E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjendet i vdekur doganieri në Vlorë

Vlorë- Gjendet pa jetë në banesën e tij një 50-vjeçar, me punë prej vitesh doganier në qytetin e Vlorës. Sipas të dhënave paraprake të policisë, viktima është shtetasi Patriot Hoxha, i gjetur i vdekur nga një e shtënë pistolete.

Pista e parë mbi të cilën po hetohet, është ajo e një vetëvrasjeje, nisur nga fakti që ai nuk ka pasur asnjë konflikt apo problem në këtë qytet.

Kanë qenë fqinjët e tij, që kanë dëgjuar një zhurmë, të cilën e kanë konsideruar fillimisht si një pëlcitje shashke. Pas njoftimit të policisë, Hoxha është gjetur i vdekur në banesën e tij në një pallat 5-katësh në lagjen “Kushtrimi”, në hyrje të qytetit të Vlorës.

Sipas ekspertëve të mbërritur në vendin e ngjarjes, nga këqyrja e viktimës mendohet se është një akt i pastër vetëvrasjeje, por ende nuk ëshët dhënë versioni zyrtar.

Aktualisht po merren në pyetje fqinjët dhe familjarët. Ai është baba i dy vajzave, njëra prej të cilave prej vitesh e sëmurë dhe e paralizuar.

“Do të presin përfundimin e ekspertizës për të dhënë një përgjigje zyrtare për ngjarjen”- thanë burimet policore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›