E Diel, 1 Nëntor 2026

Shembja e pallatit, Apeli lë në burg 7 të arrestuarit

Gjirokastër- Gjykata e Apelit ka vendosur të lërë në fuqi vendimin e Gjykatës së Faktit për 7 të arrestuarit për shembjen e pallatit në Gjirokastër, në rrënojat e të cilit humbën jetën 3 banore dhe u dëmtuar disa të tjerë.

Pasi gjykata e shkallës së parë dha masën e sigurisë burg pa afat, të arrestuarit duke mos qenë dakord me vendimin, e apeluan atë, duke e çuar çështjen në apel.

Por, edhe pas kësaj, Apeli ka lënë në fuqi të njëjtin vendim. Në seancën e zhvilluar sot kanë mbetur sërish në burg pa afat shtetasit; Alfred Mamani, shef i urbanistikës së bashkisë; Thanas Llahana, inxhinieri gjeolog; Sotiraq Janora, presidenti i firmës dhe drejtuesi teknik i punimeve; Luan Bufi, inxhinier projektues; Afërdita Papamihali, sekretare e KRT-së, Aristotel Haxhiu, bashkëpronar i firmës dhe Gjergji Mece, inxhinier ndërtimi.

Akuzat mbi këta shtetas janë për shkelje të rregullave në punë dhe për të tjerë për shpërdorim detyre.

Arrestimi i tyre u bë pas ngjarjes së rëndë të datës 9 nëntor, kur u shemb pallati 5 katësh në lagjen “11 janari” në Gjirokastër. Si pasojë humbën jetën shtetaset Parashqevi Zoto, 65-vjeç, Valbona dhe Anxhela Dalani, nënë e bijë, që u gjetën nën rrënoja një ditë pas tragjedisë. Ndërkohë që shumë banorë mbetën pa strehë.

Shembja e pallatit ndodhi, në kohën që pranë tij bëheshin punime për ngritjen e një tjetër pallati shumëkatësh, që shkaktoi rrëshqitjen e truallit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›