plagosjen me armë zjarri në qytet, ka indinjuar drejtuesit e Klubit të Futbollit të cilët e kanë dënuar qëndrimin e mbajtur prej tij. Presidenti i "Teutë"-s Edmond Hasanbelliu ka deklaruar për përjashtimin e mesfushorit të kësaj skuadre pergjithmonë nga kjo skuader.