E Shtunë, 31 Tetor 2026

Goditet banda shqiptare e narkotrafikut dhe e prostitucionit



Itali

Policia italiane ka shkatërruar një bandë shqiptare që merrej me trafikun e lëndëve narkotike dhe me shfrytëzim të prostitucionit. Në prangat e karabinierëve kanë rënë 5 shqiptarë, të cilëve u është kapur edhe një kilogram kokainë, të cilën ata e shpërndanin në qytetin e Trevisos. Sipas hetuesve italianë, banda shfrytëzonte edhe disa vajza, të cilat ishin me origjinë kryesisht nga Evropa Lindore për të prostituuar. Hetimet ndaj bandës kishin disa muaj që kishin filluar, ndërkohë që ishin grumbulluar nëpërmjet përgjimit dhe survejimit provat e nevojshme për aktivitetin që ata kryenin.

Hetimet

Sipas mediave italiane, nga hetimet e kryera, njëri prej të arrestuarve do t’i jepte drogën një 17-vjeçareje, nëse ajo do t’i gjente një vajzë të virgjër për të kryer marrëdhënie seksuale. Sipas mediave italiane, kërkesa ishte bërë nga Eduard Saraçi, i cili qëndronte në Ponzano Veneto, kundrejt një studenteje 17-vjeçare. Nga përgjimet e kryera, edhe kjo e fundit kishte pranuar që të kishte marrëdhënie intime me 25-vjeçarin në këmbim të kokainës. Nga klientët e bandës të shpërndarësve të drogës kishte edhe shumë të rinj të tjerë, frekuentues të jetës së natës. Por, gjithashtu, kishte edhe shumë profesorë, si edhe nëpunës të administratës. Përveç Saraçit, në pranga ranë edhe 20-vjeçari Nikolin Shiti, Roland Kibja 20 vjeç, Ermin Deniri 24 vjeç dhe 18-vjeçari Roland Toma. Sipas hetuesve, vlera e drogës së kapur nuk përfaqëson më shumë se 1/10 e vlerës reale të lekëve që banda qarkullonte. Operacioni i karabinierëve u realizua, pasi banda kishte vendosur që të lëvizte pasi kishte arritur që të nuhaste se ishte vënë në shënjestrën e policisë dhe po përgatiteshin që të linin Italinë. Në apartamentin në të cilin u ndalua 25-vjeçari Saraçi u gjetën edhe prostituta me origjinë nga Evropa Lindore, përveç pasaportave e dokumenteve të tipeve të ndryshme.

Operacioni

Gjatë arrestimit 5 të ndaluarve, përveç sasisë prej 1 kilogram kokainë, u është gjetur edhe një pistoletë, një makinë me cilindër të madh e tipit “Audi A6”, si dhe mijëra euro, të ardhura nga trafiku i lëndëve narkotike. Aksioni është organizuar nga Prokuroria e Trevisos, e drejtuar nga Valeria Sanzari, në provincat e Trevisos dhe Venezias. Sipas medias së shtetit fqinj, agjentët e Policisë së Shtetit janë ende duke bërë hetime dhe kontroll në lidhje me të arrestuarit. Hetimet kishin nisur në fillim të këtij, me qëllim shkatërrimin e rrjetit të trafikut në provincat e Venecias, Trevisos dhe veçanërisht në Jesolo. Policia tha se organizata sillte në Veneto vajza të reja, të cilat më pas nxirreshin në rrugë për të shitur trupin e tyre kundrejt pagesave. Veçanërisht, ata dërgonin në Itali vajza minorene kryesisht nga Rumania dhe Hungaria. Ato ishin gjetur nga hetuesit në rrugët e provincave të mësipërme duke prostituuar. E më pas, shqiptarët ishin futur dhe në tregun e lëndëve narkotike. Policia tha se ka zbuluar që trafikantët e arrestuar kishin lidhje dhe me pronarët e disa lokaleve më të njohura në zonë, ku shkonin dhe personazhe publike.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›