Arrestohet ish-truproja e Hajdarit
Shkodër- Policia e Shkodrës ka arrestuar sot Marjan Grykën, ish truproja e Azem Hajdarit. Ndalimi i tij, vjen një javë pasi ai mbeti i plagosur me armë zjarri, teksa kthehej në shtëpi më makinë.
Sipas burimeve zyrtare të policisë lokale, sqarohet se vendimi për arrestimin e Marjan Grykës ka ardhur pas hetimeve që u kryen lidhur me plagosjen e tij, një muaj më parë, konkretisht në fund të shtatorit, sipas të cilave dyshohej një 'atentat i sajuar'.
“Ky shtetas akuzohet për armëmbajtjke pa leje dhe për kallëzim të rremë”- thonë burimet e policisë, që bëjnë me tej me dije se Gryka nuk ka dëshmuar të vërtetën lidhur me plagosjen e tij.
Ngjarja ndodhur rreth orës 22.00 të 27 shtatorit, në rrethin e Shkodrës, kur Marjan Gryka, tashmë drejtues i shoqatës “Azem Hajdari”, ishte duke udhëtuar me makinë nga Shkodra për në fshatin Zogaj. Në një pjesë të rrugës ai ka ulur shpejtësinë dhe në këto çaste janë dëgjuar disa të shtëna armësh, që e kanë dëmtuar në pjesën e këmbës.
Pas ngjarjes, ai dëshmoi se tentonin ta vrisnin, persona që kishin dijeni të plotë rreth vrasjes së Hajdarit.
Ja çfarë dëshmoi për “Shekullin”, nga spitali ish-truproja i Azem Hajdarit, Marjan Gryka.
"Atentati, nga njerëzit që vranë Azemin"
SHKODËR- Ish-truproja i Azem Hajdarit, Marjan Gryka, nuk ka ngurruar të “shfrytëzojë” plagosjen e tij, për t’i dhënë jehonë kauzës së shoqatës që drejton. Nga spitali i Shkodrës, ai ka hedhur dyshime se atentatin kundër tij e kanë organizuar të njëjtët njerëz që urdhëruan vrasjen e Azem Hajdarit, e kjo për arsye frike.
Sipas Grykës, rihapja e hetimeve për vrasjen e shekullit po bëhet nga Bashkimi Evropian dhe kjo i ka frikësuar organizatorët e kësaj vrasjeje, të cilët ende nuk kanë dalë para drejtësisë. Ish-truproja e Azem Hajdarit ndodhet i shtruar në repartin e kirugjisë së spitalit rajonal të Shkodrës, nën kujdesin e mjekëve dhe trajtohet me ilaçe, ndërsa pranë derës së tij qëndron një punonjës policie. Në një intervistë për “Shekullin”, Gryka rrëfen momentet e plagosjes dhe dyshimet e tij për këtë atentat.
Zoti Marjan, jeni qëlluar me armë zjarri mbrëmjen e së shtunës. Cili mendoni se është shkaku i kësaj ngjarjeje?
Shkaku i plagosjes sime është tërësisht politik. Unë nuk kam asnjë konflikt me ndonjë person dhe ata që thonë të kundërtën, përhapin fjalët e atyre që kanë urdhëruar atentatin tim. Unë jam një person që përfaqësoj Azem Hajdarin në Shqipëri dhe kudo ku jetojnë shqiptarët. Vrajsa e Azem Hajdarit po shkon drejt rihapjes së dosjes, po e rihap BE. Ne si shoqatë i kemi bërë disa kërkesa Brukselit për këtë dhe kjo është shoqëruar dhe me disa shkrime të miat nëpër gazeta.
Në këtë vrasje janë të implikuar klane të caktuara të dy kampeve politike. Dyshoj se janë po këta njerëz që kanë organizuar dhe pritën ndaj meje të shtunën mbrëma. Ata janë shumë të shqetësuar për rihapjen e vrasjes së Azem Hajdarit dhe atë që ia bënë atij me kohë, donin t’ia bënin edhe mikut të tij .Vetë prania e njerëzve me uniformë policie në ekzekutimin tim ka një kuptim , ndoshta jo 100%,por sot gjërat janë të hapura.
A keni patur kërcënimetë tjera më parë?
Po kam patur dy kërcënime me mesazhe telefonike, me SMS , të bëra nga karta të shërbimit celular të Jugosllavisë. Nuk kam patur ndonjë goditje tjetër, por këto kërcënime kanë ardhur pas publikimit prej meje në gazeta të fakteve që lidhen me vrasjen e Hajdarit. Unë, në emër të shoqatës, i kam dërguar një letër Prokurores së Përgjithshme ku kërkoj rihapjen e çështjes së vrasjes së Azem Hajdarit. Përgjigjja e saj ka qenë pozitive, por në të vërtetë çështja duhet të rihapet nga Gjykata e Lartë. Është ajo që rrëzon vendimin dhe më pas prokuroria rinis hetimet. Kam patur presione e kërcënime më parë, por tani dolën haptas. Atentati ndaj meje është shumë i thjeshtë si veprim, një pritë e organizuar , por është e ndërlikuar për atë mesazh që merr opinioni. Po kundërshove të madhin, bëji gjyqin vetes.
A mund të kujtoni rrethanat në të cilat ndodhi plagosja e juaj?
Si çdo qytetar shkodran, që është dhe ka të drejtë të bëjë jetën e vet të lirë dhe të shkojë ku të dojë, unë kam dalë mbrëmë me makinën time nga lagjet buzë liqenit të Shkodrës, Shirokë e Zogaj. Sapo kam kaluar Shirokën, rrugës së ngushtë për në Zogaj, tek kthesa më kanë dalë përpara dy persona të veshur me uniformë policie dhe me maska . Kam ulur shpejtësinë dhe sapo më kanë thënë të ndaloja, unë shumë i qetë e kam bërë këtë, duke patur besim se ishte policia e shtetit.
Sapo kam nisur të ulem nga makina , kam hapur derën të flas me ta, e kam kuptuar se nuk ishin policë, por një skuadër pushkatimi . Më kanë shtyrë dhe përplasur brenda mjetitme forcë , kam mbyllur derën dhe jam shtrirë, ndërsa ata më kanë qëlluar disa herëme armë zjarri që duhej të ishte pistoletë, pasi nuk pashë të kishin automatik . Nuk kam mundur t’i identifikoj, ata nuk kanë folur dhe janë larguar . Unë kam qëndruar i shtrirë pak çaste pastaj kam lajmëruar policinë me telefon.
Cili ka qenë reagimi i policisë pas ngjarjes?
Dua të falenderoj veçanërisht drejtorin e policisë së Shkodrës, i cili menjëherë ka dërguar mjaft forca aty ku unë isha i plagosur e shtrirë në tokë dhe vetë ka ardhur e më ka takuar disa herë. Unë do të bashkëpunoj me të për identifikimin e autorëve të ngjarjes.
Cilat janë dyshimet tuaja për vrasjen e Azem Hajdarit dhe a besoni se qeveria aktuale do t’i shkojë zbardhjes së kësaj çështjeje deri në fund?
Dyshimet për vrasjen e Azem Hajdarit lidhen me realitetin. Ky realitet tregon se shumë njerëz pas vrasjes, mes të cilëve dhe kryeminstri aktual, patën bërë deklarata të bujshme për shumë persona të përfshirë në këtë vrasje. Kjo është ajo që duan shqiptarët, që si kryeministri, si presidenti i shoqatës, si presidenti i vendite kushdo qoftë, të jenë të barabartë para ligjit . Kryeministri dhe të gjithë bashkë, për ato që kemi deklaruar duhet të shkojmë përpara drejtësisë dhe t’i pohojmë ato që dimë aty.
Qeveria aktuale premtoi para se të vinte në pushtet se do ta rihapte çështjen “Hajdari”, por më pas as që i shkoi ndër mend ta bënte këtë. Çështja po rihapet nga BE. Kjo qeveri nuk pati kurajon ta hapte. Dhe kjo është qeveria e Partisë Demokratike, e asaj partie që kryetar të parë të saj kishte Azem Hajdarin. Këtë ajo nuk e bëri kurrë. Se çfarë i pengon apo i frikëson, e dinë ata. Shoqata “Azem Hajdari” është e do jetë gjithmonë për vënien e organizatorëve të vrasjes së tij para drejtësisë, them organizatorëve e jo pushkatorëve . Sepse vrasja e Azem Hajdarit është vrasja politike e shekullit , ajo nuk ishte vrasje personale për hakmarrje, por vrasje politike. Angazhimi i BE-sëdo të bëjë që gjithçka të shkojë në vendin e vet dhe politika të pastrohet.
Policia: Dëshmia e Marjan Grykës për atentatin, kontradiktore. Po verifikojmë të gjitha pistat e mundshme
Katër pistat e atentatit të ish-truprojës së Hajdarit
SHKODËR- Atentati pa dëshmitarë dhe profili i kreut të shoqatës “Azem Hajdari” kanë ngritur një sërë pikëpyetjesh dhe dyshimesh tek drejtuesit e grupit hetimor, për atentatin e ndodhur mbrëmjen e së shtunës në Zogaj të Shkodrës.Gjatë gjithë ditës së djeshme, policia e Shkodrës ka kryer hetime për të verifikuar atentatin e Marjan Grykës dhe rrethanat e plagosjes së tij, por gjithçka mund të thuhet për këtë ngjarje është mungesa e autorëve. Burime zyrtare të policisë së Shkodrës sqarojnë se plagosja e 37- vjeçarit Marjan Gryka, i lindur në Shkodër dhe banues në Tiranë ka ndodhur nga persona akoma të paidentifikuar, ndërsa i dëmtuari lëvizte me automjetin e tij tip “Benz Slloun” me targa TR 08 46 F. Çdo rrethanë tjetër e kësaj ngjarjeje ndodhet në proces hetimi.
Marjan Gryka, kreu i shoqatës “Azem Hajdari” ka marrë një plumb në pulpën e këmbës së majtë dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Pranë automjetit në të cilin Gryka po udhëtonte i vetëm janë gjetur dy shenja plumbash tek dera e drejtuesit të mjetit , një shenjë plumbi në xhamin anësor të drejtuesit të mjetit dhe dy plumba në derën e prapme të makinës, pas drejtuesit . Sipas policisë, është ngritur një grup i posaçëm hetimor, i përbërë nga ekspertë të kriminalistikës dhe prokurorë , të cilët së bashku me ekspertët mjeko- ligjorë po punojnë për zbardhjen e ngjarjes dhe identifikimin e autorëve. Ndërkaq, mësohet se po verifikohen kërcënimet e deklaruara prej Marjan Grykës, për të zbuluar prej tyre ndonjë autor të mundshëm të atentatit të dy netëve më parë.
Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se gjithçka kanë në dorë është dëshmia e ish-truprojes së Azem Hajdarit. Megjithatë, rrëfimi i tij për ngjarjen është cilësuar kontradiktor dhe me plot të “çara”. Në këto rrethana, hetimet janë përqendruar në ekspertizën e makinës së Marjan Grykës dhe në dinamikën e atentatit. Deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, policia po hetonte në katër pista, ku përfshihet dhe ajo për shkak të pozicionit të Grykës si drejtues i shoqatës “Azem Hajdari”, shoqatë kjo që vazhdon të kërkojë me këmbëngulje rihapjen e vrasjes së Hajdarit.
Ngjarja ka ndodhur në lagjen Zogaj, në periferi të qytetit të Shkodrës, në segmentin Shirokë- Zogaj tek kthesa e tretë e rrugës së ngushtë që të çon në qendër të lagjes turistike. Udhëtimi i Grykës në këtë zonë “të shkretë”, në atë orë të vonë të natës është një tjetër dyshim i pasqaruar i policisë së Shkodrës, e cila pritet të arrijë në përfundime gjatë ditëve në vazhdim. A.Dushi
PISTA 1
Pozicioni i Marjan Grykës si president i shoqatës “Azem Hajdari” është pista kryesore e policisë për zbardhjen e atentatit të së shtunës. Kjo për arsyen se Gryka ka kërkuar vazhdimisht hapjen e hetimeve për vrasjen e Azem Hajdarit
PISTA 2
Në dëshminë e tij, ish-truproja i Azem Hajdarit ka pohuar se ka marrë dy mesazhe kërcënuese nga një numër serb. Policia e Shkodrës pritet të marrë tabulatet telefonike për të verifikuar numrat kërcënues të Grykës
PISTA 3
Konfliktet personale të Marjan Grykës janë një tjetër pistë në të cilën po heton policia e Shkodrës. Megjithëse ish-truproja i Azem Hajdarit ka pohuar se nuk ka konflikte me njeri, grupi hetimor është duke studiuar profilin e tij
PISTA 4
Megjithëse nën zë, policia e Shkodrës nuk ka mohuar edhe dyshimin për një atentat të simuluar prej Marjan Grykës apo personave të tjerë. Ky dyshim ka lindur nga dëshmia kontradiktore e tij për rrethanat e plagosjes
Letra e Hapur
Hapni dosjen e Azemit, vrasësit i di Sali Berisha!
Zonjës Ina Rama!
Unë Marjan Gryka, me pozicion President i Shoqatës Mbarëkombëtare Nacionaliste "Azem Hajdari", ju drejtohem me këtë letër të hapur, duke ju kërkuar:
Nisjen e procedurave për hapjen e dosjes të vrasjes së deputetit të PDSH, zotit Azem Hajdari. Edhe pse po mbushen afro10 vjet nga kjo vrasje, kjo dosje nuk quhet e trajtuar realisht. Ne, miqtë dhe vazhduesit e idealit të Azem Hajdarit, të organizuar prej 10 vjetësh në Shoqatën me emrin e liderit demokrat, kemi dëgjuar kryetarin e PDSH, zotin Sali Berisha, ditën e vrasjes së Azem Hajdarit dhe gjatë 8 vjetëve në opozitë se "denoncimin dhe dëshminë e tij për këtë vrasje, do ta bëjë kur të vijë PD në pushtet dhe se akti i parë i qeverisjes së PD, do të jetë hapja e dosjes së Azem Hajdarit".
Deri tani, zoti Sali Berisha nuk e ka bërë këtë akt publik. As drejtësia shqiptare nuk e ka thirrur atë për ta marrë në pyetje, megjithëse ka të dokumentuar deklaratën e tij me akuzë publike, me emra konkretë vrasësish. Shoqata "Azem Hajdari" kërkon prej Jush, zonja Prokurore e Përgjithëshme, të hapet kjo dosje, për të zbardhur të vërtetën e
vrasjes së deputetit të PDSH, Azem Hajdari. Ne kërkojmë, që sipas ligjit, të trajtoni në pozicionin e akuzuesit dhe dëshmitarit, shtetasin Sali Ramë Berisha, me pozicion politik kryetar i PD dhe akuzues konkret publik në momentin e vrasjes së Azem Hajdarit, shtetas ky që aktualisht është me detyrë kryeministër. Ky qëndrim është përgjegjësi Juaja zonja Prokurore e Përgjithëshme dhe duhet realizuar. Kanë kaluar afro 10 vjet nga kjo vrasje dhe ende, shtetasi Sali Ram Berisha, nuk ka pranuar të dëshmojë dhe të firmosë denoncimin e tij publik për vrasësit realë, të cilët i ka deklaruar përherë në media dhe takime publike me demokratët. Madje ky, ka qenë qëndrimi i tij përballë ligjit, por që nuk është realizuar edhe pse PD dhe Berisha, për afro 3 vjet janë në pushtet.
Kush është Marjan Gryka
Marjan Gryka ka qenë ish-bodigard i deputetit të PD-së, Azem Hajdari. Vetëm pak javë para se të vritej Azem Hajdari, Marjan Gryka është arrestuar si i dyshuar për sulmin ndaj institucioneve shtetërore në Shkodër. Gryka së bashku me shumë të tjerë janë konsideruar si persona të dyshimtë dhe individë që mund të shkaktonin trazira gjatë zhvillimit të referendumit për Kushtetutën, por asnjëherë akuzat ndaj tyre nuk u vërtetuan. Mbi supet e Grykës u ngrit akuzat e “përvetësimit të pronës ushtarake”. Ai ndodhej në paraburgim për pjesëmarrje ne sulmet në Shkodër dhe kjo shpjegon dhe faktin përse Gryka nuk ishte përkrah ish-liderit të Dhjetorit mbrëmjen e 12 shtatorit 1998, kur ai u ekzekutua.
Pak kohë pas vrasjes së Azemit, ai u lirua nga salla e gjyqit për mungesë provash dhe faktesh dhe nuk ka hezituar asnjë moment të akuzojë instancat shtetërore dhe vetë kryeministrin aktual, Sali Berisha për vrasjen e liderit të dhjetorit. Madje ai i ka dëeguar një letër krye-prokurores Ina Rama. Marjan Gryka shkruante se “Sali Berisha i di vrasësit e Azemit dhe nga ai duhet të rinisin hetimet për dosjen”.