Shkëmbimi i zjarrit, policia greke vret shqiptarin
Tre shtetas shqiptarë ndodheshin në një makinë që transportonte hashash dhe ka hapur zjarr mbi policinë
GREQI- Një shtetas shqiptar është vrarë dy net më parë nga policia greke në qytetin e Vollosit gjatë një shkëmbimi zjarri. Ngjarja ka ndodhur në orën 20 e 30 minuta, kur një patrullë policie ka ndaluar për kontroll një makinë të markës golf, me ngjyrë të zezë. Makina po i drejtohej Athinës, ku dhe ndodheshin tre persona të gjithë shtetas shqiptarë.
Sipas deklaratës për shtyp të policisë greke, drejtuesi i makinës nuk i është bindur urdhrit për kontroll dhe pasi ka shtuar shpejtësinë, ka tentuar të largohet. Menjëherë i është vënë pas grupi special i ndjekjes së policisë me dy fuoristrada. Në këtë moment një prej personave që ndodhej në makinën e dyshimtë ka dalë në dritare dhe ka qëlluar me armë në drejtim të makinës së policisë. Ai ka qëlluar dy herë por pa dëmtuar asnjë polic. Paralelisht janë lajmëruar forcat e policisë së rajonit të Almirusë, të cilat kanë bllokuar me makinat e tyre rrugën nga ku do të kalonte makina e dyshimtë. Por duke mbërritur me shpejtësi të madhe makina me tre shtetasit shqiptarë pasi është përplasur me makinat e policisë ka mundur të çajë rrugën e bllokuar dhe përsëri një prej pasagjerëve ka mundur të qëllojë mbi policët grekë, të cilët edhe ata i janë përgjigjur me breshëri plumbash. Si pasojë, një prej tre shtetasve shqiptarë ka ngelur i plagosur për vdekje. Dy shqiptarët e tjerë pasi e kanë braktisur makinën në një gomisteri në anë tërrugës, duke përfituar nga errësira e natës kanë mundur të largohen me shpejtësi në drejtim të paditur. Gjatë kontrollit që ju bë më pas makinës së tyre, policët grekë kanë gjetur 12 pako me hashash me një peshë gjithsej prej 24 kg e 694 gram. Menjëherë është thirrur edhe mjeku ligjor i cili ka vërtetuar vdekjen e një prej shtetasve shqiptarë, me moshë 34 vjeç, ndërsa po zhvillohen hetime nga policia e Vollosit për të zbardhur saktësisht ngjarjen, sepse nuk janë gjetur armë në vendngjarje dhe dyshohet se mos dy personat e tjerë të larguar ti kenë marrë me vete.