Pronat, xhaxhai ekzekuton nipin

Viktima Behxhed Derjaj
Ishin mbledhur për të ngrënë drekë në shtëpinë e autorit, shpëtojnë mrekullisht të tjerët.
Kavajë, viktima do të sqaronte konfliktin e vjetër.
Pronësia bëhet shkak i një konflikti familjar, derisa xhaxhai vret me armë zjarri nipin 48-vjeçar. Ngjarja e rëndë ndodhi të dielën në fshatin Çetë në Kavajë.
Sipas Policisë, viktima është Behxhed Derjaj, banues në Lagjen Nr. 1 të qytetit të Durrësit, ndërsa autori xhaxhai i tij, Isa Derjaj, 60 vjeç, banues në fshatin Çetë të komunës së Helmësit në Kavajë. Ngjarja është zhvilluar në banesën e 60-vjeçarit. Pas një debati mes nipit dhe xhaxhait, ky i fundit ka rrëmbyer një armë që e mbante pa leje dhe ka qëlluar dy herë në drejtim të 48-vjeçarit duke e lënë të vdekur në vend. Grupi hetimor që mbërriti në vendin e ngjarjes, tha se shkak për konfliktin që përfundoi me një viktimë është bërë një pjesë tokë në fshatin Çetë, pronë kjo që të dyja palët e konsideronin të tyren. Burime nga Policia lokale u shprehën se viktima kishte shkuar në fshatin e lindjes për të diskutuar dhe zgjidhur problemin e pronës te të afërmit e tij. Gjatë diskutimeve, situata është tensionuar deri aty sa 60-vjeçari ka marrë armën e zjarrit duke qëlluar në drejtim të nipit. Ngjarja mund të kishte marrë të tjera përmasa, pasi në momentin që autori ka shkrehur armën, mësohet se në vend ka pasur edhe të tjerë persona, të cilët u kanë shpëtuar për mrekulli plumbave. Banorët e zonës kanë tentuar t’i japin ndihmën e parë Behxhedit, por fatkeqësisht ai kishte ndërruar jetë. Ngjarja ndodhi pranë banesës së autorit Isa Derjaj. Burime të Policisë bënë të ditur se mbi 20 persona kanë qenë dëshmitarë të krimit të rëndë. Kjo pasi një pjesëtar i këtij fisi i kishte mbledhur të afërmit e tij për drekë. Menjëherë në vendin e ngjarjes ka mbërritur Policia e Kavajës, e cila bëri të mundur edhe arrestimin në flagrancë të autorit. “Arrestimi i 60-vjeçarit u krye pasi mesditën e së dielës në Kavajë, pranë banesës së tij, pas një konflikti për motive pronësie, ka qëlluar me armë zjarri djalin e vëllait të tij, shtetasin Behxhed Derjaj. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua një armë pushkë, model 53, me nr.90249123, një krehër me 16 fishekë, kalibri 7.62 mm, si dhe dy gëzhoja”, bëri të ditur Policia me anë të një komunikate për shtyp. Viktima jetonte prej disa vitesh në Lagjen Nr.1 të qytetit bregdetar. Ai u largua nga fshati disa vite më parë kur u nda nga bashkëshortja, me të cilën kishte edhe një vajzë. Konflikti mes 48-vjeçarit dhe xhaxhait të tij 60-vjeçar kishte nisur disa vite më parë, kur palët kërkonin të bënin pronën e tyre një pjesë toke në këtë fshat.
KAVAJE/ LEONIDHA MUSAJ