E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Arrestohet aktorja kryesore e Iranit që mbështeti protestat

Autoritetet iraniane kanë arrestuar një nga aktoret më të njohura të vendit, pasi ajo shprehu solidaritetin me demonstruesit antiqeveritar, njofton BBC.

Taraneh Alidoosti u arrestua me akuzën e “përhapjes së gënjeshtrave” në lidhje me lëvizjen protestuese që ka kapluar vendin, thanë media shtetërore.

Në një postim në Instagram javën e kaluar, ajo dënoi ekzekutimin e një burri për përfshirjen e tij në protesta.

Zonja Alidoosti është e njohur më së shumti për rolin e saj në filmin fitues të Oskarit “Shitësi”.

Në postimin e saj, 38-vjeçarja ka vënë në shënjestër disa organizata ndërkombëtare që nuk janë shprehur kundër ekzekutimit të Mohsen Shekarit.

Ai u var nga autoritetet pasi ata e akuzuan atë si një “rebelë” që bllokoi një rrugë kryesore në Teheran në shtator dhe plagosi një pjesëtar të një force paraushtarake me një hanxhar.

Sipas një postimi në llogarinë Telegram të agjencisë shtetërore të lajmeve IRNA, ajo u arrestua nga policia për dështimin e sigurimit të “ndonjë dokumenti në përputhje me pretendimet e saj”.

Llogaria e saj në Instagram, e cila ka më shumë se tetë milionë ndjekës, është hequr së fundmi.

38-vjeçarja është një nga aktoret më të suksesshme të Iranit. Ajo luajti në “The Salesman“ ( Shitësi ), i cili fitoi një çmim Oscar në 2016 për filmin më të mirë ndërkombëtar të metrazhit të gjatë.

Por që nga shpërthimi i lëvizjes së protestës, ajo u bë një kritike e zëshme e përpjekjeve të qeverisë iraniane për të shtypur trazirat mbarëkombëtare, të shkaktuara nga vdekja e Mahsa Amini në paraburgimin policor në shtator.

Në nëntor, ajo tërhoqi vëmendjen pasi postoi një imazh të saj në Instagram pa shami për të sinjalizuar solidaritetin me demonstratat.

Lëvizja e protestës është bërë një nga sfidat më serioze për regjimin iranian që kur erdhi në pushtet në revolucionin e vitit 1979.

Autoritetet tashmë kanë ekzekutuar dy burra pasi u shpallën fajtorë për “moharebeh” – përkthyer afërsisht si “armiqësi kundër Zotit”. Sipas ligjit iranian, krimi përkufizohet si “krijimi i pasigurisë publike” duke kërcënuar jetën ose pronën me armë.

( SIpas BBC )

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›